EKSKLUZIVE/ Refik Halili vendos objektiv, Tirana duhet ta mbyllë fazën me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2025 | 8:26

EKSKLUZIVE/ Refik Halili vendos objektiv, Tirana duhet ta mbyllë fazën me…

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka dhënë mesazhin e qartë pas fitores së derbit ndaj Partizanit dhe shpërblimit prej 20 mijë eurosh për lojtarët. “Kemi tre ndeshje shumë të rëndësishme për të mbyllur fazën e parë, dhe besoj se testimi më i madh për ne si ekip dhe si klub janë pikërisht këto tre përballje të ardhshme.

refik halili

Çdo ndeshje do të jetë një mundësi për të treguar karakter, bashkëpunim dhe forcën tonë si skuadër”, deklaronte Halili. Dhe objektivi është dhe mbetet i qartë. 9 pikë të plota deri në fund të fazës së parë. Për tre ndeshjet që presin bardheblutë, ndaj Teutës, Vllaznisë dhe Elbasanit, duket se Tirana do të ketë sërish një shpërblim nëse arrin të fitojë të tria.

KALENDARI – Tirana po përgatitet për një seri ndeshjesh vendimtare, dhe kalendari i pesë javëve të ardhshme duket mjaft i favorshëm. Nga pesë ndeshjet e radhës, katër do të zhvillohen në fushën e vet, duke dhënë mundësinë për të përmirësuar bilancin e dobët në shtëpi dhe për t’u ngjitur në renditje. Pas një fillimi të vështirë të sezonit, ku Tirana ka grumbulluar vetëm 5 pikë në 6 ndeshje, rezultatet pozitive janë urgjente. Ndeshja e parë ndaj Teutës do të shërbejë si provë për ritmin dhe moralin e skuadrës, ndërsa përballjet me Elbasanin, Bylisin dhe Vorën ofrojnë mundësi për grumbullim pikësh të çmuara dhe konsolidim në tabelë. Vetëm sfida ndaj Vllaznisë jashtë fushe paraqet një test më të vështirë, por fakti që katër nga pesë ndeshjet e ardhshme do të luhen në shtëpi është një avantazh i dukshëm. Nëse ekipi do të shfrytëzojë maksimalisht këtë mundësi, mund të rikthehet shpejt në garën për kreun e tabelës dhe të qetësojë tifozët e shqetësuar pas startit të dobët.

FOKUSI TE FITORJA – Avantazhi i kalendarit duhet të shfrytëzohet maksimalisht, sepse rezultatet e ndeshjeve në shtëpi do të jenë vendimtare për të përcaktuar drejtimin e sezonit për bardheblutë. Për Tiranën, çdo ndeshje është një provë për karakterin dhe forcën e skuadrës, dhe fitorja konsiderohet një objektiv i pakontestueshëm. Me këtë strategji, bardheblutë synojnë të rikthehen në rrugën e duhur dhe të dërgojnë një mesazh të qartë, Tirana nuk ka ndërmend të humbasë terren në garën për kreun e tabelës.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL