FORMULA 1/ Vershtapen drejt largimit pas shpërthimit kundër Red Bull, ka vetëm një opsion
Pas incidentit në Silverston, zërat për një ndarje të mundshme mes Maks Vershtapenit dhe Red Bullit janë rikthyer më të fortë se kurrë. Ferrari dhe Mercedesi kanë konfirmuar formacionet e tyre për sezonin e ardhshëm, por opsioni MekLaren mbetet ende i hapur.

Tashmë në garazhet e Formulës 1 po flitet për realizimin e mundshëm të një shkëmbimi mes “Super Maksit” dhe Oskar Piastrit në sezonin e ardhshëm. Pasojat e incidenteve të pësuara në sesionin Q3 të Çmimit të Madh të Austrisë dhe në fundin dramatik të Çmimit të Madh të Britanisë, ku Vershtapen humbi një vend në podium, kanë thelluar tensionet në marrëdhënien mes kampionit holandez dhe Red Bullit.
Kjo marrëdhënie duket shumë larg harmonisë që karakterizoi periudhën kur holandezi fitoi katër tituj radhazi botërorë. Deklaratat e ashpra të pilotit pas garës në Britani kanë sjellë një reagim të fortë nga skuadra, e cila thuhet se i ka kërkuar të zbusë tonet dhe të tregojë më shumë respekt e mirënjohje ndaj ekipit që besoi tek ai që në moshë të re, duke e shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të Formulës 1 moderne.
Megjithatë, pavarësisht kontratës që e lidh me Red Bullin deri në vitin 2028 dhe një page prej rreth 70 milionë eurosh në sezon, bashkëpunimi mes palëve mund të marrë fund që në përfundim të këtij viti. Vershtapen raportohet se ka një klauzolë largimi, e cila i lejon të ndërpresë kontratën me skuadrën nëse, në pushimin veror të kampionatit, nuk renditet mes tre pilotëve të parë në klasifikimin botëror.
Aktualisht ai ndodhet në vendin e shtatë, me 103 pikë më pak se Kimi Antoneli. Me vetëm garat e Belgjikës dhe Hungarisë të mbetura në kalendarin e korrikut, është pothuajse e pamundur të rikuperojë një pjesë të konsiderueshme të diferencës.
AKTIVIZIMI I KLAUZOLËS – Nëse Verstappen vendos të aktivizojë këtë klauzolë, ku mund të vazhdojë karrierën? Ferrari dhe Mercedesi janë të “blinduar”, ndërsa mbetet opsioni MekLaren dhe një shkëmbim me Oskar Piastrin. I vetmi ekip i nivelit më të lartë që mund të mbetet një alternativë për Vershtapenin është MekLareni, edhe pse Lando Norris dhe Oskar Piastri janë të dy nën kontratë.
Në paddock po qarkullon ideja e një shkëmbimi të mundshëm mes Red Bullit dhe MekLarenit, ku do të përfshiheshin Maks Vershtapen dhe Oskar Piastri. Sa realist është një skenar i tillë? Në aspektin sportiv, vlera e dy pilotëve nuk konsiderohet e barabartë, çka do të thotë se Red Bulli do të duhej të bënte një kompromis të rëndësishëm. Nga ana tjetër, mbetet për t’u parë nëse MekLareni do të ishte e gatshme t’i ofronte Vershtapenit një pagë prej 70 milionë eurosh në sezon, shifër që ai përfiton aktualisht nga kontrata e tij me Red Bullin.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL













