“Finale” e parakohshme, Egnatia-Dinamo ndez garën për kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2025 | 14:41

“Finale” e parakohshme, Egnatia-Dinamo ndez garën për kreun

Egnatia do të presë sot Dinamon në stadiumin “Air Albania”. Një sfidë e cila për nga rëndësia, rrethanat dhe ndikimi në klasifikim, konsiderohet si një provim i vërtetë për kampionët në fuqi.

Egnatia-vs-Dinamo-City

Përballja është direkte për kreun, ndaj edhe pritshmëritë janë që loja të jetë e luftuar, me intensitet të lartë dhe me shumë kujdes në çdo detaj. Në kampin rrogozhinas mbizotëron optimizmi se skuadra mund të vijojë ecurinë pozitive, sidomos pas fitores ndaj Vorës pak ditë më parë, fitore që riktheu qetësinë dhe besimin në grup. Egnatia ka treguar gjatë gjithë këtij sezoni se di të reagojë në momentet e duhura dhe se nuk dorëzohet lehtë, pavarësisht mungesave apo presionit të klasifikimit.

Por, në sfidën ndaj Dinamos, Tetova duhet të menaxhojë një mungesë të rëndësishme: Edison Ndreca. Mbrojtësi i majtë konsiderohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm në fazën e mbrojtjes, jo vetëm për cilësitë në markim, por edhe për kontributin e tij në fazën ofensive me daljet e shpejta dhe krosimet e sakta. Mungesa e tij pritet të ndikojë ndjeshëm në ekuilibrin e prapavijës, duke detyruar trajnerin Tetova të kërkojë zgjidhje alternative.

STRATEGJIA – Dinamo është kthyer në një nga ekipet më të forta këto javët e fundit dhe kuptohet që për rrogozhiansit nuk do të jetë një mision i lehtë marrja e fitores. Megjithatë, si për çdo ndeshje, edhe ndaj bluve është gati një strategji e qartë për të dalë me tri pikët, pavarëissht nëse do t’ia dalin dot në fund t’i marrin apo jo. Është shumë e thjeshtë, kampionët duan të shkojnë tek fitorja duke shpresuar që të mbajnë portën të paprekur.

Të paktën, kështu ka ndodhur deri më tani me rrogozhinasit në ndeshjet që kanë dalë nga fusha me pikët e plota. Nga tetë fitoret e arritura në 15-të javët e para të kampionatit, gjashtë prej tyre janë marrë duke mbajtur portën të paprekur. Ky është një tregues shumë domethënës dhe e konfirmon filozofinë e Tetovës: ndeshja fitohet duke mbrojtur fort dhe duke goditur në momentin e duhur. Vetëm në dy raste, ndaj Flamurtarit në fazën e parë dhe Bylisit në të dytën, Egnatia ka marrë tre pikët duke pësuar gol.

Në të gjitha ndeshjet e tjera fituese, portieri dhe reparti i mbrojtjes kanë qenë të pakalueshëm. Kjo statistikë për stafin teknik është një sinjal i qartë se suksesi ndaj Dinamos varet kryesisht nga mënyra si do të menaxhohen episodet mbrojtëse, sidomos në minutat e para dhe në fazat e nxehta të takimit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL