Elbasani del me “kokën lart”, Europa jep shpresa për të ardhmen
Elbasani nuk arriti të vazhdonte rrugëtimin në Conference League, por eliminimi nga BATE Borisov nuk zbeh atë që verdheblutë treguan në dy ndeshjet e zhvilluara.
Për herë të parë pas 20 vitesh në Europë, skuadra elbasanase u largua vetëm pas goditjeve të penalltive, duke rivalizuar në çdo moment me një kundërshtar shumë më të kalitur në arenën ndërkombëtare. Përtej zhgënjimit të momentit, Elbasani fitoi diçka po aq të rëndësishme: bindjen se mund të jetë sërish protagonist edhe në skenën europiane.
EKIPI – Dy sfidat ndaj BATE Borisov treguan se Elbasani ka ndërtuar një skuadër konkurruese. Edhe pse gjatë verës pati një revolucion të vërtetë në organikë, me shumë largime dhe afrime, verdheblutë arritën të krijonin një identitet të qartë loje. Në të dyja ndeshjet skuadra nuk u mjaftua vetëm me mbrojtjen, por kërkoi vazhdimisht portën kundërshtare dhe krijoi raste të mjaftueshme për ta fituar kualifikimin brenda 120 minutave. Kjo tregon se grupi ka potencial dhe se puna e bërë gjatë fazës përgatitore ka dhënë rezultat.
PËRVOJA – Rrugëtimi europian i dha skuadrës një eksperiencë që vështirë se mund të fitohet në kampionat. Për shumë futbollistë ishte kontakti i parë me një përballje të këtij niveli, ndërsa për trajnerin Ivan Gvozdenoviç ishte mundësia për të kuptuar edhe më mirë se ku duhet të ndërhyjë për ta bërë ekipin më konkurrues. Elbasani tregoi disiplinë taktike, organizim dhe karakter, por njëkohësisht kuptoi se në Europë diferencën e bëjnë detajet dhe konkretizimi i rasteve.
INDIVIDËT – Nga kjo përballje dolën në pah edhe disa futbollistë që lanë përshtypje pozitive. Igor Aleksovski konfirmoi se ishte zgjedhja e duhur për të zëvendësuar Martin Janaçek, duke qenë vendimtar me pritjet e tij. Ardit Nikaj debutoi me gol në ndeshjen e parë dhe tregoi se mund të jetë një armë e rëndësishme në repartin ofensiv. Edhe Bruno Lulaj udhëhoqi skuadrën me eksperiencën e tij, ndërsa futbollistë si Diallo, Abas Ibrahim dhe Hebaj dhanë kontribut të rëndësishëm në lojën e ekipit.
ÇFARË MBETI PËR TË PËRMIRËSUAR – Nëse diçka i mungoi Elbasanit në këto dy ndeshje, ishte finalizimi. Verdheblutë krijuan raste të pastra si në Elbasan, ashtu edhe në Azerbajxhan, por nuk arritën t’i shndërronin në gol. Pikërisht ky aspekt pritet të jetë një nga pikat ku do të punohet më shumë në javët në vazhdim, ndërsa nuk përjashtohet që drejtuesit të ndërhyjnë sërish në merkato për të rritur konkurrencën në repartin ofensiv.
VAZHDIMËSIA – Tashmë Europa mbetet pas dhe fokusi kalon te kampionati. Elbasani ka kohën e nevojshme për të përgatitur sezonin e ri dhe për të konsoliduar edhe më shumë grupin. Eliminimi nga BATE nuk ndryshon objektivat e klubit, pasi verdheblutë synojnë të jenë sërish mes skuadrave pretendente në Superiore. Dy ndeshjet europiane treguan se baza është krijuar dhe se ky ekip ka potencial për të luftuar në të dyja frontet edhe në të ardhmen.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













