EKSKLUZIVE/ Transferimi në Kosovë, Jonuzi: Dinamo, nuk e kuptova pse më larguan
Fjoart Jonuzi u trans ferua te Dinamo me shumë bujë pasi u largua te Tirana, por aventura te blutë nuk shkoi siç e kishte menduar. Jonuzi ishte protagonist sezonin e shkuar, megjithatë këtë sezon nuk pati shumë hapësirë dhe vendosi të largohej për të firmosur te Drenica. Pavarësisht situatave, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori e konsideron një aventurë pozitive nga e cila ka mësuar.

I pyetur për skuadrën, ai është i bindur se Dinamo e ka cilësinë për të luftuar për titullin kampion deri në fund. Sa i përket mungesës së minutave me Dinamon, Jonuzi duket ende i paqartë për arsyet që e kanë lënë në stol, duke qenë i bindur se gjithmonë është treguar profesionist dhe është munduar të japë maksimumin e tij.
Fjoart, ke kaluar një sezon e gjysmë te Dinamo. Si do ta përshkruaje këtë eksperiencë?
Ka qenë një aventurë me ulje dhe ngritje të qarta. Në gjysmën e parë të sezonit të parë gjithçka ishte pozitive, kisha minuta të mjaftueshme në fushë dhe ndihesha pjesë aktive e ekipit. Ndërkohë që në sezonin e dytë gjërat ndryshuan dhe nuk pata mundësinë të luaja aq sa do të doja, për të shprehur plotësisht potencialin tim. Megjithatë, në përgjithësi mund ta cilësoj përvojën te Dinamo si pozitive, sepse çdo situatë, qofshin sfida apo suksese, të jep eksperiencë dhe mësime të vlefshme që të ndihmojnë të rritesh si lojtar dhe si person.
A e prisje një rrugëtim të tillë kur u largove nga Tirana?
Të them të drejtën, jo. Kur u transferova te Dinamo, isha shumë i motivuar. Klubi ndodhej në një moment shumë pozitiv dhe unë doja të provoja veten në një ambient me lojtarë me cilësi të lartë. Mendova se do të ishte një hap i madh për karrierën time. Por futbolli ka gjithmonë ulje e ngritje, dhe jo çdo gjë shkon sipas planeve, kështu që nuk kam asnjë pendesë për këtë zgjedhje. Përkundrazi, mësova shumë dhe u rrita si futbollist.
Në sezonin e dytë luajte shumë pak minuta. Çfarë mendon se ndodhi?
Sinqerisht, nuk mund ta shpjegoj plotësisht. Unë u përpoqa të stërvitesha maksimalisht çdo ditë dhe të isha i gatshëm për çdo mundësi që do të vinte nga trajneri. Gjithmonë kam pasur mentalitet profesional, por ndonjëherë thjesht mundësitë nuk vijnë. Nuk është vetëm çështje talenti, por edhe taktike dhe vendimet e stafit teknik. Kam ruajtur motivimin dhe profesionalizmin, gjë që më shërben për çdo hap tjetër në karrierë.
Çfarë skuadre po lë pas te Dinamo?
Dinamo është një skuadër me shumë cilësi dhe potencial. Përveç lojtarëve të aftë, më pëlqeu mentaliteti i grupit dhe mënyra si bashkëpunojnë lojtarët mes tyre. Më shumë se gjithçka, janë njerëz të mirë dhe kolegë të ndershëm, gjë që krijon një ambient të shëndetshëm për të punuar dhe për të zhvilluar lojën. I uroj gjithë të mirat skuadrës dhe shpresoj që në fund të sezonit të shpallen kampionë.
Mendon se Dinamo e ka potencialin për të fituar titullin kampion?
Po, padyshim. Ekipi ka mundësi reale për ta arritur këtë objektiv. Duke parë mënyrën si është ndërtuar skuadra, cilësinë e lojtarëve, besoj se Dinamo mund të luftojë deri në fund për titullin. Është një skuadër që ka potencial, por gjithmonë duhet të përqendrohet dhe të ruajë qetësinë sidomos në momentet e presionit të lartë.
Çfarë duhet bërë ndryshe krahasuar me sezonin e kaluar?
Nuk mendoj se duhet ndryshuar diçka thelbësore. E vetmja gjë është të vazhdojnë të punojnë me të njëjtin mentalitet dhe përkushtim. Të jenë më të qetë në periudhat më delikate të sezonit, kur presioni rritet ndjeshëm. Të ruajnë besimin tek vetja dhe të mos e humbasin fokusin në momentet e vështira, sepse kjo shpesh bën diferencën midis suksesit dhe rezultateve ndoshta jo të mira.
Je transferuar në Kosovë, një kampionat që e njeh mirë. Çfarë pret nga kjo aventurë e re?
Kam qenë më parë pjesë e Gjilanit dhe e njoh mirë kampionatin, por gjërat kanë ndryshuar shumë që atëherë. Cilësia e lojës dhe konkurrenca janë rritur dukshëm. Kam shumë besim te grupi që kemi krijuar dhe besoj se mund të kemi sukses. Kjo është një mundësi e madhe për të treguar veten përsëri në një kampionat të fortë dhe për të kontribuar në mënyrë aktive për objektivat e klubit.
Atje do të punosh me trajnerin Brdariç. Çfarë raporti keni me të?
Trajnerin e njoh shumë mirë nga periudha te Vllaznia, ku kaluam dy vite shumë të suksesshme së bashku. Ai është një profesionist i madh dhe njeh mentalitetin tim. Jam i bindur se do të kemi rezultate pozitive, sepse e kupton lojën dhe e di si të nxjerrë më të mirën nga çdo lojtar. Raporti ynë është i bazuar te respekti dhe besimi, gjë që është shumë e rëndësishme për suksesin e ekipit.
A kishe oferta të tjera nga Superiorja dhe pse zgjodhe Kosovën?
Po, kisha oferta nga klube të tjera të Superiores, por vendosa të vij në Kosovë sepse kampionati ka ndryshuar shumë dhe është rritur në nivel dhe konkurrencë. Gjithashtu, trajneri Brdariç dëshironte shumë të më kishte në skuadër dhe klubi ka një projekt serioz për të ardhmen. Këto arsye më bënë të vendosja të bashkohem me ekipin, dhe deri tani jam shumë i kënaqur me zgjedhjen që kam bërë.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL













