EKSKLUZIVE/ “Nuk i leverdis asnjërës barazimi”, Çapja flet për sfidën e së hënës: Elbasani në “Final 4”, Tirana mbijeton
Askush më mirë sesa Hetlen Çapja nuk e di se çfarë do të thotë një përballje Elbasani-Tirana. Është nga ata që ka bërë histori me të dyja, duke u shpallur kampion dhe njeh mirë edhe rivalitetin që kanë pasur, sidomos në tribuna.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” para kësaj ndeshjeje, ai pohon se ka mbaruar historia e barazimeve. Çapja sheh verdheblutë paksa më në avantazh, edhe për faktin se luajnë në shtëpinë e tyre dhe se do të jetë Elbasani që do të dalë në fund me tri pikët nga kjo ndeshje. Për ish-in e të dyja ekipeve, Elbasani në fund arrin të marrë pjesë në “Final 4”, duke e ndarë me Partizanin në duelin direkt në fund, ndërsa Tirana do të gjejë forca për të siguruar mbijetesën në javët e mbetura.
Çapja, si e sheh ndeshjen mes Elbasanit dhe Tiranës?
Mund ta konsideroja pa frikë si një derbi, edhe për shkak të rivalitetit që kanë pasur këto dy skuadra. Nga ana tjetër, edhe tifozëritë duket se e përjetojnë jo pak këtë ndeshje. Unë do të shpresoja vetëm të evitoheshin incidentet dhe kam besim se nuk do të ndodhë. Me pak fjalë, do të ketë një rivalitet në fushë dhe tribuna.
Tri të parat janë mbyllur në barazim. Kush fiton këtë herë?
Shoh Elbasanin më të avantazhuar edhe për faktin se vjen pas disa rezultateve më të mira. Është shumë pranë “Final 4” dhe nuk ka më asnjë presion për rënien, duke bërë që të luajnë më të lirshëm. Tirana ndodhet në zonë rreziku dhe luan fort për çdo pikë, por në Elbasan do ta ketë të vështirë. Luajnë në fushën e tyre, me moral më të mirë dhe me mbështetjen e tifozëve, ndaj i shoh më të avantazhuar elbasanasit.
Çfarë duhet të bëjnë ndryshe skuadrat këtë herë që të mos e mbyllin barazim?
Nuk besoj se do të kemi sërish një tjetër barazim. Pikësëpari, nuk i leverdis asnjë skuadre një pikë në këto momente dhe të dyja do të provojnë ta fitojnë. Duhet të jenë më cinikë në sulm dhe të shfrytëzojnë momentet që do të kenë. Siç e thashë, besoj se do të jetë Elbasani ai që merr tri pikët në fund
Si i sheh shanset e Elbasanit për “Final 4”?
Në këto momente i janë afruar shumë vendit të katërt, me vetëm katër pikë diferencë me Partizanin. Të mos harrojmë që në fund kanë edhe një ndeshje direkte së bashku dhe me shumë gjasa mendoj se aty do të zgjidhet gjithçka. Duke parë që Partizani nuk është më ai i dy fazave të para, Elbasani ka të gjitha mundësitë ta arrijë. Kanë një formë më të mirë sesa të kuqtë, ndaj do ta tentojnë deri më fund dhe kam besim se do t’ia dalin.
Po garën e Tiranës për mbijetesë?
Do ta ketë të vështirë dhe rrezikon, por në fund mbijeton. Ka stof dhe futbollistë që ia mundësojnë këtë gjë. Normalisht si po shkojnë gjërat, mund të ndahet në javën e fundit se kush rrëzohet, por shoh më shumë Bylisin dhe Skënderbeun më të rrezikuarat.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













