Lezhjanët kanë “ndezur motorët” për sezonin e ri, Plori: Besëlidhja është 80% gati, synojmë Superioren
Besëlidhja ka qenë një nga klubet më aktive në merkaton e verës. Pas rikthimit në Kategorinë e Parë, drejtuesit lezhjanë kanë ndërmarrë një riformatim të thellë të skuadrës, duke afruar futbollistë me eksperiencë dhe cilësi, me synimin për të ndërtuar një ekip konkurrues.

Skuadra ka nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Seanca e parë stërvitore është zhvilluar nën drejtimin e trajnerit Elvis Plori, duke shënuar fillimin e një projekti të ri, ku objektivi është i qartë, ngjitja në Superiore. Deri tani, Besëlidhja ka siguruar disa përforcime të rëndësishme, por merkatoja mbetet ende e hapur. Drejtuesit po punojnë për të kompletuar organikën me futbollistë të tjerë, të cilët do të rrisin nivelin konkurrues të skuadrës. Pas seancës së parë stërvitore, trajneri Elvis Plori u shpreh se grupi është pothuajse i kompletuar. “Skuadra është rreth 80% e plotësuar. Po punojmë për të afruar edhe disa lojtarë me eksperiencë dhe cilësi, të cilët do të na ndihmojnë të jemi sa më konkurrues gjatë sezonit”, u shpreh tekniku lezhjan.
Plori theksoi se faza përgatitore do të shfrytëzohet maksimalisht për të ndërtuar harmoninë e grupit, si dhe për të përgatitur ekipin në aspektin fizik dhe taktik. Ai konfirmoi gjithashtu se Besëlidhja do të zhvillojë disa ndeshje miqësore, të cilat do t’i shërbejnë stafit teknik për të testuar futbollistët dhe për të konsoliduar formacionin përpara nisjes së kampionatit. Me një pjesë të mirë të grupit të ruajtur nga sezoni i kaluar, afrime cilësore në merkato dhe mbështetjen e presidentit Pjerin Fushaj, Besëlidhja synon të jetë një nga skuadrat protagoniste të Kategorisë së Parë. Në Lezhë nuk e fshehin ambicien për të luftuar deri në fund për rikthimin e futbollit lezhjan në elitë, objektiv që konsiderohet plotësisht i arritshëm me projektin e ndërtuar këtë verë.
PANORAMASPORT.AL













