Flamurtari konfirmon trajnerin, Idrizi: Të ndryshojë situata, jam gati të paguaj…
Françesko Moriero nuk do të shkarkohet…të paktën këtë javë. Edhe pse të premten në mbrëmje italiani ishte në “fije të perit”, fundjava ka qenë një kohë e mjaftueshme për reflektim nga ana e drejtuesve për të mos marrë vendime të nxituara.

Në këto kushte trajnerit i jepet edhe një mundësi e fundit për të sjellë ndryshimin. Drejtuesit e klubit kanë vendosur vijimin e bashkëpunimit me Morieron, që solli pakënaqësi në ndeshjen me Egnatian për mos aktivizimin e të riut Hetem Lushaj. Për rreth tre orë, duke nisur nga ora 10:00 deri në orën 13:00 të mesditës së djeshme, në ambientet e klubit është zhvilluar një mbledhje, ku të pranishëm ishin presidenti Sinan Idrizi, sekretari i përgjithshëm Alfred Ferko, si dhe dy legjendat e futbollit vlonjat, zëvendës presidenti Kreshnik Çipi, si dhe Vasil Ruci.
Të pranishëm në takim edhe djali i presidentit Idrizi, Ensar Idrizi si dhe dy zëvendës trajnerët Lejdi Liçaj dhe Andi Ribaj. Mungonte në mbledhje trajneri Françekso Moriero. Idrizi ka marrë parasysh këshillën e Kreshnik Çipit dhe Vasil Rucit për të ardhmen e trajnerit Françekso Moriero. Legjendat vlonjate kanë qenë të mendimit se italiani duhet të vijojë punën dhe se nuk duhet të eksperimentohet në këtë moment me ndërrimin e trajnerit. Pas ka dëgjuar të gjitha sugjerimet, Idrizi vendosi të mos e shkarkojë trajnerin italian por ti japë vetëm një shans të fundit për të ndryshuar situatën dhe strategjinë, sidomos sa i përket lojtarëve që klubi shikon me perspektivë.
DISKUTIMET- “Panorama Sport”, zbardh diskutimet dhe zhvillimet brenda këtij takimit të djeshëm që zgjati për plot tri orë dhe ku u fol gjerësisht për Flamurtarin dhe mundësitë që skuadra ka për të ndryshuar. Presidenti Sinan Idrizi ka kërkuar nga zëvendës trajnerët Lejdi Liçaj dhe Andi Ribaj të marrin më shumë përgjegjësi, të jenë më kërkues dhe më bashkëpunues. Kreu i klubit e vendosi theksin tek një bashkëpunim më i ngushtë që duhet të ketë stafi teknik i skuadrës së parë me akademinë e Flamurtarit. Madje Idrizi ka shprehur gatishmërinë për rritjen profesionale të zëvendës trajnerëve Liçaj dhe Ribaj duke i çuar ata për specializim në të ardhmen në klubet më të njohura të futbollit në Evropë.
“Duhet të ndryshojë kjo situatë. Kemi investuar dhe nuk jam kursyer për asnjë. Ju si djem që keni një kohë të gjatë te Flamurtari duhet të merrni më shumë përgjegjësi. Duhet të keni më shumë bashkëpunim me akademinë. Ju Liçaj dhe Ribaj duhet të rriteni më shumë profesionalisht. Jam i gatshëm që t’ju ofroj të gjitha mundësitë që ju të trajnoheni jashtë vendit, në klubet më të njohura të futbollit në Evropë”, është shprehur Idrizi.
ANALIZA TEKNIKE- Sekretari i përgjithshëm i klubit Alfred Ferko, si dhe legjendat e futbollit, Kreshnik Çipi dhe Vasil Ruci kanë analizuar me detaje paraqitjen teknike të skuadrës në ndeshjen me Egnatian si dhe në takimet e zhvilluara deri më tani. Një zëri të gjithë janë shprehur se Flamurtari i ka të gjitha mundësitë për të ndryshuar dhe për të dalë nga kjo situatë. Kreshnik Çipi ndër të tjera është shprehur se skuadra ka cilësi.
“Skuadra i ka mundësitë për të ndryshuar. Niveli i lojës është rritur dhe ka elementë cilësorë që mund të bëjnë më shumë”, mësohet se është shprehur Çipi. Ndërsa Vasil Ruci ka kërkuar një skuadër më sulmuese.
“Ekipi ka ndryshuar nga javët e kaluara dhe ky është realitet. Duhet një lojë më sulmuese. Jemi në një ngërç rezultati por nëse do të ketë seriozitet nga stafi dhe lojtarët do të dilet shpejt”, ka deklaruar Ruci.
Sekretari i përgjithshëm i klubit, Alfred Ferko ka premtuar kthesën duke filluar nga ndeshja e radhës. Presidenti Sinan Idrizi ka premtuar edhe përforcimin e mëtejshëm të grupi me një lojtar cilësor dhe që bën diferencën. Idrizi dhe të pranishmit në mbledhje kanë kërkuar menjëherë ndryshimin e situatës nga skuadra e cila duhet të marrë më shumë përgjegjësi pasi është një nga më të investuarat në Superligë dhe janë gjitha mundësitë që të rikthehen rezultatet pozitive.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













