EKSKLUZIVE/ “Nuk kam folur me Idrizin, në janar diskutojmë gjithçka te Flamurtari”, Moriero: Barazimi me Tiranën nuk na leverdis (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2025 | 17:09

EKSKLUZIVE/ “Nuk kam folur me Idrizin, në janar diskutojmë gjithçka te Flamurtari”, Moriero: Barazimi me Tiranën nuk na leverdis (E PLOTË)

Françesko Moriero, trajneri i Flamurtarit, kërkon ndërhyrje në merkaton e dimrit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, tekniku italian flet për ecurinë e skuadrës, nevojat në formacion dhe vlerëson ndeshjen e fundit ndaj Tiranës.

moriero

Ai thekson se në janar do të ketë një takim me presidentin Sinan Idrizi për të përcaktuar strategjinë e përforcimeve. Në fund, Moriero nënvizon se skuadra duhet të vazhdojë të punojë fort deri në janar, periudhë që sipas tij do të jetë vendimtare për objektivin e mbijetesës.

Flamurtari renditet i fundit në klasifikim me 9 pikë. Ju bind kjo skuadër se mund të qëndrojë në Superiore?

Kampionati është ende i gjatë. Ekipi po rritet dhe barazimi me Tiranën na tregoi se jemi në rrugën e duhur, pavarësisht rezultateve. Duhet të përmirësohemi dhe të mbledhim pikë sa më shumë.

Mendoni se keni nevojë për përforcime në merkaton e janarit?

Projekti ynë është të ecim hap pas hapi, ndeshje pas ndeshje. Por, po, mendoj se ekipi duhet përforcuar në janar. Është e domosdoshme.

Keni folur me presidentin Idrizi për merkaton?

Jo ende. Aktualisht po zbatojmë programin që kemi dhe fokusi është te ndeshjet që na kanë mbetur deri në fund të vitit. Pastaj, në janar, do të ulemi dhe do të diskutojmë gjithçka.

Sa besim ju jep kjo skuadër se do të arrijë fitore të njëpasnjëshme në vijimësi?

Të gjithë duam fitore. Lojtarët e treguan këtë edhe ndaj Tiranës. Në fund bëmë disa ndërrime dhe e kërkuam me ngulm fitoren, por nuk ia dolëm. Për këtë më vjen keq, sepse ekipi dha maksimumin.

Mendoni se ky barazim ju ndihmon?

Është një barazim që nuk na leverdis, kjo është e qartë. Por nuk duhet të harrojmë se zhvilluam një pjesë të parë shumë të mirë. Në vazhdim na ranë forcat. Kemi mungesa të shumta: lojtarë të dëmtuar, të tjerë që erdhën nga kombëtaret vetëm pak orë para ndeshjes. Sidoqoftë, nuk humbëm dhe kërkuam fitoren deri në fund.

Çfarë ndodhi në pjesën e dytë?

Rënia fizike ishte arsyeja kryesore. Todoroski kishte kohë pa u stërvitur dhe pa luajtur. Trashi vjen nga një dëmtimi. Edhe Murataj ra fizikisht. Nuk doja të rrezikoja humbjen, sidomos në një ndeshje që e luanim në shtëpi kundër Tiranës. Do të ishte e pajustifikueshme të dilnim pa pikë.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL