Merkato e Korabit nis të marrë formë, ja katër përforcimet e para për sezonin e ri
Korabi ka nisur me ritëm merkaton e verës, duke treguar se synon të ndërtojë një skuadër sa më konkurruese për sezonin 2026-2027 në Kategorinë e Parë. Drejtuesit e klubit dibran kanë lëvizur shpejt në treg, ndërsa burime pranë klubit bëjnë me dije se katër futbollistë të rinj do të jenë pjesë e ekipit në edicionin e ardhshëm.

Goditja e parë e Korabit ishte Ilir Allmuça, mbrojtësi i majtë me eksperiencë, i prezantuar disa ditë më parë. Futbollisti 29-vjeçar ka një karrierë të pasur, duke veshur fanellat e Dinamos, Egnatias, Flamurtarit dhe së fundmi Lushnjës. Allmuça ka firmosur një kontratë dyvjeçare dhe pritet t’i japë më shumë siguri repartit defensiv. Ndërkohë, Korabi ka siguruar edhe tre afrime të tjera të rëndësishme. Mesfushori Nilsen Gjinaj, i formuar në akademinë e Partizanit, bashkohet me dibranët pas eksperiencës së fundit me Besën e Kavajës. Ai konsiderohet një futbollist me potencial dhe pritet të shtojë cilësi në mesin e fushës.
Një tjetër përforcim është Erisotel Koleci, një mesfushor me përvojë të madhe në futbollin shqiptar. Gjatë karrierës së tij ai ka luajtur me skuadra si Kamza, Tomori, Besëlidhja, Besa, Burreli dhe së fundmi Iliria, duke sjellë eksperiencë dhe stabilitet në repartin qendror. Afrimi i katërt është Dejvi Duro, një nga talentet e dalë nga Egnatia. Anësori ka qenë pjesë e rregullt e ekipeve kombëtare të moshave dhe njihet për shpejtësinë dhe aftësitë e tij në krahët e sulmit. Korabi beson se ai mund të jetë një vlerë e shtuar për sezonin e ri. Me këto katër afrime, Korabi jep sinjale të qarta se nuk dëshiron të jetë thjesht pjesëmarrës në kampionat, por synon të ndërtojë një skuadër solide dhe konkurruese për sezonin 2026-2027. Gjithsesi, merkatoja e klubit dibran pritet të mos mbyllet këtu, pasi drejtuesit vazhdojnë punën për të kompletuar organikën me përforcime të tjera.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













