EKSKLUZIVE/ Ndizet sfida, Idrizi ultimatum te Flamurtari: Vetëm fitore me Partizanin
Tri pikë me Partizanin, prova e karakterit për Fl amurtarin! Pas zhgënjimit shokues në Vlorë ndaj Dinamos, Flamurtari zbret sot në Tiranë me detyrën e qartë; të reagojë. Kuqezinjtë kërkojnë tri pikë me Partizanin. Burimeve pranë klubit thanë për “Panorama Sport”, se presidenti Sinan Idrizi mblodhi dje bordin drejtues në një mbledhje urgjente në prag të ndeshjes me Partizanin.

Idrizi ka dëgjuar me vëmendje të gjitha diskutimet e bordit dhe pas mbledhjes njëzëri i kanë përcjellë stafit teknik mesazhin e prerë për këtë sfidë: fitorja është objektivi i vetëm. Sinan Idrizi nuk ka ndikuar asnjë herë në punët teknike të skuadrës dhe as këtë herë nuk ka presion të drejtpërdrejtë mbi trajnerin Moriero sa i përket formacionit, por ndeshja e sotme pritet të shërbejë si “prova e zjarrit” për disa lojtarë që nuk kanë bindur.
Mesazhi i klubit ka qenë i qartë dhe pa ekuivoke: “Nuk do të tolerohet më nëse situata vazhdon kështu. Duhet të ndryshojë qasja. Vendosni karakterin në fushë, tregoni cilësitë dhe identitetin tuaj”. Ky është një sinjal alarmi që vjen nga bordi drejtues dhe që i kërkon skuadrës të dalë nga apatia e javës së kaluar.
RAMA “TREMB” MORIERON – Françesko Moriero ka mbajtur sekret maksimal për formacionin, madje edhe brenda grupit, por sinjalet nga seanca e fundit stërvitore tregojnë se do të ketë ndryshime të rëndësishme. Mungesa më e madhe është ajo e Diavarasë, i cili është pezulluar për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve. Në vend të tij pritet të aktivizohet Bourard. Urbanez mund të ulet në stol dhe të zëvendësohet nga Murataj, ndërsa Telushi ka gjasa të rikthehet në formacionin titullar. Nunes mund të nisë nga stoli, ndërsa minuta të rëndësishme pritet t’i jepen Magbisa.
Po ashtu, Oshafi, Janku dhe Rahmani janë kandidatë për t’u rikthyer që nga minuta e parë. Pas paraqitjes së dobët kundër Dinamos, edhe Çantakias rrezikon pankinën. Një tjetër detaj që shton presionin është prania në Vlorë gjatë ndeshjes së fundit e drejtorit të Partizanit, Olsi Rama, i cili ka analizuar nga afër performancën e Flamurtarit dhe karakteristikat individuale të lojtarëve. Moriero është i vetëdijshëm se rivali ka studiuar çdo detaj pasi gjithë kohës ka qenë me “bllok” në dorë.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













