Eliminimi zbulon plagën e Vllaznisë, shkodranët janë në kërkim të një “bomberi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2026 | 11:40

Eliminimi zbulon plagën e Vllaznisë, shkodranët janë në kërkim të një “bomberi”

Një nga repartet që zhgënjeu më së shumti Vllazninë në dy përballjet ndaj Malishevës ishte pa diskutim sulmi. Në 180 minuta lojë, kuqeblutë realizuan vetëm dy gola, një bilanc tepër i varfër për një skuadër që synonte kalimin në turin e dytë të Conference League.vllazniaEdhe më domethënës është fakti se asnjëri prej golave nuk u shënua nga sulmuesit, por erdhën nga repartet e mesfushës dhe të mbrojtjes, duke treguar qartë mungesën e efikasitetit në fazën ofensive. Dyshja Bekim Balaj-Rrok Toma, e cila u rreshtua titullare në të dyja sfidat, nuk arriti të bënte diferencën. Përveç mungesës së golit, sulmi i Vllaznisë prodhoi shumë pak raste të pastra dhe rrallëherë vuri në vështirësi mbrojtjen e Malishevës.

Në një përballje europiane, ku çdo rast mund të vendosë fatin e kualifikimit, kjo mungesë rrezikshmërie rezultoi një nga arsyet kryesore të eliminimit të skuadrës shkodrane. Situata bëhet edhe më delikate për faktin se Rrok Toma do të largohet nga Vllaznia pas përfundimit të aventurës europiane, duke u rikthyer te Partizani, klubi që e huazoi për ndeshjet e Kupave të Europës. Në këto kushte, trajneri mbetet me Bekim Balajn si pikën kryesore të repartit ofensiv, ndërsa alternativat e tjera janë futbollistët e rinj si Gerald Kubazi dhe Aris Ara.

Talenti i tyre nuk vihet në diskutim, por vështirë se mund të konsiderohen një garanci për peshën dhe eksperiencën që kërkon një sezon i gjatë në Superiore. Pikërisht për këtë arsye, sulmi është kthyer në prioritetin kryesor të merkatos së Vllaznisë. Drejtuesit dhe stafi teknik janë në kërkim të një sulmuesi cilësor, i cili të sjellë gola, eksperiencë dhe konkurrencë në repartin ofensiv. Së fundmi është afruar edhe një sulmuesi venezuelian, Perez, por ai do të ketë nevojë për kohë që të përshtatet me ekipin, kampionatin dhe mënyrën e lojës. Për këtë arsye, ai nuk mund të konsiderohet ende një garanci absolute për zgjidhjen e problemeve në sulm.

Me kampionatin që po afron, drejtuesit kuqeblu janë të vetëdijshëm se pa një repart ofensiv më produktiv do të jetë e vështirë të realizohen objektivat e sezonit. Eliminimi nga Europa shërbeu si një sinjal i qartë se Vllaznia ka nevojë për më shumë cilësi përpara portës kundërshtare dhe merkatoja pritet të fokusohet pikërisht te gjetja e një “bomberi” që t’i japë fund problemeve të evidentuara në ndeshjet e para zyrtare të sezonit.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL