EKSKLUZIVE/ “Mungon titulli, sepse për 11 vite mendonin si të rrjepnin Vllazninë”, Hysen Dedja: Në kohën time fitonim që në 10 minutat e para… (E PLOTË)
Hysen Dedja është nga ata trajnerë që ka shkruar emrin e tij si kampion në drejtimin e Vllaznisë, pikërisht në sezonin 1997-1998. Dikur skuadra që drejtonte thyente Tiranën në kryeqytet, e më pas dominonte kampionatin. Por sa shanse ka sot Vllaznia e Mirel Josës të rikthejë titullin në Shkodër? Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Dedja mundohet të analizojë ecurinë e shkodranëve, por jo vetëm, ndërsa komenton edhe për “Klasiken” e së dielës.

Profesor, si ju është dukur ky kampionat pas 11 javësh?
Nëse e shikon kampionatin nga pikët që kanë grumbulluar deri më tani skuadrat, të duket me rivalitet. Mirëpo, nëse shikon ndeshjet javë pas jave, niveli i këtij kampionati është nën mesatar.
Pse niveli nuk është as mesatar, cili është konkluzioni juaj?
Së pari, ne nuk prodhojmë më lojtarë si më parë. Personalisht e kam nxjerr një konkluzion dhe fakti është që në klubet tona, kur kanë një lojtar të ri, që shpërthen si Xhixha te Tirana apo Skuka te Partizani, menjëherë menaxhimi që iu bëhet atyre është të largohen sa më shpejt nga Shqipëria. Ndryshimet e shpeshta që bëjnë skuadrat në përbërje vit pas viti, sigurisht që e ul edhe më shumë nivelin.
Ka ndonjë ekip që ju ka befasuar për mirë dhe ndonjë tjetër që ju ka zhgënjyer, duke qenë larg pritshmërive deri tani?
Deri dy javë më parë më ka bindur Partizani ose më saktë më është dukur një skuadër që bën diferencën sa i përket anës fizike. Nuk është se ka pasur ndonjë cilësi të madhe në lojën e saj, por ka ditur të shfrytëzojë Skukën. Kam menduar se drejton me shumë meritë, derisa bëri dy humbje radhazi. Pastaj, sa i përket Tiranës që tani ka marrë kreun, gjithashtu ka pasur luhatje. Por, ka në përbërje një sulmues cilësor si Xhixha, që shënon shumë.
Përtej nivelit të kampionatit, sërish është një meritë e madhe e vetë lojtarit, që në 11 javë ka realizuar 10 herë. Gjithsesi, mua Tirana nuk më bind, ndërsa sa i përket Vllaznisë që është e treta, edhe ajo ka luhatje të mëdha në lojërat që ka bërë. Përveçse nuk ka prodhuar lojë, edhe në rezultate ka pasur oshilacione. Mirëpo, duke parë kontingjentin që ka Vllaznia, faktin që nuk ka pasur të gatshëm as Latifin, që është lider, por me rikthimin e tij dhe shto këtu kërkesën e llogarisë që ka nga tifozët, unë e shoh pretendente kryesore për titull.
Çfarë ka më shumë ose më pak nga sezoni i kaluar kjo Vllazni, mund të bëni një krahasim?
Nëse e krahasojmë me sezonin e kaluar, kjo Vllazni nuk prodhon lojë. Pavarësisht kontingjentit që ka, sërish ky ekip nuk bën atë futbollin e traditës në Shkodër. Nuk e bën atë lojë që ka bërë në dy sezonet e fundit. Në këto momente po luan si të themi: “ishalla po shënojmë”. Kjo nuk të jep garanci për vazhdimësinë. Megjithatë, është momenti më i mirë për të shfrytëzuar grupin e mirë që ka dhe nivelin mesatar të skuadrave të tjera.
Ka vuajtur për të fituar dhe nuk ka “vrarë” dot ndeshjet, duke e pësuar shpesh në fund. Si e shpjegoni këtë?
Me aq sa kam ndjekur ndeshjet e Vllaznisë, shihet qartë një mungesë përqendrimi maksimal nga lojtarët, sidomos në minutat e fundit. Gjithashtu ka ndikuar shumë edhe cilësia jo e mirë që ky grup lojtarësh ka në fazën mbrojtëse, pra ata që kanë luajtur në ato ndeshje ku edhe pse ekipi ka qenë në avantazh 2-0 është barazuar në fund. Ka të bëjë shumë edhe ana psikologjike. Këta lojtarë nuk kanë treguar autoritet, që të ndiejnë se kur janë në avantazh të dyfishtë, nuk ka shans t’ua kthejnë rivalët. Në psikologjinë e ekipit ka defekte dhe ndodh ajo që ka ndodhur në disa ndeshje në Shkodër.
Si një trajner që e keni shpallur kampion Vllazninë, e keni menduar se titulli kampion do të mungonte kaq gjatë në Shkodër, teksa për herë të fundit është fituar në 2001-shin…?
Është interesante, por ajo që mund të them unë është se ato 11 vite që ka qenë klubi në drejtimin e bashkisë, të mos i kthehen më futbollit të Shkodrës. Ishin vendosur në garë se kush të rripte më tepër klubin dhe jo të mendonin për futbollin. Tashmë kuptohet që me një administrim tjetër dhe ardhjen e presidentit, përgjegjësia është më e madhe.
Në një kampionat ku niveli lë për të dëshiruar, mendoni se është një shans i madh që Vllaznia këtë sezon të luftojë fort për titullin?
Po, padiskutim që po. Vllaznia duhet ta shfrytëzojë maksimalisht këtë nivel që kanë skuadrat e tjera. Këtë e kam diskutuar me shumë miq të mi, ish-trajnerë apo ishlojtarë. Përderisa ka ardhur deri këtu pa Latifin dhe gjithashtu me mungesa të shumta çdo javë, duke futur edhe një lojtar cilësor si Boshnjaku, Vllaznia duhet të shkojë deri në fund patjetër për titullin. Fitorja e fundit që bënë në transfertë me Kukësin e bën shumë domethënës takimin me Tiranën
Çfarë prisni ndaj Tiranës, një ndeshje që do të luhet sërish në stadiumin “Selman Stërmasi”, aty ku Vllaznia fitoi në fazën e parë?
Llogaritë i bën vetë stafi aktual dhe presidenti, por tashmë jemi në kushte të tjera dhe nuk do të luhet në Shkodër. Në këtë ndeshje që luhet sërish në Tiranë, së pari nuk duhet të humbin. Pra, nëse Vllaznia merr një pikë, është OK. Rëndësi ka të mbajë këtë distancë me Tiranën dhe është shumë e rëndësishme të shmangë humbjen. Psikologjinë e ka të mirë, duke qenë se ka fituar në fazën e parë në këtë stadium.
Kur drejtonit Vllazninë në sezonin 1997-1998, një fitore me Tiranën në “Selman Stërmasi” ju çoi drejt titullit. Si e kujtoni atë kampionat?
Po, e kujtoj shumë mirë atë ndeshje. Na ka dhënë një shtysë të madhe drejt titullit dhe shpresoj të ndodhi sërish kështu me Vllazninë. Kemi mundur një Tiranë me lojtarë shumë të mirë dhe që kishte Fortuzin në sulm. Në atë periudhë futbolli jo vetëm që ka qenë shumë i fortë, por kemi pasur edhe futbollistë më cilësorë në të gjitha klubet.
Kam nostalgji për vitin 1998 dhe shpesh i shikoj videot e atyre ndeshjeve, sidomos në Shkodër. Vllaznia që drejtoja, duke përjashtuar një barazim 0-0, fitoi çdo ndeshje në “Loro Boriçi”. Atë sezon i mbyllnim historitë e fitoreve që në 10 minutat e para të ndeshjeve, ku atmosfera e krijuar në stadium ka qenë fantastike. Kishim grup shumë të mirë dhe me djem të rinj, mes tyre Sinanin, që ishte vetëm 19 vjeç.
JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL













