Pogradeci zbret sot në fushë dhe prezanton ekipin e ri, Greca u jep lamtumirën liqenorëve
Liqenorët hapin përgatitjet për sezonin 2026-2027 me synimin për t’u ngjitur në Superiore, ndërsa Bedri Greca mbyll aventurën pas një sezoni. Pushimet e gjata verore kanë përfunduar edhe për Pogradecin. Liqenorët zbresin sot zyrtarisht në fushë, duke hapur përgatitjet për sezonin 2026-2027 në Kategorinë e Parë, ku objektivi mbetet i pandryshuar, ngjitja në Superiore.

Klubi ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se dita e sotme do të nisë me ceremoninë e prezantimit të stafit teknik dhe të skuadrës, një aktivitet ku janë ftuar të marrin pjesë tifozët, sportdashësit, përfaqësuesit e mediave dhe të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pranë ekipit në fillimin e këtij rrugëtimi të ri. Pogradeci ka nisur prej kohësh punën në prapaskenë për ndërtimin e skuadrës. Gjatë javëve të fundit janë përfolur disa afrime në merkato, të cilat pritet të zyrtarizohen pikërisht me nisjen e fazës përgatitore. Trajneri Emiljano Çela do të ketë mundësinë të nisë menjëherë punën me grupin që synon të rikthejë liqenorët në elitën e futbollit shqiptar. Ky konsiderohet si “sezoni i tretë i së vërtetës” për Pogradecin.
Në dy edicionet e fundit skuadra ishte shumë pranë realizimit të objektivit, por u ndal në fazën “play-off”, duke humbur mundësinë e promovimit në Superiore. Këtë herë, drejtuesit dhe tifozët shpresojnë që përpjekjet të kurorëzohen me sukses. Në njoftimin e klubit thuhet: “Më 10 korrik do të zhvillohet ceremonia e prezantimit të stafit teknik dhe të skuadrës në prag të sezonit të ri në Kategorinë e Parë. Ftojmë tifozët, sportdashësit, përfaqësuesit e mediave dhe të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e këtij momenti të rëndësishëm për klubin”. Pra, sot është dita për të zbuluar fytyrën e Pogradecit të sezonit 2025-2026, ku pritshmëritë mbeten të mëdha, pasi investimi ka qenë i konsiderueshëm në dy sezonet fundit.
BERDI GRECA
Ndërkohë, në prag të nisjes së sezonit të ri, Pogradeci ka regjistruar edhe një largim të rëndësishëm. Bedri Greca nuk do të jetë më pjesë e skuadrës. Sulmuesi i krahut të majtë ka konfirmuar ndarjen me klubin pas përfundimit të kontratës. “I uroj fat Pogradecit. Dhurova maksimumin tim dhe arritëm deri në finalen e ‘Play Off’-it, por për shumë arsye nuk ia dolëm ta ngjisnim ekipin në Superiore. Nga sot jam lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës”, shkroi 35-vjeçari në rrjetet sociale. Greca mbyll aventurën me liqenorët pas vetëm një sezoni, ku zhvilloi një edicion mjaft pozitiv. Në 25 ndeshje të kampionatit ai realizoi 8 gola dhe dhuroi 7 asistime, duke qenë një nga lojtarët më produktivë të skuadrës, pavarësisht moshës së tij. Tashmë mbetet për t’u parë se kush do të marrë vendin e tij në repartin ofensiv, teksa Pogradeci synon të ndërtojë një skuadër edhe më konkurruese për sezonin e ri.
PANORAMASPORT.AL













