EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Tedi Carës nga Ukraina: Partizanin e kanë frikë, mbetet për titull. Ky trajner shënjoi karrierën time (E PLOTË)
Pas pesë vitesh si “dem”, Tedi Cara la Partizanin këtë verë për t’u transferuar në Ukrainë tek Oleksandria, skuadër që kërkon titullin kampion. Kavajasi u largua nga Partizani si golashënuesi më i mirë që nga rikthimi në elitë, po ashtu edhe në historinë e klubit në Europë.
Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, 24-vjeçari rrëfen ditët e para në klubin e ri, pritjen që i bënë, luftën dhe atë çka la pas te klubi i kuq.
Tedi, sa i rëndësishëm ishte kalimi në një ligë më të fortë në këtë moment?
Çdo lojtar shqiptar, që kur nis karrierën e vet, ka dëshirën të luajë për një ekip më të madh jashtë vendit. Kisha kohë që e prisja dhe erdhi në momentin e duhur, kur mendoj se jam më i pjekur mendërisht, po ashtu edhe sa i përket aspektit sportiv. Jam i gatshëm për këtë aventurë të re.
Si ju kanë pritur tek Oleksandria?
Jam ndjerë shumë mirë, shumë i respektuar nga trajneri dhe të gjithë shokët e ekipit. Ka qenë një pritje perfekte, madje ka kaluar pritshmëritë e mia. Po ndihem shumë ngrohtë dhe po jap maksimumin, sepse çdo lojtar, kur ndihet i respektuar, e jep më lehtë më të mirën e vet në fushë.
Mund të jetë Oleksandria një “trampolinë” për ju në karrierë?
Fillimisht dua të lë gjurmë këtu. Kam besim se do të bëj mirë dhe do ta shfrytëzoj Oleksandrian si një trampolinë për të bërë më përpara në karrierë. Me performancat e mia këtu, dua të ndihmoj ekipin dhe të kem sukses edhe në aspektin individual.
Ka skepticizëm në lidhje me faktin se në Ukrainë zhvillohet luftë. Ju jetoni atje tashmë, keni ndonjë rrezik nga lufta?
Unë, bashkë me djemtë e tjerë që jemi transferuar këtu, i kemi marrë informacionet para se të firmosnim kontratën. Ukraina është një shtet shumë i madh dhe kampionati është zhvendosur, po i luan ndeshjet në kufi me Poloninë. Nuk ka asnjë lidhje me luftën. Luftimet bëhen në kufi me Rusinë, ndërsa ndeshjet zhvillohen në kufi me Poloninë. I ndajnë pothuajse dhjetë orë udhëtim me luftën. Është largësi e madhe. Ne jemi në një zonë komplet tjetër, nuk kemi lidhje.
Largoheni nga Partizani si goleadori i dekadës dhe golashënuesi më i mirë në Europë. I kënaqur me shenjën që keni lënë?
Unë kam bërë maksimumin, kam dhënë gjithçka për atë fanellë dhe mendoj se do të mbahem mend, sepse kam ardhur 19 vjeç, moshë relativisht e re, dhe kam ikur 24 vjeç me arritjet që ju përmendët. Kam përshtypjen se do të kem vlerësim për atë që kam bërë atje.
Cila ka qenë ndeshja që ju ka ngelur më së shumti në mendje te Partizani?
E vështirë të evidentoj një ndeshje të caktuar, por meqë duhet po them se më emocionuesja ka qenë një derbi i fituar 2-0, kur shënoja një gol me thembër. Ishte gol i veçantë, që më dha kënaqësi mua, tifozëve dhe të gjithë klubit.
Po momenti më i vështirë i juaji si “dem”?
Mund të cilësoj fillimin tim te Partizani. Për një pikë ose dy, rrezikonim të binim nga kategoria. Aty mendoj se kam përjetuar situatën më të keqe. Pas atyre gjashtë muajve kemi kaluar 4-5 sezone, ku renditeshim në vendet e para. Ishte situatë pozitive më pas.
Kush është trajneri që ju ka ndihmuar më shumë te të kuqtë?
Trajneri që më ka ndihmuar “të fus këmbët”, siç i thonë në zhargon, ka qenë Ilir Daja. Ai ka qenë pikënisja ime te Partizani. Tek ai kam marrë më shumë besim, më shumë minuta, por edhe kam mësuar më shumë mbi futbollin, mbi filozofinë e lojës. Tani që kam ardhur tek Oleksandria shikoj shumë gjëra, të cilat Daja m’i ka mësuar dikur dhe i kam të ditura. Më ka ndihmuar shumë koha nën drejtimin e Dajës. Aty mendoj se ka nisur vazhdimësia ime te Partizani.
Kush ka qenë lojtari më i mirë me të cilin keni luajtur te “demat”?
Mendoj se është Arinaldo Rrapaj. Me të kam krijuar marrëdhënien më të ngushtë shoqërore, por jam i bindur edhe se ai është lojtari më i mirë me të cilin kam ndarë fushën te Partizani.
Jeni larguar katër titullarë në Ukrainë. Mendoni se ikjet tuaja mund të ndikojnë në vijimësinë e Partizanit?
Në fakt, kanë qenë disa momente kur janë larguar shumë lojtarë dhe në të gjitha rastet Partizani ka mbetur Partizani. Nuk e bëjnë ekipin 3-4 lojtarë. Klubi është më i madh dhe më i rëndësishëm se emrat. Ne nuk matemi me stemën e Partizanit. Jemi larguar, do të vijnë të tjerë. Siç e pamë, me Skënderbeun u barazuan në fund, por tani kanë marrë dy fitore dhe besoj te vazhdimësia e ekipit. Për emrin, për fanellën që ka, Partizanin e kanë frikë dhe do të jetë po aty.
U larguat ju dhe Mba, kush mendoni se mund të bëhet lideri i ri i sulmit të kuq?
Unë personalisht kam shumë besim te Keko. Po t’i jepet akoma më shumë besim, kam bindjen se do ta ndihmojë ekipin me gola dhe asiste. Tek ai kam më shumë besim. Bintsuka është i konfirmuar dhe Zeka po bën mirë në lojërat e fundit. Te kjo treshe kam përshtypjen se do të bazohet Partizani në vijim.
Cili mendoni se është rivali më i madh i Partizanit?
Mendoj se të katërta që janë në “Final 4” për momentin janë në garë për titullin dhe nuk mund të ndaj një. Janë të tre kundërshtarë të fortë për Partizanin dhe kjo katërshe do të luftojnë deri në fund. Më pas “Final 4” do të tregojë gjithçka.
Si e prisni derbin e fundjavës me Dinamon? Cili është më favorit?
Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Profesor Daja ka instaluar një sistem loje që të vë shumë në vështirësi, e kemi provuar edhe vetë në dy ndeshje që jemi përballur. Ka një modul loje që ta komplikon shumë. E analizon shumë mirë kundërshtarin, i gjen pikat e dobëta dhe të forta. E fut ekipin shumë mirë në ndeshje. Do të jetë një sfidë shumë problematike për Partizanin. Me dëshirën si ish-futbollist dhe ish-kapiten i Partizanit, dua të fitojnë të kuqtë, por më duket shumë e vështirë. Po them se shanset janë 50-50.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"