EKSKLUZIVE/ Superiorja në lupën e Neptun Bajkos: Egnatia shembullore! Partizani vuan, edhe trajneri Shkëmbi ka… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2025 | 21:25

EKSKLUZIVE/ Superiorja në lupën e Neptun Bajkos: Egnatia shembullore! Partizani vuan, edhe trajneri Shkëmbi ka… (E PLOTË)

Futbolli shqiptar uli siparin para pak ditësh dhe vendosi verdiktet e tij, me Dinamon si fituese të Kupës dhe Egnatian si kampione, për të dytën herë radhazi.MixCollage-15-May-2025-08-33-AM-4172Partizani e mbyll i treti, ndërsa Vllaznia si nënkampione. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ka folur një nga profesorët më të shquar të futbollit shqiptar, Neptun Bajko. Me mënyrën e tij analizuese dhe të kujdesshme, ai i bën një rezyme të thelluar këtij edicioni, duke u ndalur te kampionët e Egnatias, por edhe Partizani, klubi ku ai la shenjat më të mëdha në futbollin tonë.

Profesor, ishte skuadra më e mirë ajo që fitoi titullin kampion?

Po, mendoj se titullin kampion e fitoi ekipi më i mirë, Egnatia. Është një skuadër e ndërtuar shumë mirë nga ana profesionale dhe tekniko-taktike, me lojtarë me cilësi mjaft të mira, me një vendosje shumë të mirë në fushën e lojës. Një ekip, që di ta zotërojë lojën si në tokë, ashtu edhe në ajër. Ka lëvizshmëri të mirë dhe disa lojtarë i japin një ritëm dhe lartësi tamam të një ekipi kampion. Mendoj se suksesi në këtë aspekt është bashkëpunimi i mirë mes trajnerit dhe stafit teknik me presidentin dhe njerëzit që punojnë krah tij. Çelësi i suksesit është bashkëpunimi i këtyre elementeve të rëndësishme në futboll.

Përse mendoni se e kishte kaq të lehtë Egnatia finalen me Vllazninë?

E para, Egnatia e kishte këtë ndeshje më të lehtë në aspektin psikologjik, sepse e kishte fituar një vit më parë. E dyta, Egnatia gjatë gjithë ecurisë së kampionatit e ngrinte nivelin e lojës kur i duhej dhe kur mendonte se kjo ishte gjëja më e mirë. E treta, është morali, mentaliteti dhe psikologjia e ndryshimit, që mendoj se bëri më shumë diferencën. Vllaznia u duk sikur në këtë aspekt kishte bërë ndryshim të mirë dhe do ta përballonte finalen, por pësimi i golit dhe kalimi i minutave tregoi se kishte vështirësi të ruante ritmin dhe të vepronte qetë. Ishte gjithnjë një skuadër në alarm dhe shumë e nxituar. Ndryshe ndodhte me Egnatian, shumë ekip i qetë, që dinte çfarë bënte dhe kur e bënte. Ajo që vendosi ishte loja kolektive e gjithë ekipit.

Egnatia e fiton titullin dy herë radhazi, madje duke shpërfillur edhe skemën e kampionatit, që në pamje të parë ia bënte më të vështirë. Tregon kjo diferenca të dukshme me ekipet e tjera?

Diferencat janë të dukshme dhe çdo tifoz a sportdashës mendoj se e ka spikatur këtë plus të Egnatias. Ata janë një ekip i formuar jo vetëm mbi cilësinë e lojtarëve, por edhe në funksion të skemës taktike që përdor trajneri. Duke pasur 3-4 lojtarë që janë strumbullari i gjithë ekipit, duke pasur edhe një staf teknik me trajnerin Tetova, që në paraqitje kanë ruajtur qetësinë, kanë treguar veten mbi të tjerët. Egnatia asnjëherë nuk ka treguar ankth, stres dhe një nevojë që të dalin jashtë mënyrës së lojës së tyre. Ky është plus shumë i madh.

Çfarë përshtypjeje ju lë Tetova si trajner?

Përveç pluseve që Tetova ka, unë dua ta shikoj edhe në një aspekt tjetër, në drejtimin e skuadrës gjatë ndeshjes. Ne më parë kishim një divizë që thoshte se trajneri që rri gjithë kohës në cep të fushës, që bërtet, orienton, jep impulse ndaj ekipit, ka lënë punë pa bërë dhe kërkon t’i korrigjojë në ndeshje. Tetova nuk e bën këtë. Është shumë i qetë dhe jeton me mënyrën sesi ekipi shprehet në fushë. Këtë ai e di shumë mirë, ndaj është shumë i qetë, nuk është pjesëmarrës, përveç ndonjë momenti kur ekipi ka vërtet nevojë. Nuk bën shumë skena dhe të jep idenë e një trajneri me plan të detajuar të ndeshjes.

Një nga “viktimat” e Egnatias ishte edhe Partizani. Çfarë sezoni ishte ky për të kuqtë?

Partizani u ndërtua një ekip i mirë, me lojtarë cilësorë, që erdhën me kalimin e kohës duke u rritur. Ndërtuan një mënyrë loje ndryshe nga ekipet e tjera, por me stilin e Partizanit. Kishin 4-5 lojtarë të një niveli shumë të lartë dhe koha tregoi se ata u larguan dhe u shitën në ekipe të tjera. Por në të njëjtën kohë, largimi në mes të sezonit e dëmtoi shumë ekipin dhe ishte një gjë që kërkonte një sforcim të jashtëzakonshëm për t’u mbajtur në majat e futbollit shqiptar, ashtu siç ndodhi. Mendoj se ndërrimi i tre trajnerëve në harkun e një periudhe 6-7 mujore padyshim që lë gjurmë dhe nuk është i dobishëm për ecurinë e një ekipi me pretendime për fitimin e Kupës apo të kampionatit. Tjetra është se popullimi i madh i një reparti në dëm të reparteve të tjera, gjithmonë sjell çekuilibrime. Në momente të caktuara, duhet të jesh i detyruar që një mesfushor ta kthesh në mbrojtje, një mbrojtës ta avancosh përpara me detyra që nuk i bën dot apo të detyrohesh të aktivizosh edhe të rinj, që ndoshta nuk janë as ende gati. Këto ndryshime padyshim që rëndojnë në nivelin e një ekipi si Partizani.

Ku ishin limitet e këtij Partizani që mbylli sezonin?

Për mendimin tim, vendi i tretë për këtë Partizan ishte sukses. Disa nga lojtarët, në kohën kur Gega mori ekipin, ishin në kufijtë e gjendjes së tyre fizike. Një tjetër pengesë ishte koha, sepse Gega nuk mund të ndryshonte mënyrën e lojës së ekipit në një periudhë të shkurtër prej 7-8 ditësh. Askush nuk mund ta bëjë këtë. Por mendoj se ndeshja me Dinamon për vendin e tretë i ka dhënë një “shkëndijë” pozitive Partizanit. Mua më ka pëlqyer shumë jo vetëm loja, por edhe lojtarët e rinj si Himallari, Tahri, Çipi, Malaj, Vata apo Jata. Te Partizani është një “bërthamë” lojtarësh me cilësi shumë të mira teknike dhe lëvizshmëri që e kërkon futbolli, por që kanë relativisht një moshë të re. Kjo kërkon shumë kujdes që t’i rrisësh, t’i formosh që të japin rendimentin e duhur. Me këta djem të rinj e të talentuar, Partizani e ka të sigurt të ardhmen, por në këtë moment klubi duhet të mendojë të ndërtojë sa më shpejt ekipin për pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës dhe në kampionatin e ardhshëm. Duhet të formojë bazën e ekipit me lojtarë me cilësi të mira, me përvojë dhe të plotësojnë boshllëqet që ka ekipi në këto momente. Kjo bën që skuadra e formuar të rrisë më së miri dhe pa dëmtime edhe këta të rinj që përmendëm më lart, të cilët janë shumë të mirë dhe me perspektivë.

Ku i duhen Partizanit më së shumti përforcime?

Unë them se i duhen dhe i duhen mjaftueshëm, pa dashur të përcaktoj numra. Së pari, për mendimin tim, duhet të shikojë mesin e fushës. Kote, lojtar i talentuar, me të dhëna të mira dhe që vinte pas një dëmtimi, ka cilësi shumë të mira, por nuk mund ta mbajë mesin e fushës edhe në organizim, edhe në veprime sulmuese. Gjithashtu, duhet të rregullojë edhe në aspektin e mbrojtjes me lojtarë që të kenë kualitete, sepse difensiva është sulmi më i mirë. Sidomos krahët, kërkojnë riparime. Buxhelaj është lojtar me të dhëna të mira, e do futbollin, luan edhe në krah, por ende nuk ka një koncept të qartë për rolin e tij në aspektin mbrojtës.

A ia mori trajneri Gega të gjithën çka mund të tregonte Partizani?

Gega bëri më të mirën, jashtë mundësive dhe konceptit të tij profesional dhe ekipi dha më të mirën dhe sakrifikoi për të marrë atë që mori në këtë edicion. Diçka që unë mendoj se është me rëndësi për Partizanin dhe të tjerët, është bashkëpunimi. Shohim Egnatian, që është kampion në lojë, në tituj, por edhe në veprimtarinë e vet si klub. Nëse bashkëpunimi trajnerstaf teknik ka mirëkuptim dhe respekt për punën e njëri-tjetrit, si dhe bëhet në vendosjen e disa objektivave me laps në dorë, është më e mira për një klub futbolli dhe Egnatia ka bërë këtë me shumë efikasitet, të paktën me sa shoh unë nga larg. Duhet që Skënderi me stafin e tij teknik dhe presidenti Gaz Demi me ndihmësit e tij që rrinë përqark ekipit të krijojnë një klimë dhe bashkëpunim të mirë dhe me laps në dorë të skicojnë ekipin që do të luajë në sezonin e ardhshëm. Që tani, madje janë vonë, sepse kjo gjë duhej të kishte filluar më përpara për mendimin tim. Ndoshta ata në plan e kanë, por duket të bëhen lëvizje konkrete. Të lëvizet aty ku duhet, të vendosen objektivat e qarta dhe të vazhdojë puna në rregull.

Në katërshe u renditën edhe dy ekipe të tjera. Çfarë përshtypjeje ju lanë Dinamo dhe Vllaznia?

Dinamo u tregua një ekip i formuar mirë dhe me bindje të plotë për të shkuar te suksesi. Kam parë disa ndeshje të tyre dhe përjashto momentet e fundit, skuadra ka pasur një rritje graduale dhe ka në përbërje lojtarë shumë të mirë. Pikat ku duhet të riparohen i dinë ata, por nga jashtë shoh që bashkëpunimi mes trajnerit Daja dhe presidentit Bardhi, pasqyron gjëra pozitive. Mendoj se ishte sezon pozitiv edhe për Dinamon, pavarësisht se mund të synonte edhe titullin. Vllaznia ngelet një ekip i punuar mirë, me trajnerin, që bëri gjithçka për të marrë maksimumin. Ka një ambient entuziast, deri diku edhe euforik, por nga ana profesionale, duhet që edhe Vllaznia të furnizohet me elemente të rinj për ta ngritur më lart nivelin. Unë nuk kam dyshim te puna e trajnerit, por finalja tregoi se ka shumë për të bërë.

E prisni rikthimin e Tiranës vitin tjetër?

Nëse do të shikoja diçka me një emocion deri në keqardhje, është Tirana dhe trajneri Bledi Shkëmbi. Nuk ka situatë më të vështirë se kjo që kaloi Tirana dhe Shkëmbi. Madje, më tepër mendoj se ka vuajtur Shkëmbi se të gjithë trajnerët e tjerë. Duke pasur një ekip si Tirana dhe të katandiset në nivele që rrezikohej mbijetesa, shkakton stres të jashtëzakonshëm dhe lodhje të tmerrshme. Në këtë aspekt, them se fitoren më të madhe e arriti Shkëmbi, që shpëtoi sezonin dhe tani duhet të nisë ripërtëritja dhe rigjenerimi i Tiranës për ta ngritur ekipin në nivelin e Egnatias, Partizanit dhe të tjerave aty lart.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL