EKSKLUZIVE/ Vila: Rivale e Dinamos është vetëm euforia jonë! Mësuam nga sezoni i shkuar, asnjë s’na ka vënë në vështirësi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2025 | 21:43

EKSKLUZIVE/ Vila: Rivale e Dinamos është vetëm euforia jonë! Mësuam nga sezoni i shkuar, asnjë s’na ka vënë në vështirësi (E PLOTË)

Dinamo mori një fitore mjaft të vlefshme kundër Vorës, duke arkviuar 3 pikë të tjera në objektivin e saj për të zënë një vend në “Final 4”.

vila

Lorenco Vila zhbllokoi ndeshjen në pjesën e parë duke kaluar ekipin e tij në avantazh, teksa në një intervistë për “Panorama Sport”, u shpreh i lumtur për fitoren e ekipit. Vila analizoi blutë, duke qenë i bindur se skuadra e ka kapacitetin për të luftuar për titullin.

Gol dhe fitore ndaj Vorës. Sa i kënaqur je?

Jam shumë i lumtur për golin, sepse për një sulmues është gjithmonë ndjesi e veçantë të shënojë, por mbi të gjitha jam i lumtur për fitoren e ekipit. Ishte një ndeshje e fortë, ndaj një kundërshtari me shumë cilësi, dhe fakti që morëm tri pikët tregon se jemi në rrugën e duhur. Për mua më e rëndësishme se çdo gol personal është që skuadra të fitojë dhe të ruajë vazhdimësinë.

Duke parë paraqitjet e këtij sezoni, a mendon se Dinamo është gati të luftojë për titull?

Po, unë besoj fort që Dinamo këtë vit është e gatshme të luftojë për titull. Kemi një grup shumë të balancuar, me lojtarë me eksperiencë që dinë si të menaxhojnë presionin, por edhe me të rinj të talentuar që sjellin energji dhe dëshirë. Atmosfera në ekip është shumë pozitive, stafi teknik po bën një punë të shkëlqyer dhe çdo ditë po rritemi si grup. Mendoj se kjo përzierje është forca jonë më e madhe dhe nëse ruajmë këtë frymë, mund të arrijmë shumë lart.

Sa presion ju krijon fjala “titull”? A përmendet shpesh në skuadër?

Të them të drejtën, jo shumë. Nuk ndjejmë presion nga fjala “titull”, sepse ne jemi të fokusuar vetëm te ndeshja e radhës. Nuk duam të humbim energji duke menduar për fundin e kampionatit, por duam të përmirësohemi çdo javë. Brenda grupit ka besim dhe qetësi. Të gjithë e dimë se nëse vazhdojmë me këtë ritëm dhe mentalitet, rezultatet do të flasin vetë në fund. Kështu që nuk ka nevojë për presion, ka vetëm punë dhe përqendrim.

Çfarë ka ndryshe Dinamo e këtij sezoni krahasuar me atë të kaluarën?

Mendoj se Dinamo e këtij sezoni është më e pjekur dhe më e organizuar. Kemi mësuar shumë nga gabimet e vitit të kaluar, si në aspektin taktik ashtu edhe psikologjik. Tani e dimë si të menaxhojmë më mirë ndeshjet e vështira, si të ruajmë rezultatin dhe si të reagojmë kur jemi në disavantazh. Po ashtu, grupi është më i bashkuar, komunikimi mes nesh është më i fortë dhe ndjehet një frymë shumë e mirë bashkëpunimi. Këto janë detaje që bëjnë diferencën në një kampionat të gjatë.

Ju ka mbetur edhe Partizani nga faza e parë. Cili kundërshtar ju ka vënë më shumë në vështirësi?

Të jem i sinqertë, nuk mund të them se ndonjë skuadër na ka vënë në vështirësi të madhe. Kampionati shqiptar është shumë konkurrues, çdo ekip ka cilësi dhe nuk ka ndeshje të lehtë. Por mendoj se Dinamo ka si kundërshtar kryesor vetveten. Nëse ne jemi në ditën tonë të mirë dhe luajmë si dimë, është e vështirë që dikush të na ndalojë. Çdo javë përpiqemi të përmirësohemi dhe të ruajmë stabilitetin, sepse ky është çelësi i suksesit.

Cilat ekipe i shihni si rivalë direkt për titullin?

Këtë vit kampionati është shumë interesant. Mendoj se rivalët tanë kryesorë janë Vllaznia, Egnatia, Teuta dhe Elbasani. Të gjitha këto skuadra kanë treguar cilësi dhe vazhdimësi. Gjithashtu, edhe pse Partizani nuk e ka nisur mirë sezonin, është një ekip që duhet respektuar dhe nuk duhet nënvlerësuar. Unë mendoj se deri në fund do të jetë një garë e fortë mes disa skuadrave, dhe kjo është gjë e mirë për futbollin shqiptar.

Ke shënuar dy gola këtë sezon dhe shpesh të kemi parë të tërhequr në mesfushë. Cili është pozicioni yt ideal te Dinamo?

Pozicioni im natyral është si sulmues krahu, ku ndjehem më komod për të sulmuar hapësirat dhe për të ndërtuar aksione. Megjithatë, në disa ndeshje kam luajtur edhe më i tërhequr, dhe mendoj se jam përshtatur mirë me atë rol. Për mua më e rëndësishme është të jem në fushë dhe të ndihmoj skuadrën. Kur luan për një ekip si Dinamo, duhet të jesh gati të japësh maksimumin kudo që të kërkohet. Kam dëshirë të kontribuoj, qoftë duke shënuar, qoftë duke ndihmuar shokët e skuadrës.

Dinamo ka 14 pikë pas 8 ndeshjesh. A prisje diçka ndryshe në fillim të sezonit?

Në fillim të sezonit gjithmonë ke pritshmëri të larta, por futbolli nuk është gjithmonë i parashikueshëm. Pas ndeshjes me Vllazninë patëm një periudhë dyjavore jo të mirë, ku ndoshta na mungoi pak qartësia dhe finalizimi. Por tani skuadra ka hyrë në ritmin e duhur. Në ndeshjet e fundit kemi marrë tri fitore dhe dy barazime, dhe ajo që më pëlqen më shumë është që po tregojmë stabilitet dhe karakter. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, jam i bindur që do jemi shumë pranë objektivave tona.

Cilin takim do ta quaje pengun e fazës së parë dhe pse?

Mendoj se ndeshjet ndaj Teutës dhe Bylisit mbeten si dy pengje për ne. Ishin takime që i kishim në dorë, por nuk arritëm të marrim maksimumin. Në të dyja ndeshjet krijuam shumë, por na mungoi konkretizimi në momentet vendimtare. Janë gabime nga të cilat kemi mësuar dhe që na kanë ndihmuar të forcohemi si grup. Tani mendojmë vetëm për të ardhmen dhe për t’i korrigjuar ato gjëra që nuk shkuan mirë në fazën e parë.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL