EKSKLUZIVE/ “Vllaznia të ndryshojë mentalitetin”, Djarmati analizon ish-klubet e tij dhe Superioren: Dinamo për titull, por duhet merkato (E PLOTË)
Dinamo do të sfidojë Vllazninë në “Loro Boriçi” në kuadër të javës së 11 të Superiores.
Në prag të këtij takimi, ish-mesfushori i Dinamos e njëkohësisht ish-drejtori sportiv i Vllaznisë, Matko Djarmati ka folur për “Panorama Sport”. Djarmati ka vlerësuar Dinamon për sezonin që po bën, duke shtuar se kishte pritshmëri më të larta, ndërkohë që ka bërë edhe një analizë të Superiores. Sa i përket shkodranëve, Matko shprehet se duhet ndryshuar mentaliteti që kanë.
Matko, u bënë disa vite që jeni larg futbollit shqiptar. Vazhdoni ta ndiqni rregullisht?
E ndjek rregullisht, sa herë që më lejon koha, ndonëse jo me të njëjtin intensitet si para katër vitesh, kur isha pjesë e futbollit shqiptar. Aktualisht, përpiqem ta ndjek sa herë që kam mundësi, qoftë nëpërmjet transmetimeve televizive apo drejtpërdrejt në stadium.
A keni në plan të riktheheni në Shqipëri?
Për momentin nuk kam ndonjë plan për t’u rikthyer në futbollin shqiptar. Jam plotësisht i përqendruar në punën time jashtë Shqipërisë dhe ndihem shumë i lumtur me vendin ku ndodhem aktualisht.
Si e ke parë kampionatin shqiptar në këto javë të para?
Tre-katër ekipet e para nuk më kanë surprizuar; për momentin ndodhen aty me meritë absolute, bazuar në atë që kanë treguar deri tani. As Vora nuk më ka befasuar me pozicionin në mes të tabelës, pasi gjatë tre viteve të fundit ka investuar seriozisht në futbollin shqiptar. Partizani ndodhet në një krizë të dukshme, dhe nëse nuk bën ndryshime thelbësore në mënyrën e lojës, do të ketë probleme të mëdha deri në fund të kampionatit. Pa diskutim, zhgënjimet më të mëdha janë Tirana dhe Flamurtari. Flamurtari, pavarësisht një buxheti shumë të lartë, ndodhet në një situatë tepër të vështirë, dhe sinqerisht nuk e kuptoj si kanë arritur në këtë gjendje pas çerekut të parë të kampionatit. Sa i përket Tiranës, më vjen vërtet keq, por aktualisht janë kandidati kryesor për rënie nga kategoria. Kanë bërë disa lëvizje të pakuptimta në ndërtimin e skuadrës dhe, për momentin, nuk shoh asnjë dritë në fund të tunelit për ta.
Duke parë ecurinë e Dinamos deri më tani, si e vlerëson?
Realisht e prisja Dinamon shumë më lart pas ndeshjeve në Europë. Mendova se do të ishin kandidati kryesor për fitimin e kampionatit, por kanë humbur shumë për shkak të shitjes së Zabrgjës dhe Itodos dhe nuk kanë sjellë lojtarë që të zëvendësojnë këta dy lojtarë të rëndësishëm me të njëjtin nivel cilësie. Kanë sjellë disa lojtarë me eksperiencë, por deri tani këta lojtarë nuk kanë treguar atë që pritej nga klubi. Dinamo ka 3–4 emra në stol që mund të luajnë në çdo ekip të Superiores dhe janë të gatshëm për formacion, por deri tani performanca e tyre nuk ka qenë ajo e pritshme.
A mendon se është në gjendje për të fituar titullin kampion?
Nëse rregullohen disa nga çështjet që përmenda më lart, për mua ata mund të jenë kandidatë për titull. Megjithatë, loja që kemi parë në Europë nuk përputhet me atë që kanë treguar deri tani në kampionat. Besoj se do të punojnë për të sjellë një sulmues të klasit të lartë gjatë merkatos së janarit, por kjo merkato zakonisht është mjaft e varfër.
Ndërkohë keni punuar edhe te Vllaznia si drejtor sportiv. Si e ke parë Vllazninë?
Deri tani besoj se janë në rrugën e duhur dhe absolutisht janë një nga skuadrat që pretendojnë titullin, së bashku me Egnatian dhe Dinamon. Megjithatë, nëse nuk ndryshojnë guximin dhe mentalitetin për ndeshjet jashtë “Loro Boriçit”, për mendimin tim, do të jetë shumë e vështirë që të dalin kampionë.
Këtë javë luhet ndeshja direkte mes Vllaznisë dhe Dinamos. Si e sheh këtë sfidë?
Për momentin ku jemi, këto ndeshje nuk do të vendosin kampionatin, pasi ka edhe 25 ndeshje të tjera. Megjithatë, një rezultat i mirë mund të ndryshojë krejtësisht fatin e kampionatit dhe përbën një shtysë të madhe kur fiton kundër rivalit direkt për titullin.
Matko, nëse do të ishte mes Dinamos dhe Vllaznisë finalja e Final 4, për kë bëni tifo?
Kam kaluar tre vjet si lojtar i Dinamos, dhe respekti nga tifozët e Dinamos është i pranishëm edhe sot. Kur vij dhe shoh një ndeshje të Dinamos ose edhe në rrugët e lagjes, të gjithë më njohin si ish-lojtar i Dinamos, jo si ish-lojtar i Skënderbeut, Besës, Kastriotit apo Tërbunit. Nga ana tjetër, me Vllazninë kam fituar dy trofetë e fundit, me shumë sakrifica, pas 20 vitesh pa asnjë trofe në Shkodër, dhe për këtë nuk mund të jap përgjigje. Më mirë do ta mbaj për vete. Këtë ndeshje do ta ndjekim në maj, me shumë emocion e gëzim.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













