EKSKLUZIVE/ Samit në Shkodër, Xhaferi “shkund” Vllazninë pas eliminimit nga Dinamo (E PLOTË)
Vllaznia ka përjetu ar një mbrëmje të gjatë dhe të rënduar emocionalisht pas eliminimit në gjysmëfinalet e Kupës, në përballjen ndaj Dinamos. Skuadra shkodrane ka qëndruar për rreth një orë e gjysmë në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi” edhe pas vërshëllimës përfundimtare, në një heshtje që fliste më shumë se çdo deklaratë.

Zhgënjimi ishte i dukshëm në çdo cep të stadiumit, nga fusha e deri te korridoret e brendshme. Në qendër të kësaj situate ishte presidenti Alban Xhaferi, i cili, ndryshe nga zakonisht, ka kaluar një kohë të gjatë në dhomat e zhveshjes së kuqebluve.
Prania e tij e zgjatur u interpretua si një sinjal i qartë për rëndësinë e momentit dhe përpjekjen për të mbajtur të bashkuar grupin në një çast delikat të sezonit. Burime pranë klubit bëjnë me dije se diskutimet kanë qenë të drejtpërdrejta dhe me tone serioze, por me fokus te reagimi dhe jo te fajësimi. Edhe trajneri Martini është vonuar ndjeshëm për të dalë në prononcimin për mediat lokale, çka tregon për një analizë të thellë të zhvilluar menjëherë pas ndeshjes.
Tekniku shkodran ka qëndruar gjatë me skuadrën, duke diskutuar detaje të lojës dhe momentet kyçe që çuan në eliminim. Kjo analizë nuk është kufizuar vetëm në fjalë, pasi mësohet se është shoqëruar edhe me shënime konkrete në tabelë, duke hyrë në detaje taktike me futbollistët. Ajo që bie në sy është fakti se shumica e lojtarëve titullarë nuk e kishin lënë ende stadiumin edhe shumë kohë pas përfundimit të takimit. Kjo tregon për një ndjenjë përgjegjësie të përbashkët dhe për një grup që, pavarësisht goditjes së marrë, kërkon të reagojë si një i vetëm. Në fytyrat e tyre lexohej qartë zhgënjimi, por edhe një lloj vendosmërie për të mos lejuar që ky eliminim të ndikojë në objektivin madhor.
Mbledhja e zhvilluar menjëherë pas ndeshjes, sipas burimeve, ka pasur pikërisht këtë qëllim: të shmangë një rënie psikologjike të skuadrës në një moment vendimtar të sezonit. Me garën për titull ende plotësisht të hapur, drejtuesit dhe stafi teknik kanë kërkuar një reagim të menjëhershëm dhe një përqendrim maksimal në kampionat. Sfida e radhës nuk lë shumë hapësirë për reflektime të gjata. Të hënën, Vllaznia udhëton drejt Elbasanit për një duel direkt në krye të Superiores, një përballje që mund të ndikojë ndjeshëm në fatet e sezonit. Një hap fals edhe në kampionat do të rrezikonte seriozisht objektivat e klubit shkodran, i cili këtë edicion i ka vendosur vetes synime maksimale. Për kuqeblutë, tani është momenti i së vërtetës: të tregojnë nëse kanë forcën për t’u ngritur pas një goditjeje të tillë dhe për të vijuar betejën për titullin kampion.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













