Eksporti i lojtarëve, nga viti 2021 rritje 700%. Superiorja fiton 2.77 milionë dollarë nga vera
Të dhënat e fundit për transferimet e lojtarëve hedhin dritë mbi një periudhë transformimi të ndjeshëm në futbollin shqiptar. Analiza e shifrave tregon jo vetëm një rritje të ndjeshme të të ardhurave, por edhe një strategji të re dhe më të kujdesshme nga klubet, që po orientohen drejt një modeli më të qëndrueshëm financiar.

EKSPORTI I LOJTARËVE – Një nga tendencat më të qarta që del nga të dhënat është rritja e jashtëzakonshme e fitimeve nga shitja e lojtarëve. Kjo shkon nga 339,000 dollarë në vitin 2021, një shifër relativisht modeste, në një kulm të parashikuar prej 2.77 milionë dollarësh në vitin 2025.
Ky rritje prej më shumë se 700% në vetëm katër vjet është dëshmi e faktit se klubet shqiptare po bëhen gjithnjë e më shumë “fabrika” transferimesh. Kjo tregon një ndryshim themelor nga një model i bazuar tek investimet e pronarëve, drejt një modeli që gjeneron të ardhura nga tregu. Kjo strategji, nëse vazhdon, mund të sigurojë një stabilitet financiar afatgjatë, duke zvogëluar varësinë nga individë të caktuar.
UKRAINA ËSHTË ELDORADO – Në këtë panoramë, Ukraina shfaqet si destinacioni kryesor i lojtarëve nga Shqipëria. Me një investim prej 1.17 milionë dollarësh, Ukraina ka treguar jë interes të madh për lojtarët shqiptarë, duke i parë ata si përforcime të vlefshme.
Ky bashkëpunim mund të hapë rrugë të reja për lojtarët e rinj shqiptarë, duke u ofruar atyre mundësinë për t’u zhvilluar në një kampionat më të fortë. Ky fluks i ardhurash nga eksporti i lojtarëve sugjeron që klubet po investojnë me sukses në lojtarë apo edhe akademitë e tyre, duke prodhuar lojtarë, të cilët mund të shiten me çmime të larta.
BLERJET E LOJTARËVE – Nga 2021 deri në 2024, klubet shqiptare nuk kanë shpenzuar asgjë për blerje kartonësh. Vetëm në 2025 shihet një hap i parë në këtë drejtim, me 485 mijë dollarë të shpenzuar. Kjo dëshmon se klubet shqiptare kanë funksionuar kryesisht si “shitës” lojtarësh, duke prodhuar të ardhura pa bërë investime në blerje. Vetëm së fundmi, duket se po nis një prirje e re drejt forcimit të skuadrave edhe me blerje konkrete.
Bilanci – Futbolli shqiptar po tregon shenja të qarta zhvillimi në tregun e merkatos, duke u shndërruar në një burim të rëndësishëm fitimesh për klubet vendase. Në pesë vitet e fundit, të ardhurat nga shitjet e lojtarëve kanë kaluar shifrën e 6.8 milionë dollarëve, me një rritje të ndjeshme sidomos në dy sezonet e fundit.
Nëse në vitin 2021 klubet shqiptare arkëtuan vetëm 339 mijë dollarë, dhe në 2022 shifra shkoi në 805 mijë, një vit më vonë, në 2023, pati një rënie në 465 mijë dollarë. Por gjithçka ndryshoi në 2024, ku klubet shqiptare siguruan plot 2.47 milionë dollarë, ndërsa në 2025 është thyer edhe ky rekord me 2.77 milionë dollarë të ardhura. Ky trend e konfirmon qartë se lojtarët shqiptarë po shiten gjithnjë e më shumë dhe po fitojnë vlerë në tregun ndërkombëtar.

PANORAMASPORT.AL













