EKSKLUZIVE/ “Vllaznia ‘çalon’ në mbrotje”, legjenda Luan Vukatana: Stërviteshim në gurë, por nuk dëmtoheshim kështu… (E PLOTË)
Me një karrierë thuajse 15-vjeçare në radhët e Vllaznisë, ku me kuqeblutë u shndërrua në një legjendë, Luan Vukatana është një nga figurat më të respektuara të futbollit në qytet.

Edhe nga SHBA, ku është transferuar prej dekadash, ai nuk e harron asnjëherë ekipin e zemrës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori është ndalur te performanca e gjysmës së parë të këtij edicioni.
Në fjalët e tij 65-vjeçari thekson se skuadra ka ecur mirë, por patjetër që ka gjithmonë vend për përmirësim. E ndërsa për vitin 2025, ka një dëshirë, Vllazninë e do kampion.
Profesor, një mbyllje viti me humbje për Vllazninë. Si ndikon ky fakt?
Po, është e vërtetë, një humbje në ndeshjen e fundit. Por në mendimin tim personal më tepër ishte një humbje “morale”, sepse përballë ishte Partizani, një nga rivalët e sezonit për Vllazninë. Me tepër ky takim ishte për prestigj, për të treguar forcën dhe nuk besoj se ndikon në objektivat e skuadrës.
Ndikojnë dëmtimet e shumta që ka pasur ekipi në këto performanca?
Patjetër që po. Trajneri ka qasje tjetër të lojës me titullarët e ndryshe me ata që nuk konsiderohen të tillë. E për më tepër në ndeshjen kundër Partizanit, Vllaznia mu duk sikur ishte ekip U-19 apo U-21 (qesh). Prandaj uroj që të dëmtuarit të kthehen sa më shpejt në shërbim të skuadrës dhe grupi të jetë i plotë.
Trajneri është ankuar shpesh për kushtet e stërvitjes, duke theksuar fushën ku stërvitet ekipi. Mund të justifikohen kaq shumë të dëmtuar me këtë fakt?
Ekipi ka pasur dëmtime më shumë seç duhet, në mendimin tim. Para shumë vitesh jemi stërvitur në gurë dhe nuk besoj se janë me ato kushte. Nuk mund ta justifikoj vetëm me fushën, sepse lojtarët kanë tërheqje muskulore.
Ne kemi pasur kushte më të vështira dhe kur dëmtohej ndonjë lojtar, ishte për shkak goditjesh apo thyerjesh. Jo nga tërheqjet, siç po ndodh, prandaj futbollistët në mendimin tim duhet të jenë më seriozë në procesin stërvitor që zhvillojnë për të shmangur këto dëmtime.
Çfarë mund të përmirësojë skuadra në rikthimin në vitin 2025?
Uroj që ta ketë grupin e plotë dhe futbollistët duhet të jenë gjithmonë të përqendruar. Duhet dhënë maksimumi gjithmonë e nëse duhet përmirësuar diçka, ai është aspekti mbrojtës. Një ekip që ka pretendime madhore nuk mund të pësojë aq gola sa ka pësuar Vllaznia deri më tani. Sepse ndeshjet do të vështirësohen nga java në javë e do të ketë rivalitet më “të egër”.
Duhet të shikojë klubi për përforcime në janar?
Është ajo shprehja që thotë se në merkaton e janarit gjen vetëm lojtarë për emergjenca. Kështu që kjo periudhë nuk garanton për lëvizje cilësore. Vllaznia ka grup të mirë dhe role të dubluara në çdo pozicion. Thjesht duhet të ketë gjithë grupin e futbollistëve në dispozicion.
Cilat ekipe shikoni si rivale të Vllaznisë deri në fund?
Besoj se tashmë katërshja dihet. Nuk mendoj se do të ketë ndryshime deri në fund dhe do të jenë përveç Vllaznisë edhe Dinamo, Partizani e Egnatia. Kjo jo vetëm se janë në krye, por kanë zhvilluar futbollin më të mirë në këtë gjysmë të parë të kampionatit. Kanë bindur më tepër.
A është skema e duhur kjo me “Final 4” në fund të edicionit?
Kjo skemë për mua nuk është më e mira e mundshme. Një ekip mund të krijojë diferencë gjatë 36 javëve dhe në fund gjithçka mund të “hidhet në erë” nga dy ndeshje. Pavarësisht se këtë sezon ka një garë më të barabartë dhe rivalizuese. Ndryshe nga sezoni i shkuar, ku Egnatia krijoi një diferencë të madhe gjatë sezonit.
Për vitin 2025, cili do të ishte urimi që do t’i përcillnit Vllaznisë dhe gjithë tifozëve kuqeblu?
Fillimisht uroj një vit të shëndetshëm e të begatë pranë familjeve të tyre gjithë shqiptarëve kudo ndodhen nëpër botë! E ndërsa për Vllazninë dhe tifozët e saj të mrekullueshëm urimin dua ta “dërgoj” në muajin maj. Shpresoj që në fund të sezonit 2024-2025 të gjithë së bashku të festojmë titullin kampion që mungon prej vitesh në Shkodër.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













