“Nuk ishim në gjendjen më të mirë fizike”, Daja flet pas humbjes në Europë: Ka gjithmonë shpresë, japim gjithçka në duelin tjetër
Dinamo e nisi me humbje aventurën në turin e parë të kualifikimeve të Ligës së Konferencës, pasi u mposht me rezultatin 0-1 nga Astana në sfidën e zhvilluar në “Elbasan Arena”. Pavarësisht një paraqitjeje pozitive në pjesën më të madhe të ndeshjes dhe disa rasteve të mira për shënim, blutë nuk arritën të konkretizonin epërsinë territoriale, ndërsa u ndëshkuan nga një moment pakujdesie në mbrojtje.
Pas përfundimit të sfidës, trajneri Ilir Daja foli në një prononcim për mediat ku analizoi ndeshjen. Tekniku u shpreh se në futboll ka gjithmonë shpresë dhe pretendon të përmbysë gjithçka në duelin e kthimit.
“Sigurisht që e vështirëson sepse duke e nisur nga fakti që ato janë në periudhë gare dhe kanë ritmin e duhur dhe ne jemi në ndeshjen e parë zyrtare të sezonit, do të ishte më mirë të ishte një rezultat barazim dhe do të thoja që e meritonim atë rezultat. Duke parë pjesën e parë shumë të mirë, me disa raste, që nëse do të kishim shënuar të merrnim drejtimin e lojës pasi dihej që do vinte një moment që do të binim fizikisht pasi disa lojtarë janë bashkuar me ekipin vetëm ditën e fundit. Po ta shikonit gjendja jonë fizike në krahasim me kundërshtarin nuk ishte më e mira e mundshme. Rezultati i vështirëson gjërat, por në futboll ka gjithmonë shpresë dhe ne do të shkojmë për të luajtur gjithçka për gjithçka pasi nuk kemi çfarë të humbim”, tha fillimisht Daja.
Çfarë do të bëjë ndryshe Dinamo në ndeshjen e ardhshme?
“Duhet të analizojmë ndeshjen e parë, megjithëse kundërshtari luajti ashtu siç ne e kishim parë, me të njëjtin formacion dhe manovër, por që do të shikojmë në raport se çfarë kemi bërë ne, gjërat e mira ti shtojmë dhe të minimizojmë gabimet që u shfaqën në ndeshjen direkt në turin e parë”, përfundoi ai.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













