EKSKLUZIVE/ “Nuk më duket logjike”, Faruk Sejdini: Kam dëgjuar se Dinamo ia la Tiranës, ndërsa Partizani Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2026 | 12:39

EKSKLUZIVE/ “Nuk më duket logjike”, Faruk Sejdini: Kam dëgjuar se Dinamo ia la Tiranës, ndërsa Partizani Bylisit

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Faruk Sejdini u ndal edhe te aludimet për tolerime në kampionatin shqiptar, gjë për të cilën shprehet se preferon të mos i besojë edhe pse dyshon.

faruk sejdini

“E di si është puna? Që nga dita që unë kam vënë këmbët te sporti dhe deri sot, e njëjta histori është: ja la, s’ia la. Jo tërësisht me demokracinë, por edhe në kohën kur ishte pushteti popullor, në të gjithë rastet që përfundonte kampionati, “ia la”, kush nuk dilte e bleu, në fakt jo tamam “e bleu”, se në atë kohë s’kishe shifra. Edhe tani, këto ndodhin, kanë ndodhur dhe prapë do ndodhin. Ndoshta nuk dua ta pranoj që kjo është e keqja e madhe, se nuk më pëlqen ta pranoj, por mendoj që kështu janë. Dëgjoj nëpër tavolina, nëpër vende ku jetojmë ne të gjithë bashkë, “Ej, po e humbi Bregu se e çoi topin atje, se e humbi, se…”

Nuk më duket logjike. Bregu e humbi sepse aq ka hapësirë. Dhe Bregu s’është se humbi penalltinë e parë, ka humbur katër, pesë apo gjashtë raste, nuk e di sa ka humbur. Unë nuk mund ta mendoj dhe ta gjykoj që Bregu e humbi sepse Vllaznia “s’ta humbi”. Mendoj unë. Po ka interpretime që ndodhin, ndodh. Sigurisht në botën e futbollit çdo gjë ndodh, por për rastet konkrete nuk e mendoj. Kam dëgjuar nëpër tavolina që edhe Partizani ia la Ballshit se ishte kështu, ishte ashtu.

Po si mund t’ia lërë Partizani, Ballshit, që Ballshi të marrë një pikë dhe të dënohen dhjetë lojtarë të Partizanit me kartonë të verdhë, a pesë, nuk e di, shumë u dënuan. Dhe pastaj dilte e gjithë kjo që Partizani e humbi që të mos dilte në katër. Investimi i gjithë vitit apo i dy viteve të Partizanit, apo i Dinamos, apo i të tjerëve, është që të marrë pjesë në Kupën e Kampionëve, Kupën e Europës apo Kupën e Konferencës, sepse ajo të rregullon pak anën ekonomike. Futbolli shqiptar është për këto shifra, një milion e gjysmë, dy milionë euro. Kur merr pjesë në Kupat e Europës, i rikuperon këto dhe fiton fuqi ekonomike. Kaq është futbolli shqiptar. Të shohësh që Partizani “i la” këto ndeshje, nuk më bind”, tha Sejdini.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL