Eksod masiv në Vlorë, largohen 10 futbollistë nga ekipi, prenotohet Ditmar Bici
Eksod masiv te Flamurtari. Tetë futbollistë mund të quhen zyrtarisht të larguar, por sot pritet të ketë edhe të tjerë që do t’i thonë lamtumirë skuadrës vlonjate. Gledi Mici, Gëzim Krasniqi, Dagllas Mendez, Agim Meto, Gilberto Fortunato, Halim Begaj, Lejdi Liçaj dhe Artan Sakaj nuk do të jenë më pjesë e ekipit kuqezi, ndërsa në dyshim të madh duket edhe Gilman Lika. Burime të sigurta të “Panorama Sport” treguan dje se drejtuesit kanë telefonuar lojtarët dy ditë më parë dhe u kanë bërë të ditur se janë jashtë planeve të tyre për pjesën e mbetur të sezonit. I kontaktuar dje nga gazeta, shkodrani Lika mohoi të ketë prishur kontratën me kuqezinjtë, mirëpo burime në klub konfirmojnë se mesfushorit i është bërë e ditur që nuk bën më pjesë në planet e klubit. Çështja e shkodranit pritet të zgjidhet sot, ndërsa klubi është i vendosur që të lërë të lirë brazilianin Gilberto vetëm nëse ky i fundit shlyen detyrimet. Në dy ditët e fundit të vitit 2014, braziliani tjetër, Dagllas Mendez, prishi kontratën me mirëkuptim, ashtu siç veproi edhe Gledi Mici e Gëzim Krasniqi. Ajo që bie në sy nga largimet është fakti se më shumë është prekur reparti i mbrojtjes, teksa kanë mbetur vetëm Polizoi Arbri e Franc Veliu. Në një dyshim të fortë duket se është edhe e ardhmja e Gjergji Muzakës. Gjasat janë që edhe mesfushori të largohet, por çdo gjë do të qartësohet para nisjes në Turqi.
Bici & CO Ish-mbrojtësi i Skënderbeut, Dinamos dhe Tiranës, Ditmar Bici, ka marrë një superofertë nga klubi i Flamurtarit. Aktualisht lezhjani bën pjesë te skuadra iraniane, Traktor Sazi, por duket se oferta e madhe e vlonjatëve e ka joshur së tepërmi. Këtë Bici e konfirmon ekskluzivisht për gazetën. “Po, është e vërtetë që kam marrë një ofertë shumë të mirë nga Flamurtari. Jemi ende në bisedime për disa detaje të vogla të kontratës. Problemi i vetëm është zgjidhja e kontratës që kam me klubin e Traktor Sazit, ku bëj pjesë që prej fillimit të këtij sezoni. Për momentin nuk mund të firmos me asnjë skuadër tjetër pa zgjidhur më parë marrëveshjen me drejtuesit e ekipit iranian”, deklaroi Bici. Ndërkohë, përveç lezhjanit, drejtuesit e Flamurtarit janë duke negociuar për të mbyllur marrëveshjen edhe me mbrojtësin kosovar, Avni Pepa, i cili luan në kampionatin norvegjez. “Do të jenë 6 afrime, por ende nuk mund t’i bëjmë publikë emrat e lojtarëve. Këtyre afrimeve pritet t’i shtohen edhe 9 të rinj nga akademia”, konfirmoi dje administratori i klubit, Sinan Idrizi. Mësohet se klubi po bisedon edhe me një mbrojtës maqedonas, ndërsa mes 6 lojtarëve që do të afrohen, një prej tyre është kolumbian. Nga ana tjetër, të rinjtë që do të përzgjidhen nga trajneri Ernestino Ramela janë: Fjoralb Deliaj, Shahin Aliaj, Aldo Llambro, Jurgen Sino, Julian Gjinaj dhe Denis Duda, ndërsa priten edhe tre të tjerë. Këta të fundit do të kryejnë fazën përgatitore me Flamurtarin, duke u konsideruar si pjesë e ekipit të parë.
Axhenda Ekipi i Flamurtarit do të niset sot në drejtim të Antalias, ku do të zhvillojë fazën përgatitore dimërore. Kuqezinjtë do të akomodohen në një nga resortet e kompanive turke, që kanë marrë nën administrim klubin vlonjat që prej korrikut të vitit të kaluar. Skuadra do të qëndrojë në Turqi për 10 ditë dhe pritet që të zhvillojë edhe tri ndeshje miqë- sore. Emrat e kundërshtarëve ende nuk janë bërë të ditur, por bëhet fjalë për klube të njohura, në një kohë që mund të luhet edhe kundër Kukësit.













