Lojërat Paralimpike Dimërore, raportohen 4 raste me doping

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2026 | 12:40

Lojërat Paralimpike Dimërore, raportohen 4 raste me doping

Komiteti Ndërkombëtar Paralimpik (IPC) ka njoftuar se gjatë Lojërave Paralimpike Dimërore “Milano Cortina 2026” u morën 844 mostra antidopingu, ndërsa u kryen 473 kontrolle, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë.45Sipas raportit të Vëzhguesve të Pavarur të Agjencisë Botërore Antidoping (WADA), u testuan 334 sportistë nga 39 delegacione pjesëmarrëse. Nga testimet u evidentuan katër rezultate analitike pozitive, të gjitha të lidhura me përdorimin e pikave për sy nga sportistë me dëmtim të shikimit.

Pas shqyrtimit të rasteve, IPC konfirmoi se substancat ishin administruar përmes një metode të lejuar mjekësore dhe nuk u ndërmorën masa disiplinore. Raporti vlerëson programin antidoping të IPC-së për profesionalizëm, planifikim efikas dhe përdorim të teknologjisë moderne, duke e cilësuar atë si një model për ngjarjet e mëdha sportive.

Gjithashtu, “WADA” paraqiti 22 rekomandime për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit.

PANORAMASPORT.AL