EKSKLUZIVE/ Moriero me strategji të re, Flamurtari ndryshon objektivin kryesor për sezonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2025 | 9:01

EKSKLUZIVE/ Moriero me strategji të re, Flamurtari ndryshon objektivin kryesor për sezonin

Edhe pse sezoni ka ni sur me zhgënjime në kampionat, ku Flamurtari ndodhet në fund të klasifikimit me vetëm dy pikë të grumbulluara, në Vlorë nuk ka vend për dorëzim. Klubi kuqezi e ka kthyer vëmendjen tashmë nga Kupa e Shqipërisë, një kompeticion ku synon të rigjejë veten, të rikthejë besimin dhe mbi të gjitha të shpresojë për një përfaqësim dinjitoz në arenën ndërkombëtare.

flamurtari

Sipas burimeve pranë klubit, Kupa është shpallur tashmë objektivi kryesor sezonal, dhe vlonjatët do të bëjnë gjithçka për të shkuar sa më larg në këtë garë, ndoshta deri në finale dhe fitimin e saj. Përballja e parë për Flamurtarin në Kupën e Shqipërisë është ajo ndaj Naftëtarit, një skuadër që në letër duket inferiore, por që nuk duhet nënvlerësuar, veçanërisht në ndeshjet me eliminim direkt.

Takimi do të zhvillohet sot në stadiumin e Orikumit, për shkak të gjendjes jo të mirë të fushës së stadiumit të Flamurtarit, pavarësisht investimit të bërë gjatë muajve të verës. Trajneri Francesco Moriero ka përgatitur skuadrën me seriozitet për këtë takim dhe ka paralajmëruar disa ndryshime në formacion, duke parë edhe përballjen e rëndësishme në kampionat që i pret ndaj Partizanit.

Pritet që në këtë ndeshje të aktivizohen disa lojtarë që deri më tani kanë pasur minuta të pakta, si një mënyrë për të ruajtur freskinë e skuadrës dhe njëkohësisht për të testuar alternativat. “Kupa është një kompeticion ku nuk ka vend për gabime. Çdo ndeshje është vendimtare dhe nuk kemi luksin të nënvlerësojmë askënd. Do të mundohemi të gjejmë ekuilibrin e duhur mes eksperiencës dhe entuziazmit të lojtarëve të rinj,” është shprehur Moriero në prag të ndeshjes përpara futbollistëve.

KLUBI BESON TE KUPA – Drejtuesit e Flamurtarit kanë zhvilluar një takim me skuadrën dhe stafin teknik për të përcaktuar qartë rëndësinë e këtij kompeticioni. Sipas tyre, kjo është një mundësi e artë për të përmirësuar sezonin dhe për të rikthyer entuziazmin te tifozët, të cilët kanë qenë të zhgënjyer nga rezultatet në kampionat.

“Shkoni sa më larg në Kupë. Kemi besim te grupi dhe te aftësitë individuale të secilit. Mos harroni se kjo është një rrugë e shkurtër drejt Europës”, ishte mesazhi i qartë i drejtuesve për skuadrën. Për një ekip me histori si Flamurtari, një sezon pa objektiva do të ishte i papranueshëm. Duke qenë se kampionati duket gjithnjë e më sfidues, Kupa mbetet e vetmja dritë në fund të tunelit për të shpëtuar këtë edicion dhe për të synuar kthimin në kupat e Europës.

Takimi i sotëm ndaj Naftëtarit është më shumë se sa një përballje e raundit të parë në Kupë. Është një test për karakterin e skuadrës, një mundësi për të nisur një rrugëtim ndryshe dhe për të lënë pas krizën që ka përfshirë ekipin në javët e para të kampionatit. Me një skuadër të rinovuar dhe me dëshirën për të ringritur emrin e Flamurtarit, kjo ndeshje shënon fillimin e një kapitulli të ri. Tifozët presin reagimin, drejtuesit kërkojnë rezultate, dhe skuadra ka mundësinë të tregojë se ende nuk ka thënë fjalën e fundit.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL