Eksperienca pozitive/ Me islandezët, shkodranët e Vllaznisë kanë fatin me vete
Për Vllazninë përballja dyshe me Vikingur në kuadër të turit të dytë të “Conference League”, do të jetë e treta në histori përballë një ekipi islandez për kuqeblutë. Në dyja eksperiencat e mëparshme, shkodranët kanë një kualifikim dhe eliminim ndaj skuadrave ishullore të Islandës.

Dueli i parë me një ekip islandez për Vllazninë shënohet në sezonin 2001- 2002. Në atë periudhë, shkodranët luanin në turin e parë të Champions League ndaj Rejkjavik. Kuqeblutë kalonin ndaj ishullorëve falë një fitoreje 1-0 në Shqipëri dhe një disfate 2-1 në transfertë, ku falë rregullit të golit në fushën kundërshtare, do të kalonin në turin e dytë ku më pas do të ndesheshin me Gallatasaraj. Përballja e dytë me një ekip islandez për Vllazninë shënohet në sezonin 2024-‘25.
Kundër Valur, shkodranët do të eliminoheshin, ku pavarësisht barazimit 2-2 në Islandë, do të vinte një humbje e thellë 0-4 në ndeshjen e kthimit në Shkodër. Disfatë që do të sillte eliminimin e kuqebluve që në turin e parë të Conference League.
Tashmë dueli ndaj Vikingur do të jetë i treti ndaj një skuadre islandeze. Dhe në fund të 180 minutave apo më tepër do të shihet nëse 9 herë kampionët e vendit tonë do të kenë shifrat pozitive apo negative ndaj ekipeve që vijnë nga ishulli më verior i kontinentit të vjetër.
PANORAMASPORT.AL













