EKSKLUZIVE/ “Rivalitet i egër në Superiore”, Beqiri: Vllaznia të thyejë mallkimin 25-vjeçar, ekipi ka “brumin” për titullin (E PLOTË)
I ndodhur në Shkodër për pushimet dimërore, ku prej disa vitesh tashmë jeton në Kanada, për “Panorama Sport” ka folur së fundmi në një intervistë ekskluzive, Elvin Beqiri.
Ish-kapiteni i Vllaznisë ka analizuar ndeshjen e fundit të kuqebluve kundër Dinamos, e po ashtu sezonin e shkodranëve deri më tani në Superiore. Sipas ish-mbrojtësit janë shumë vite që Shkodra nuk po gëzon një titull kampion dhe diçka e tillë është e paprecedentë.
Ish-futbollisti edhe i kombëtares shqiptare ka shpresën se ky mund të jetë sezoni i kuqebluve, ku ka besim tek dyshja Martini-Sinani. Pavarësisht se ai shikon garë të “egër” deri në fund duke qenë se e shikon rivalitetin mes ekipeve shumë të barabartë e po ashtu në fund shprehet se për të Vllaznia është shumëçka dhe gjithmonë do e mirëpriste një thirrje nga ana e klubit shkodran.
Beqiri, disa ditë pushimi në Shkodër, por çdo herë me mendjen tek futbolli apo jo?
Atë punë dimë të bëjmë (qesh), përtej shakasë meqë kisha disa vite pa ardhur në Shkodër, përveç familjarëve dhe miqve që takova, nuk humba rastin as të ndjek edhe Vllazninë. Po ashtu unë vijoj të jem gjithmonë pranë futbollit, ku në Kanada që në momentin që jam zhvendosur atje kam qenë pjesë e akademive të ndryshme të futbollit. Edhe sot që flasim jam trajner tek një akademi futbolli në Toronto ku unë jetoj me familjen time.
Futbolli ende ndoshta nuk është një sport primar në Kanada, por në vitet e fundit ka pasur investime me miliona dollarë për këtë sport e frytet e para po merren. Ku Kanadaja madje mori pjesë edhe në Botërorin e vitit 2022 e ndërsa do jetë një nga shtetet organizatore edhe për Botërorin e kësaj vere të vitit 2026 së bashku me SHBA-të dhe Meksikën.
Si e shikove ndeshjen e fundit Dinamo-Vllaznia, ku kuqeblutë morën një fitore 0-2?
Besoj një sukses i merituar i Vllaznisë, në totalin e ndeshjes ishte ekipi më i mirë në fushë dhe madje mund të kishte mundësinë të fitonte edhe më thellë nga shtyllat që goditi. Ndoshta ndeshja nuk ishte e nivelit më të lartë dhe ritmit më të lartë të mundshëm, ashtu siç pritet nga të dy ekipet. Por, Vllaznia krijoi më shumë dhe meritoi më shumë nga ky 90-minutësh, ku për mua një fakt i rëndësishëm është se skuadra nuk pëson gol në 3 ndeshjet e para të vitit 2026 dhe ky është një faktor shumë pozitiv. Pasi po ashtu mbajti rrjetën të paprekur kundër Dinamos, që është skuadra që ka shënuar më shumë në kampionat.
Dha një sinjal të fortë ky sukses i shkodranëve në transfertë ndaj një kundërshtari direkt?
Nuk them se Vllaznia ka nevojë të japë sinjale sepse objektivat e saj janë për titull kampion dhe ekipi është ndërtuar për atë. Prandaj nuk janë surpriza apo të papritura këto suksese, ku ekipi duket se në këtë gjysmë të dytë të sezonit ka hyrë me një mentalitet me të vërtetë ndryshe dhe shumë të bindur në forcat e tyre. Por, kjo fitore patjetër bën shumë mirë jo vetëm për kundërshtarin që ishte përballë, por për faktin më të madh që erdhi në transfertë. Ku Vllaznia ka vuajtur shumë këtë sezon, pasi para këtij suksesi kishte vetëm një fitore larg Shkodrës.
Çfarë mund të themi se ka sjellë diçka ndryshe Martini tek Vllaznia me ardhjen e tij në krye të stolit?
Mund të them se i ka dhënë shumë nga grinta e tij, dëshira për të bërë mirë dhe dhënë maksimumin gjithmonë. Qoftë ndaj kundërshtarit më të mirë në kampionat apo qoftë edhe kundër ekipeve më modeste. Jo se skuadra nuk e kishte këtë frymë kur drejtohej nga Tomas Brdariç, por tani më duket shumë më e theksuar. Dhe shoh një skuadër që lufton deri në fund për të marrë fitoren, ndaj besoj se kjo gjë mund të garantojë për ecuri pozitive deri në fundin e edicionit.
Si e shikon rivalitetin në Superiore këtë sezon?
Shiko, është garë dhe në garë futen të gjithë të barabartë. Nuk shoh thuajse aspak diferenca në kampionatin shqiptar, duke i marrë madje në krahasim vendin e parë që sot mbahet nga Egnatia e vendin e fundit në të cilin pozicionohet Tirana.
Kjo e bën kampionatin të paparashikueshëm dhe besoj shumë të fortë, ndoshta nuk ka shumë cilësi, por kjo barazpeshë vlerash bën që të ketë rivalitet në çdo javë. Personalisht më pëlqen Egnatia me trajnerin Tetova që ka bërë një punë shumë të mirë e po ashtu Dinamo me trajnerin Daja, dy skuadra që i përgjigjen ideve të drejtuesve të stolave përkatës. Them se këto dy skuadra janë rivalët më të fortë të Vllaznisë për vendin e parë të kampionatit.
Sa janë shanset reale të Vllaznisë për titullin që mungon prej 25 vitesh?
Shanset janë reale do të thosha, Vllaznia e ka “brumin” e lojtarëve për t’i shkuar deri në fund kampionatit me sukses. Po ashtu dyshja Martini-Sinani besoj i japin një karikim tjetër skuadrës në opinionin tim personal. 25 vite pa titull janë realisht shumë për Shkodrën dhe ekipin, diçka e paprecedentë në të shkuarën. Ku në dekadat e fundit i është afruar 2-3 herë triumfit final, por pa ia dalë në fund. Shpresoj që ky të jetë edicioni i duhur që ky “mallkim” të thyhet e titulli kampion të rikthehet në Shkodër, tek ky popull që “jeton” me Vllazninë e futbollin.
Një këshillë ndoshta për skuadrën në rolin e një trajneri tashmë?
Më duket sikur skuadra konsumon shumë energji gjatë lojërave dhe kjo ndikon edhe në performancat pasardhëse. Duhej të dijë të menaxhojë ndoshta më mirë forcat dhe jo konsumohet në maksimum. Ku nga ky fakt kanë ardhur edhe dëmtimet e shpeshta që ka vuajtur ekipi gjatë këtyre edicioneve të fundit. Besoj se këtë e di edhe Martini, që tashmë duket më pragmatist dhe cinik me skuadrën, në ndryshim nga faza e parë. Që me pas u kthye në “bumerang” në fazën e dytë ashtu siç e treguan dhe rezultatet. Kampionati është ende shumë i gjatë dhe ka shumë sfida të forta në horizont për Vllazninë.
Do mund ta shohim Beqirin në të ardhmen duke drejtuar në stolin e skuadrës kuqeblu, duke qenë se si një futbollist nuk e “tradhtove” kurrë me një skuadër tjetër shqiptare?
Vllaznia është arsyeja që unë jam ky që jam sot dhe kisha atë karrierë edhe me kombëtaren. Prandaj gjithmonë kur kthehesha në Shqipëri ndihesha mirë vetëm në shtëpi, tek Vllaznia. Pavarësisht se i vlerësoj edhe interesimin e skuadrave të tjera nga Shqipëria karshi meje në periudhën kur isha futbollist aktiv.
Po ashtu patjetër në të ardhmen do kisha dëshirë të isha edhe trajner tek skuadra ime e zemrës, madje unë një sezon isha zëvendës trajner me profesor Hasan Likën në momentin kur ekipi ishte në Kategorinë e Parë e ndihesha shumë krenar për atë pozicion. Aktualisht ndoshta nuk e kam momentin e duhur t’i shërbej Vllaznisë si shkak i largësisë, por në të ardhmen pse jo. Do ishte një tjetër ëndërr e realizuar për mua.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













