Spaleti mesazh për Vlahoviç: Dera e hapur por duhet të trokasë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2026 | 15:16

Spaleti mesazh për Vlahoviç: Dera e hapur por duhet të trokasë

Luçiano Spaleti doli në konferencë për shtyp në prag të miqësores së parë verore të Juventusit ndaj Bazelit, duke prekur të gjitha temat kryesore, përgatitjet, merkaton, objektivat e sezonit, situatën e Dushan Vlahoviçit, gjendjen e Kenan Jildiz dhe Kefren Turam, si edhe marrëdhënien me drejtuesit e rinj të klubit.

spaleti

Trajneri bardhezi pranoi se moskualifikimi në Champions League ka lënë shije të hidhur. “Kam kaluar këto javë me një ndjesi të keqe, sepse ne jetojmë me rezultatet. E kemi analizuar atë që nuk funksionoi dhe jemi të bindur se rruga është e duhura, por duhet të ndryshojmë mënyrën se si e përshkojmë atë. Juventusi nuk është skuadër që duhet të ndjekë të tjerët”.

Merkato, mesazh i qartë për klubin
Spaleti nuk e fshehu se skuadra ka nevojë për ndërhyrje në merkato. “Të gjithë e dimë se grupi duhet të përforcohet dhe në disa pozicione duhet të kompletohet. Do të ishte ideale që afrimet të vinin sa më shpejt, por merkato është e vështirë për të gjithë. Ka ende kohë dhe besoj se klubi do ta bëjë punën e duhur”.

“Për titullin jemi ende larg”
Edhe pse kërkon një Juventus më konkurrues, Spaleti nuk e konsideron skuadrën ende pretendente për kampionatin. “Objektivi ynë është të rikthehemi në Champions League dhe të luftojmë në krye të renditjes. Për të folur për titullin kampion, sot për sot jemi ende disi larg”.

“Dyer të hapura për Vlahoviç, por duhet të trokasë”
Një nga temat më interesante ishte e ardhmja e Dushan Vlahoviçit. Spaleti la të kuptohet se vendimi nuk i takon vetëm atij. “Nga ana teknike kam bërë vlerësimet e mia. Çështjet ekonomike nuk varen nga unë. Me Vlahoviçin nuk kam folur që nga fundi i sezonit, por ai e di se si mendoj. Drejtorët tanë i kanë gjithmonë dyert e hapura, por për të hyrë duhet të trokasësh”.

Jildiz, Turam dhe Ekhator
Spaleti konfirmoi se Kenan Jildiz po rikuperohet mirë dhe pritet të bashkohet së shpejti me grupin. “Po e presim me krahë hapur. Pushimi i ka bërë mirë dhe do të ndjekë një program të përshtatur sipas nevojave të tij”. Për Turam, trajneri shpjegoi se mesfushori vazhdon një program të diferencuar për shkak të problemeve fi zike të mbartura nga fundi i sezonit të kaluar. Fjalë shumë pozitive pati edhe për sulmuesin e ri Ekhator. “Ka potencial të madh dhe cilësitë e një sulmuesi modern. Ka ende nevojë të rritet, por është jashtëzakonisht i motivuar. Pas stërvitjes i shkëlqenin sytë dhe kjo tregon dëshirën e tij për të ecur përpara”.

Besim te drejtuesit e rinj
Në fund, Spaleti komentoi edhe ndryshimet në drejtimin e klubit, duke shprehur besim të plotë te drejtuesit e rinj. “Kam besim të plotë te Masara, Karnevali dhe pjesa tjetër e klubit. Janë njerëz me përvojë dhe jam i bindur se do të kompletojnë skuadrën për të na lejuar të kemi ambicie të mëdha. Fusha dhe puna në zyrë duhet të ecin së bashku për ta bërë Juventusin sërish konkurrues”.

PANORAMASPORT.AL