TURI I FRANCËS 2026/ Tadej Pogaçar bën diferencën, rrëmben fanellën e verdhë
Është sërish Tadej Pogaçar ai që bën diferencën. Kampioni i botës fitoi etapën e gjashtë të Turit të Francës 2026, një itinerar prej 186 kilometrash nga Pau drejt Gavarnie-Gèdre.

Një provë force nga çiklisti slloven, i cili shkëlqeu në malore, duke dominuar ndaj rivalëve për të marrë edhe fanellën e verdhë të liderit të renditjes së përgjithshme. Etapa nisi me disa tentativa arratisjeje nga Victor Campenaerts, Huub Artz dhe Mads Pedersen, por pelotoni nuk lejoi krijimin e një diference të madhe dhe i neutralizoi ata rreth 100 kilometra para finishit. Më pas Ben O’Connor provoi një sulm të vetëm, por edhe ai u kap në ngjitjen e Col d’Aspin.
Në ngjitjen legjendare të Tourmalet, 43 kilometra nga mbërritja, Pogaçar ndërmori sulmin vendimtar. Fillimisht vetëm Isaac Del Toro arriti ta ndiqte, por fituesi në fuqi i Turit rriti ritmin dhe u shkëput edhe prej tij. Jonas Vingegard tentoi të mbante kontaktin, por nuk arriti t’i përgjigjej ritmit të sllovenit. Pogaçar bëri diferencën në zbritjen e Tourmalet, ku rriti ndjeshëm avantazhin, dhe e konsolidoi atë edhe në ngjitjen e fundit drejt Gavarnie-Gèdre. Ai kaloi vijën e finishit me më shumë se dy minuta e 40 sekonda përpara rivalit të tij kryesor, Vingegard. Pas tyre, Isaac Del Toro fitoi sprintin për vendin e tretë ndaj Remco Evenepoel, ndërsa grupi i ndjekësve mbërriti tre minuta pas fituesit.
Me këtë sukses, Pogaçar regjistroi fitoren e dytë personale në Turin e Francës 2026 dhe të tretën për skuadrën e Emirateve të Bashkuara Arabe në këtë edicion. Slloveni numëron tashmë 23 fitore etape në karrierën e tij në garën më prestigjioze çiklistike në botë, duke dhënë një tjetër sinjal të fortë se mbetet favoriti kryesor për triumfin përfundimtar. Sot do të jetë radha e etapës së shtatë, HagetmauBordeaux (175.1km), një garë e karakterit fushor që do të thërrasë në apel sprintierët.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













