Epilogu i pashlyeshëm i historisë së Sabah Bizit…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2015 | 20:38

Epilogu i pashlyeshëm i historisë së Sabah Bizit…

Bizi ne Austria 2-0Kapitulli IX Viti i frikshëm 1973 dhe Vllaznia 1974 …

Kur më 16 shtator 1973 nis kampionati i ri, lajmi i parë duhej të ishte mungesa te Vllaznia e portierit të një talenti të përmasave, siç ishte Paulin Ndoja. Po askush nuk guxon ta japë këtë lajm. E kishin përjashtuar nga futbolli pa bërë asgjë. Madje, duke bërë vetëm gjëra të bukura me ndeshjet e tij të pashlyeshme. Ky mund të ishte rasti i vetëm në historinë e futbollit botëror, kur një djali të ri 28-vjeçar i ndalohej të luante futbollin e tij të shkëlqyeshëm, sepse dikush nga fisi i tij nuk pat qenë pro regjimit në fuqi! Vllaznia e Sabah Bizit, ndonëse pa Paulin Ndojën tashmâ, e nis megjithatë me fitore: 1-0 Partizanit, duke shënuar eleganti Halil Puka, i cili sapo ka lënë Lokomotivën dhe plotëson 11-shin shkodran nën këtë pamje: Meta (Sukaj), Z.Basha, R.Rragami, Dedja, Duraj (L.Basha), Bizi, Lekaj, Ç.Ndoja, Hoxha, Puka, Zhega. Është një 11-sh ku 32-vjeçari Ramazan Rragami – një nga universalët më të plotë të futbollit shqiptar – shfaqet në rolin e tij të ri të qendërmbrojtësit të lirë. Vllaznia ka në skuadër plot 9 kampionë të vitit 1972 dhe gjithçka do ta realizojë si me një betim në heshtje. Bizi shënon me Shkëndinë në Javën 2 në Tiranë dhe mbas këtyre dy fitoreve të para, Vllaznia merr kryesimin e saj të fuqishëm që thuajse nuk do ta lëshonte më. Në plot 26 javë ajo nuk zbret nga kreu. Rast i vetëm deri më sot në historinë e Kampionateve të Shqipërisë! Kështu, radhazi do të kemi Vllaznia – Skënderbeu 2-0, Vllaznia – 17 Nëntori 1-0, Vllaznia – Besa 3-0, Naftëtari – Vllaznia 0-1, Vllaznia – Besëlidhja 3-1, Luftëtari – Vllaznia 2-3, Vllaznia Lokomotiva 2-1, Traktori – Vllaznia 0-2! Çka do të thotë asnjë humbje, vetëm 3 barazime dhe “Kampion i Dimrit”, ndonëse me vetëm 1 pikë mbi Partizanin. Sot, mbas gati 40 vjetëve, them se ajo ishte përsëri Vllaznia kulmore e treshes Rragami – Bizi – Zhega. Dhe 11-shi ishte gjithsesi në “duart” e Sabah Bizit, i cili si gjithnjë zotëronte tokën, përkufizonte hapësirën, drejtonte, bllokonte, niste sulme, gjuante, harmonizonte. E rrallë është se për herë të parë Ramazan Rragamin e ka disi larg, andej kah mbrojtja, por kapiteni i madh, edhe ai falë shumanshmërisë së tij, shpesh e linte rolin e tij të ri të “mbrojtësit të lirë” dhe atëherë skuadra shkodrane shfaqej më e sigurt se kurrë. Sidomos kur kujton se atje përtej, në skajin e sulmit, Medin Zhega veç bukurina krijonte. E nuk do të ishim të drejtë nëse këtë treshe magjike për historinë e futbollit tonë modest ta paraqesim si të vetmuar. Rreth saj ishin në mbrojtje i paharrueshmi Suat Duraj (më saktë Suat Adem Smajli), sot e kësaj dite ndoshta dëshmori i vetëm drejtpërdrejt i fushës së blertë. Mandej Menduh Dedja e Zyhdi Basha apo i padorë- zueshmi Hajro Lekaj, teksa sulmi fuqizohej tejet me Ismet Hoxhën (me Zhegën shënues të 19 golave (9+10) thuajse gjithnjë shpërthyes, në krah të të cilëve qenë Çesk Ndoja e Halil Puka. Mbas tyre vinte skalioni i dytë me në krye Lekë Koçobashin, të cilin e ndiqnin më të rinjtë Meta e Sukaj, Lugji e Axhani, Hakaj e S.Çanga, L.Basha e S.Basha, duke e rritur në tre numrin e Bashajve nën fanellën e kësaj Vllaznie 1974 të trajnerit punëshumë Xhevdet Shaqiri. Do të ishte e vështirë, tejet e vështirë periudha e dytë e këtij Kampionati për skuadrën shkodrane në fillimin e së cilës Partizani për pak sa nuk fiton në Shkodër, por shpëtimtari është Sabah Bizi me golin e tij dhe 1-1. Sensacioni ishte lënë për një javë më vonë kur Shkëndia fiton 1-0 në Shkodër me gol të një shkodrani: Fatmir Paçrami! E, për një çast, të dukej se këtu mund të merrte fund ëndrra shkodrane, teksa mbas një fitoreje në Korçë, ajo shkon e humbet 3-2 me 17 Nëntorin në Tiranë. Dy humbje, vetëm 1 fitore në tri ndeshje rresht! E megjithatë çudia e bujshme: Vllaznia nuk zbret nga vendi i parë. Kjo ishte trysnia e fuqishme psikologjike e Sabah Bizit me shokë ndaj më- tueses tjetër, Partizanit. Më 9 qershor 1974, Vllaznia shpallet Kampione për herë të dytë brenda tre vjetëve nën këtë pamje të renditjes:

1. VLLAZNIA 37 16 5 5 38-18
2.PARTIZANI 35 13 9 4 37-16
3. BESA 30 8 14 4 20-14
4. DINAMO 28 11 6 9 24-19
5. FLAMURTARI 28 9 10 7 24-25
6. SHKËNDIA 27 9 9 8 25-22
7. LABINOTI 24 7 10 9 21-20
8. SKËNDERBEU23 8 7 11 16-20
9. LOKOMOTIVA 23 7 9 10 16-22
10.TRAKTORI 23 6 11 9 20-32
11.NAFTËTARI 22 6 10 10 16-24
12.BESËLIDHJA 22 6 10 10 14-23
13.17 NËNTORI21 7 7 12 21-28
14.LUFTËTARI 21 5 11 10 13-2
Nuk mund të përshkruhet çasti i ceremonisë së titullit në stadiumin “Vojo Kushi” atë ditë të 9 qershorit 1974, teksa fiksohet dhe rasti i paprecedentë në vetë historinë e mbylljes së një kampionati nën regjim. Sekretari i parë i Komitetit të Partisë, Prokop Murra, dhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Bilal Parruca, shkojnë dhe përgëzojnë futbollistët kampionë, duke tejkaluar rreptësinë e çdo protokolli të asokohshëm. Ishte si një hipnotizim që vinte i pandalshëm prej një publiku që veç futbollin kishte… Izolimi i madh i futbollit të Bizit e shokëve të tij E prapë ajo do të mbeste Vllaznia e izolimit të madh. Ashtu si kampionia Dinamo një vit më parë, prapë nuk ka pjesëmarrje në Kupat e Europës. Nuk ka as Kombëtare në fushën e lojës. Çuditërisht ka stadiume të mbushura plot me spektatorë. Më e pakta gati nja pesë herë më shumë sesa sot! Rivalitetet tërheqëse, sidomos në vijën Shkodër – Tiranë – Kavajë – Vlorë – Elbasan – Korçë, ishte shndërruar gati në mit kulturor të çdo jave. Futbolli cilësor i Sabah Bizit dhe shokëve të tij ka qenë pa dyshim një vlerë e asaj pamjeje vërtet modeste të futbollit shqiptar, por dëfryese me peshë e mjedisit kulturor të një populli të tanë! Ka qenë periudha kur sapo kishte mbërritur Dinamo! Për tre vjet rresht 1975, 1976, 1977 është ajo Kampionia e plotpushtetshme e Shqipërisë falë një katërsheje Çeço – Zëri – Sh.Ballgjini – Pernaska, thuajse e papërmbajtshme, e drejtuar radhazi prej trajnerëve Sabri Peqini dhe Durim Shehu. Ndërkaq, Vllaznia e Sabah Bizit është nënkampione më 1975, e treta më 1976 dhe 1977. Siç shihet, gjithnjë protagoniste. Sabah Bizi është po aty, parësor dhe udhëheqës i një futbolli sfidues, elegant dhe solid. Ajo ishte periudha e një Shqipërie pa Kombëtare që do të ketë vetëm një episod kombëtaras. “Episodi” regjistrohet në ditën e 10 tetorit 1976, kur krejt papritmas në Tiranë vjen Kombëtarja e Algjerisë dhe 3-0 për Shqipërinë. Risia është se trajneri Loro Boriçi i jep shiritin e kapitenit të Kombëtares Sabah Bizit, nxënësit më të denjë të tij. Dhe ndodh që 48 orë para ndeshjes Shqipëria – Algjeria, kjo e fundit luan në Shkodër me Vllazninë. Fiton Vllaznia 3-0, duke qenë ky i vetmi rast në historinë e futbollit shqiptar që një skuadër klubi fiton ndaj Kombëtares së një shteti! Ky është një tjetër rekord i Sabah Bizit, i cili shpalos një interpretim të përsosur të tij. “Në radhë të parë, – shkruan gazetari Namik Mehmeti në “Sporti popullor”, – u pëlqye sulmi, ku u shqua Bizi për rendiment e pjekuri taktike. Megjithëse këtë radhë luajti si sulmues i avancuar, nuk priti që të punonin të tjerët për të, por u bë një organizator i aftë, duke e lidhur mirë mesin e fushës me sulmin dhe duke marrë pjesë ai vetë në përfundimin me sukses të mjaft aksioneve. Veprimet e tij sa të bukura, aq dhe të larmishme i dhanë lojës së Vllaznisë faza tërheqëse dhe spektatorëve kënaqësi për t’i ndjekur…”. Ky ishte Sabah Bizi edhe i kësaj ndeshjeje – autor i golit të parë dhe ndërtues i pagabueshëm i dy golave të tjerë të Pukës dhe Hoxhës, pa menduar askush se në moshën 28- vjeçare ai do ta mbyllte me Kombëtaren. Për fat, me kujtimin e fundit të pashlyeshëm si kapiten i saj dhe fitimtar i thellë. Madje, në tërësi, fitues dy herë po 3-0 brenda vetëm 48 orëve. Asnjë skuadër perëndimore nuk e shkel Shqipërinë! Vetëm Kupa e Ballkanit me klubet dhe dy-tri pjesëmarrje në Kampionatin Ballkanik të “Shpresave”, të rënë tejet nga rëndë- sia e cilësia bashkë. Sundon Kina Popullore! Vetëm në periudhën 1973-1978, Shqipëria ka zhvilluar plot 45 ndeshje me skuadra krejt të rëndomta të Kinës, futbolli i së cilës ishte në krizë të plotë. Këto skuadra janë të një larmie për studim sa në emërtim aq dhe në përmbajtje. Gjimnazistët e Kinës, Ushtria e Kinës, Kirini, Liaonini, Kuantuni, Shangaj, Kina B, “1 Gushti”… Në to vështirë të shkrihej futbolli europian i Sabah Bizit… Vllaznia 1978 – kampionia e përtërirë… Duhej ndërprerë sundimi dinamas. E merr përsipër këtë edhe një herë Vllaznia e Sabah Bizit, por edhe Ramazan Rragamit e Din Zhegës me shokë, ajo që qysh nga viti 1971- 1972 shqetësonte me fitoret dhe futbollin e saj kryeqytetin sundimtar të gati 30 vjetëve. Më 18 shtator 1977, nis Kampionati i ri. Një nisje spektakolare. Është Vllaznia – Dinamo 3-0! Dhe në këtë 3-0 të Dinamos, “rifinitori” i të tre golave elektrizues të F.Rragamit (2) dhe Zhegës është vetëm ai, Sabah Bizi. E paparashikueshme për tri herë kampionët radhazi të Dinamos, në 11-shin e së cilës ishin plot 10 lojtarë të fanellës së Kombëtares. Ajo do të ishte një Vllazni tejet e ndryshuar tashmâ. Kapiteni Ramazan Rragami është larguar nga fusha e blertë dhe i është vënë në krah trajnerit Xhevdet Shaqiri, duke nisur karrierën e tij të drejtimit teknik. 11-shi i fitores së parë ndaj Dinamos kampione ka këtë pamje gati të re: Boshnjaku, L.Basha, M.Vaso (Gurori), E.Hafizi, Duraj, F.Rragami, A.Hafizi, Borshi, Vukatana, Bizi, Zhega. Sabah Bizi shfaqet ndërkaq, përmes një befasie të tij, teksa luan jo në rolin e tij klasik të mesfushorit organizator, por në atë të qendërsulmuesit të përparmë. Ky ishte universalizmi i tij që edhe kështu shfaqej tejet i pasur. E kishte nisur sulmues i krahut. E kishte vazhduar qendërsulmues sulmues. Kishte sunduar në futbollin shqiptar për vite të tëra si mesfushor universal, mandej si organizator i mbrojtjes dhe i sulmit. Po i kthehej qendërsulmuesit dhe për të pasur një mbyllje të jashtëzakonshme, do ta përfundonte këtë kampionat si qendërmbrojtës i lirë, duke i vënë një vulë tjetër pikërisht këtij universalizmi të pashtershëm të tij. Asnjë futbollist deri më sot në historinë e futbollit shqiptar si Sabah Bizi nuk ka luajtur në ndeshje të tëra të Kampionateve të Shqipërisë në katër role krejt të ndryshme: mbrojtje, mesfushë, sulm. Ai nuk luajti vetëm portierin. Shtatë ditë më vonë, Vllaznia shkon në Tiranë dhe 1-0 Partizanit! Protagonisti dihej. Është qendërsulmuesi Bizi. Madje, në një episod të rrallë. Dëmtohet Duraj dhe trajneri Shaqiri kthen në qendër të mbrojtjes qendërsulmuesin Bizi! Ja si e përshkruan këtë episod në “Sporti popullor” gazetari i shquar, Prokop Koreta: “Bizi zë vend në mesin e mbrojtjes, vendos qetësi e besim me ndërhyrjet e tij efikase dhe teknike. Dhe sa herë që merr topin nuk harron “profesionin” e parë, atë të sulmuesit. Kështu, loja e tij dhe ajo e Zhegës (ku disa veprime vlejnë për t’u përfshirë në manualin tekniko-taktik të futbollit tonë), qenë pjesa më tërheqëse e kësaj ndeshjeje. Me të drejtë, spektatorët i përshëndetën gjatë në fund.”… Ishte një ndeshje për antologjinë e futbollit para plot 20.000 shikuesve! Dhe, mbas një jave, 2 tetor 1977, është spektakli tjetër bizian: Vllaznia – 17 Nëntori 3-2 (E.Hafizi, A.Hafizi (2), Dibra (2)). Dhe 3-0 qysh në pjesën e parë! Nuk ka ndodhur asnjëherë deri më sot si Vllaznia e Sabah Bizit dhe e Din Zhegës, e cila brenda 14 ditëve në tri ditë kampionat të shkatërronte asisoj kryeqytetin Partizan-Dinamo-17 Nëntor me tri fitore të bujshme. Me këto tri fitore, në të vërtetë Vllaznia po “rrëmbente” titullin para kohe. Nga 22 javë, skuadra shkodrane do të kryesonte në plot 18 prej tyre. Kishte mënjanuar tre kryeqytetasit e mëdhenj, po krejt papritmas asaj do t’i shfaqej një rival i paparashikueshëm: Luftëtari i Gjirokastrës së Sefedin Brahos. Madje, deri në 90 minutat e fundit, ditë kur gjirokastritët do t’i dorëzoheshin 4-3 Tomorit në Berat, ndërsa Vllaznia do të fitojë 2-1 në Lushnjë me Traktorin. Ky do të ishte rasti i parë kur titulli Kampion i Shqipërisë do të përcaktohej në dy duele të paharrueshëm në vijën prej vetëm 37 kilometrash Berat – Lushnjë, një relief i vërtetë futbolli, sot çuditërisht i rrafshuar!… Ka qenë 7 maj 1978. Ditë e gabimit fatal të Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila e lë 30 minuta përpara ndeshjen Tomori – Luftëtari, çka 30 minuta më vonë, kavalerizmi lushnjar sikur nuk do që ta “prishë” titullin e Vllaznisë, e cila nga 0-1 kalon në 2-1 me gola të A.Hafizit dhe Zhegës. Luftëtari është nënkampion për herë të parë. Renditja ishte kjo:

1. VLLAZNIA 29 10 9 3 32-19
2. LUFTËTARI 26 10 6 6 26-22
3. PARTIZANI 25 11 3 8 30-22
4. DINAMO 24 8 8 6 24-20
5. FLAMURTARI 23 7 9 6 25-20
6. 17 NËNTORI 21 7 7 8 21-20
7. TOMORI 21 7 7 8 24-29
8. SHKËNDIA 21 6 9 7 18-23
9. TRAKTORI 19 6 7 9 22-28
10.LOKOMOTIVA 13 4 11 7 15-24
11.SKËNDERBEU 18 6 6 10 16-19
12.LABINOTI 18 6 6 10 12-19

“Mjeshtri Sabah Bizi 30-vjeçar, – shkrova në “Bashkimi” , – duke u treguar edhe një herë si një futbollist i shumanshëm, i mprehtë, energjik, teknik e i shpejtë, luajti një rol të rëndë- sishëm për ta çuar Vllazninë në fitoren e këndshme”. Ndërkaq, mbas përfundimit të kampionatit, përmes redaksisë së “Bashkimit”, organizova me gazetarë anketën për të përcaktuar 11-shin e kampionatit. Ishte një risi absolute në historinë e shtypit shqiptar që një gazetë organizonte një votim kësisoj vetëm me gazetarë. Sot, për dokumentim historik gazetarie, me respekt po përmend emrat e të gjithë gazetarëve që morën pjesë: Petrit Çani, Ismet Bellova, Petrit Ajdini, Ahmet Shqarri, Vladimir Grillo, Nexhat Gjuzi, Demokrat Anastasi, Skifter Këlliçi, Namik Mehmeti, Ymer Striniqi, Frederik Fico, Maqo Prodani, Vlash Pambuku, Bujar Qesja. Dhe fitoi ky 11-sh: Kaçi, K.Hysi, Gurma, Bizi, Berisha, Zëri, A.Hafizi, Liçaj, Braho, Zhega, Sh.Ballgjini. Ishin tre futbollistë të Kampiones Vllaznia: Bizi, A.Hafizi, Zhega. Befasia e madhe është se Sabah Bizi fiton si mbrojtës i lirë. Ishte edhe kjo risi befasuese e titullit të Vllaznisë. Po, ndërkaq, ndeshjet e Din Zhegës dhe të Astrit Hafizit kanë qenë një elegancë e tërë, përveçse të dy së bashku ata kishin shënuar 17 gola (9 + 8) fitoresh flakëruese. E mandej risia e risive: Vllaznia e kishte fituar titullin me plot 8 lojtarë të rinj: Sukaj 22 vjeç, F.Rragami 20 vjeç, Arra 20 vjeç, Gruda 21 vjeç, Borshi 20 vjeç, Boshnjaku 19 vjeç, Vukatana 18 vjeç! Prej të cilëve, katërshja 18-20-vjeçare Borshi – F.Rragami – Vukatana – me virtuozin e pafat Ardian Arra ishte zbulimi spektakolar i këtij kampionati. Prej vitesh, futbolli shqiptar nuk kishte parë që katër djem të rinj të shfaqen kësisoj njëherësh kampionë në stilin e futbollit universal. Të katërt ishin në stilin e shkollës së Sabah Bizit. Ky i vitit 1978 ka qenë titulli i fundit i Sabah Bizit dhe Din Zhegës, por jo fundi. Prej këtij titulli të tij të tretë brenda 6 vjetëve midis kësaj Vllaznie të përtërirë, dyshja Bizi – Zhega, legjendare për Shkodrën, do të shkëlqente përmes një perle tjetër, tash ndërkombëtare. Kjo po do të ishte e fundit për ta… … Çizolimi bizian në 2-0 Austrisë së Vjenës Na duhet ta pranojmë se kjo është ngjarja më e madhe e krejt viteve ’70 për futbollin shqiptar. Sa sportive po aq dhe gjeopolitike. Sepse çan perden e një izolimi 6-7-vjeçar me një ndeshje të bujshme europiane. Sepse vërteton pandalshmërinë e talenteve të fuqishëm të futbollit shqiptar, edhe pse ky, pa peshë në Europë për shkak të nja njëqind arsyeve… Ishin metodat e revolucionit kulturor kinez, terrori, burgjet, internimet, jeta e vështirë e popullit deri në pamëshirë, që përmblidhnin një Shqipëri të braktisur nga Europa, ndërkohë që mbrenda saj ditirambet për Partinë e Punës dhe udhëheqësin e saj nuk rreshtnin. Kujtoj që në krye të tribunës së stadiumit “Vojo Kushi” të Shkodrës (sot “Loro Boriçi”) qëndronte fotografia gjigante e Enver Hoxhës, krejt e papërshtatshme me vetë etikën e një ndeshjeje të Kupës së Europës. Interesantja ishte ndërkaq, se dy të mëdhenjtë e skuadrës së shquar të Shkodrës, Sabah Bizi e Medin Zhega, ishin afërsisht në fund të karrierës, 30 dhe 32 vjeç! E pra do të shkëlqenin në këtë ndeshje për Kupën e Kampioneve, ndoshta më e paharrueshmja e tyre mbas asaj të 11 vjetëve më parë, 0-0 me Gjermaninë më 1967! Partia ndërkaq, e kishte këtë edhe ajo ngjarjen e saj. E kishte izoluar vendin edhe futbollistikisht për 6 vjet të tana, e me sa duket, ia kishte ënda që të bënte diçka. Gjatë verës, në Shkodër vjen për një vizitë private sekretari i Komitetit Qendror të Partisë, Ramiz Alia, i cili mbulonte ideologjinë, pra dhe kulturën e sportet. Ai bën një takim me trajnerin Xhevdet Shaqiri, madje siç më ka treguar trajneri i paharrueshëm, Alia, i cili e njihte jo keq futbollin, kërkoi deri dhe imtësi teknike për ndeshjen, duke mos ngurruar të japë edhe ndonjë mendim deri në vendosje të lojtarëve në fushë, e posaçërisht për Bizin, të cilin e donte në mesin e fushës! Siç e kam treguar, për stinën 1971-’72 Vllaznia e Shkodrës duhej të kishte luajtur sipas shortit, pikërisht me një skuadër austriake, Rapid të Vjenës për Kupën UEFA, tërhequr nga Regjimi. Dhe mbas 7 vjetëve shorti kapricioz ia ruan me besnikëri një klub po austriak, kësaj radhe Austria e Vjenës! Është kampionia e famshme e Mitteleuropa-s (Europës Qendrore), Austrisë, e cila në Kampionatin Botëror përfunduar vetëm dy muaj më parë, kishte zënë vendin e 7-të në botë, duke pasur në përbërje 6 lojtarë të kësaj kampioneje me emrin Austria. Ishin Baumgartner, R.Sara, Obermayer, Baumeister, Prohaska dhe Schachner. Në fushën e stadiumit “Vojo Kushi” të Shkodrës kishte zbritur thuajse Kombëtarja e Austrisë, e cila kishte lënë në kujtimin e Botërorëve edhe fitoren historike 3-2 kundër Gjermanisë! Është 13 shtator 1978. Një ndeshje, e cila parafillon me habinë e parë të madhe për skuadrën mike. Lojtarët e Vllaznisë i ftojnë ato austriakë për një fotografi të përbashkët para shkelmimit të topit – krejtësisht jashtë protokollit të ndeshjeve të Kupave të Europës! Ata me hezitim dhe të stepur megjithatë pranojnë… Dhe mandej Vllaznia-Austria 2-0! Nuk duhet harruar se Vllaznia u përforcua me tre futbollistë të tjerë të mëdhenj të kohës, portierin e pazëvendësueshëm Jani Kaçi të Skënderbeut, qendërmbrojtësin numër 1 të Shqipërisë së kohës, Safet Berisha të Partizanit, dhe sulmuesin e papërmbajtshëm Shyqyri Ballgjini të Dinamos, të cilët plotësuan një Vllazni përtej historisë, “rrëmbime” këto që futbolli shqiptar i kishte mënyrë “origjinale” përfaqësimi. Sot të duket sikur kemi qenë ne pararendës për UEFA-n, e cila tashmâ i ka ligjëruar këto lloj marrjeje të përkohshme lojtarësh për ndeshjet e Kupave të Europës. Jam kthyer vonë nga Shkodra atë mbrëmje të 13 shtatorit 1978. Kam propozuar që shkrimi të fillonte nga faqja e parë e “Bashkimit”, çka ishte një kapërcim kompetencash edhe për kryeredaktorin Hamit Boriçi, përveç të tjerave profesor i shquar i gazetarisë, i cili me dituritë dhe stilin e tij guxonte të kalonte caqet e sistemit të ngushtuar të mjedisit shqiptar të kohës. Ai vendosi. E dinim se fitorja ia kishte marrë mendtë disi edhe vetë Partisë. Shkrimi u vendos dukshëm në “taglio”-n e faqes së parë. Suksesi te publiku ka qenë i papërshkrueshëm… Dy javë më vonë, më 27 shtator 1978, Vllaznia u mund 4-1 në Vjenë dhe në tanësi eliminohet për vetëm 1 gol (4-3). Televizioni Shqiptar çoi kameramanin e tij, të mirënjohurin Astrit Omeri, i cili i vetëm me aftësi të larta profesionale e regjistroi të gjithë ndeshjen. Kam pas fatin ta shoh ndeshjen e dhënë për zëvendëskryeministrin Manush Myftiu dhe një grup gazetarësh në studion e TVSH dhe nuk qe kaq tragjike. Po ndeshja nuk u transmetua për publikun. E pabesueshme, por e vërtetë! Sidoqoftë, fitorja 2-0 e Shkodrës mbas një ndalimi të futbollit ndërkombëtar prej 6-7 vjetësh për Shqipërinë, përbënte një ndeshje të madhe, të paharrueshme, model, madje një brilant të historisë së futbollit shqiptar. Gola spektakolarë të Ballgjinit dhe Zhegës, një 11-sh vërtet i rrallë. Kaçi, Berisha, Sh. Ballgjini, të cilët, të shkrirë me Zyhdi Bashën, Seit Çangën, Suat Durajn e paharrueshëm, Luan Vukatanën – vetëm 19 vjeç, Astrit Hafizin, Sabah Bizin, Fatmir Axhanin – zbulim i bukur i kësaj ndeshjeje, Medin Zhegën – futbollistin tonë të madh po aq të pashlyeshëm dhe të paharrueshëm, të cilët paraqitën një bukuri të tanë shqiptare në Europë mbas një izolimi të paprecedentë gjashtëvjeçar. Shkruaja në “Bashkimi”: “…E Bizi si në vitet e tij më të mira, plot freski lëvizjeje e teknikë pasimi, me një roveshatë emocionuese nis Zhegën, ky Axhanin, i cili krejt i vetëm i detyron Baumgartnerit një pritje të përsosur. Veç nuk ka shumë kohë të ndiejë kënaqësinë e saj. Se vjen minuta e 16-të me kombinacionin e rrufeshëm Zhega-Bizi. Gjuajtja e Sabahut nga 20 metra larg vulos shtyllën e portës së “Austria”-s në një goditje që në stadiumin ‘Vojo Kushi’ do të kujtohet gjithnjë”. “…Në pjesën e dytë pas kombinacioneve të shpejta, të nisura që nga Basha, Berisha, Duraj e Çanga, të përpunuara me inteligjencë nga Bizi, vazhdojnë gjuajtjet…”. “…Minuta e 57-të. E nis sulmin Bizi, e vazhdon Zhega me koleksionin e finteve të tij dhe, ashtu siç i shërbeu Ballgjinit për golin e parë, tamam kështu i shërben tani kapiteni sulmuesit tonë energjik….”. “… Stadiumi ‘Vojo Kushi’ gradualisht bie në qetësi. Vllaznia me kapitenin 33-vjeçar Zhega, me Bizin e gjithanshëm, me Kaçin më të përpiktë se asnjëherë, me Bashën luftarak, me Çangën, Durajn, A. Hafizin, Vukatanën, Axhanin e me Ballgjinin, shpërthyes e golashënues, e lë fushën e lojës nën duartrokitjen entuziaste të spektatorëve”… Në të vërtetë një patetikë që vetvetiu sikur pasqyron një shfrim ndjenjash të ndrydhura… “Keni sportistë të mrekullueshëm”, thotë i deleguari i UEFA-s. “Skuadra e Shkodrës ishte shumë e mirë, – thotë trajneri austriak Shtesl, – dhe në të gjitha pikat e formacionit ka qenë më e mirë se ne. Ajo më la një përshtypje të shkëlqyer teknike, taktike e fizike në këtë ndeshje të nivelit të vërtetë ndërkombëtar”. “Kundërshtari im Bizi, – thotë Prohaska, – ishte shumë i mirë, por e gjithë skuadra shqiptare ishte e përgatitur dhe ajo ka një futboll teknik, me lëvizshmëri, moderne”. Ndërsa gjithashtu i shqetësuar për rezultatin, shton: “Vllaznia ka luajtur mjaft mirë, – pohon kapiteni R. Sara, – dhe rezultati 2-0 i përgjigjet lojës së saj teknike e të fortë”. Kjo ishte historia “epike” e çizolimit bizian në 2-0 Austrisë së Vjenës. Epilogu… Këtu merr fund “libri” ynë për historinë tejet të pasur të Mjeshtrit të Madh, Sabah Bizi. Ndonëse Sabah Bizi në rolin e qendërmbrojtësit të lirë, më e pakta do të fitonte edhe dy trofe të tjerë me Vllazninë e tij. Janë dy Kupa të Shqipërisë më 1979 dhe 1981. Fiton Shqipërinë, por në të dy rastet humb Europën për shkak të mospranimit për t’u matur me Dinamon e Moskës dhe dënimit të mëpasmë të UEFA-s së pamëshirshme. Sabah Bizi largohet nga futbolli i fushës së blertë më 14 shkurt 1982 mbas 18 vjetëve pa asnjë ndërprerje, nga 17 vjeç deri në 34 vjeç, duke mbetur protagonist i pambërritshëm prej askujt në futbollin e tij. Nuk zmadhoj asgjë. Në ditën e ceremonisë së tij në “Bashkimin” “tim”, shkrova: “Në qoftë se do të flasim për Vllazninë e viteve ’70, vetvetiu do të ndalim te tre emra: Rragami, Zhega, Bizi. Kanë lindur në interval dyvjeçar larg njeri-tjetrit. Rragami më 1944, Zhega më 1946, Bizi më 1948. Dhe kanë hyrë në skenën e madhe të futbollit gjithashtu në interval 2-vjeçar larg njeri-tjetrit. Rragami më 1961, Zhega më 1963, Bizi më 1965. Dhe secili qe kapiten i Vllaznisë e pjesëtar i denjë i Kombëtares së Shqipërisë, teksa u bënë mjeshtra të merituar të futbollit tonë. Midis kësaj tresheje njeri, Sabah Bizi ishte më i privilegjuar se dy shokët e tij, sepse më 1965 ky 17-vjeçar do të ishte pjesëtar kryesor i Vllaznisë – fituese e Kupës së Republikës. Një fillim me fitore për të. Dhe dy vjet më vonë, më 1967, 19-vjeçari Sabah Bizi do të vishte fanellën e përfaqësueses, e pak muaj më mbas, më 17 dhjetor 1967, ai do të ishte qendra e mesit të fushës i ekipit tonë kombëtar në atë 0-0 të paharrueshëm me skuadrën e RFGJ – nënkampione botërore. E prapë Bizi më i privilegjuar: 20 vjeç ai fiton titullin e Mjeshtrit të Sportit, duke qenë kështu mjeshtri më i ri në historinë e futbollit tonë…”. E sot do të shtoja një harresë të madhe ndaj tij, të veçantën e të veçantave. Më 1966, 18 vjeç djalë, ai fiton në anketën më të famshme të sportit shqiptar, atë të gazetës së vetme sportive, “Sportit popullor” të “Pesë sportistëve më të mirë”! Edhe ky rasti i vetëm i një futbollisti kaq të ri në një përzgjedhje që asokohe në Shqipëri konsiderohej arritje e jashtëzakonshme. Ky është Sabah Bizi. Sabah Bizi, sot është një ish-futbollist i madh, një qytetar i zakonshëm i Shqipërisë, edhe pse tejet i respektuar, një mësues në pension, një trajner “i panjohur” i futbollit. Dhe i cili mbasi ia mësoi qysh pesë vjeç futbollin të birit, virtuozit “të vogël” Brikeno Bizi, i cili luajti për bukuri edhe ai nja nëntë kampionate të Shqipërisë, për pak kohë së bashku me të, stërviti fëmijët e Shkodrës. Sabah Bizi sot është një “i dikurshëm”, një model unik i futur në arkiv, një qytetar që si të gjithë ne lufton për ditë me jetën, doemos edhe në vështirësitë e zakonshme të qytetarit të mesëm. Ngado që ta marrësh, shumë mirë kështu. Në 18 vjet rresht, ai luajti e u stërvit në baltë, diell, shi, akull e pluhur dhe i mbushi stadiumet e Shqipërisë jo me 1200 spektatorë sa sot, por me 10.000, 15.000 e 20.000. Kësisoj, ai është nderi i Shkodrës dhe i Shqipërisë sportive, nderi i qytetarëve të qytetit e Atdheut të tij që si shumë bashkëshokë të tij, i fali rininë e tij, duke marrë natyrisht gëzime e kënaqësi popullore të pafundme. Sabah Bizi është një majë e lartë, ndër më të lartat. Është një shkollë futbolli, ndonëse tash disi imagjinare, në kuptimin se duhet ta marrësh me mend se çka ka qenë. Ai është një histori e rrallë për këtë vend që, për fat, nuk ka dhe aq shumë histori të pashlyeshme kësisoj. Duhet të kthehemi në kohë për të kuptuar se në tri dekadat e Sabah Bizit, që u përkasin viteve ’60, ’70, ’80, në Shqipëri thuajse ka pasur vetëm një spektakël të rregullt mesatarisht në 40 javë në vit. Ky ka qenë spektakli i futbollit. Nuk ishte pra si sot. Me një ndeshje, shpirtërisht ti jetoje një javë pa ndërprerje, sepse nuk kishte diçka tjetër më të veçantë që të të emociononte. Me futbollin e Sabah Bizit ti përshkoheshe në gati gjithë vitin, duke harruar për disa çaste varfërinë, shtypjen, jetën e vështirë, mungesën e lirisë. E pra, cili duhet të jetë sot Sabah Bizi dhe jo vetëm ai, siç kam pyetur edhe një herë tjetër? Moralisht dhe materialisht Sabah Bizi duhet të jetë në krye të vendit me gjithçka që Shqipëria, duke të nderuar kësisoj, e ka për detyrë atdhetare. Atje lart, në Angli atyre u japin titullin “Sër”, prej të cilit vijnë një tufë favoresh e përfitimesh. Këtu afër, në Greqi kampionët e saj të mëdhenj, madje edhe ata që i janë rrëmbyer Shqipërisë, i bëjnë kolonelë të Ushtrisë për t’i shpërblyer gjithë jetën. Për fat të keq, sporti dhe josporti shqiptar ka zyrtarë që kryesisht mendojnë vetëm për vete. Jo për Sabah Bizin e shokët e tij. Paç përherë forcë, shëndet, gëzime e jetë të gjatë, Sabah Bizi! ” FUND

Për vazhdimësi shihni Kapitujt I, II, III, IV, V, VI, VII, VIII në “Panorama Sport” 20, 30 korrik, 4, 10, 16, 27 gusht, 3, 19 shtator 2015.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"