Felipe karikon Vorën: Mbijetojmë në Superiore, këtë herë duhet të mundim Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2026 | 20:44

Felipe karikon Vorën: Mbijetojmë në Superiore, këtë herë duhet të mundim Dinamon

Vora bëri “vetëvrasje” në shtëpi me Elbasanin dhe ka rrezikuar shumë në misionin e saj për të qëndruar në Superiore. Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje nga mbyllja e fazës së tretë, në kampin vorak ka nisur numërimi mbrapsht dhe llogaritë për shpëtimin e skuadrës. Pas javës së 25-të ka nisur edhe diferencimi në tabelë, duke u veçuar skuadrat e zonës “play-off” nga ato që kërkojnë mbijetesën.

Screenshot-2025-06-26-163649

Katër janë ekipet që luftojnë për këtë objektiv dhe, nga këto, vetëm Vora qëndron pak më lart se rivalët e drejtpërdrejtë. Megjithatë, diferencat në pikë janë të rrezikshme për vorakët, pasi me Bylisin e zonës “playout” i ndajnë vetëm tri pikë.

Duke ditur se pas ndeshjes me Dinamon do të luajnë në Ballsh, një transfertë mjaft e vështirë për të marrë pikë, situata bëhet edhe më delikate. Gjithsesi, në kampin vorak nuk po bëhen llogari afatgjata, pasi fokusi është vetëm te sfida e radhës, Dinamo.

LUIS FELIPE

25-vjeçari brazilian, i cili, erdhi te Vora si dublant i Manfredas Ruzgis, tashmë është kthyer në pikë referimi në sulmin vorak, pas dëmtimeve të shpeshta të lituanezit, si dhe dëmtimit të Bernard Karricës. Megjithatë, performanca e tij nuk ka qenë në pritshmëritë e ekipit në këtë fazë kritike të kampionatit, kur Vorës i duhen golat, por mungojnë realizuesit.

Vetëm një gol në 17 ndeshje për Luis Felipen është shumë pak. Sidoqoftë, lojtari mbetet premtues dhe kërkon më shumë mbështetje nga shokët e skuadrës. Lidhur me ndeshjen e fundit ndaj Elbasanit dhe përballjen e radhës kundër Dinamos, për “Panorama Sport” ai tha: “Luajtëm mirë, por përballë kishim një kundërshtar shumë të fortë.

Bëmë gjithçka, por nuk ia dolëm. Tani mbetet të korrigjojmë disa nga gabimet që u panë në këtë takim, në mënyrë që të jemi sa më të sigurt në ndeshjen e radhës. Dinamo është një skuadër shumë e fortë dhe na ka mundur dy herë, por këtë herë them me bindje se Vora do të fitojë dhe do t’u rikthehet rezultateve pozitive.

Edhe pse Dinamo është një skuadër me histori, ne kemi synimet tona për qëndrimin në Superiore. Na duhen pikët maksimale për të qenë më të qetë në fazën e fundit të kampionatit. Duhet të punojmë më mirë gjatë kësaj jave për të qenë më të përqendruar dhe të përkushtohemi maksimalisht për të marrë një rezultat pozitiv”.

A. DUSHKU – PANORAMASPORT.AL