EKSKLUZIVE/ Mesfusha është në “alarm”, Partizani tenton më të kërkuarin e Superiores (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2025 | 22:31

EKSKLUZIVE/ Mesfusha është në “alarm”, Partizani tenton më të kërkuarin e Superiores (E PLOTË)

Partizani duket në një “ngërç” sa u përket afrimeve, pasi deri më tani të kuqtë nuk kanë arritur të mbyllin me sukses asnjë operacion transferimi. Ndërkohë që janë zyrtarizuar disa largime, afrimet janë ndalur me Shalën, që ka ardhur para se mbyllej sezoni.

EGNATIA

Të kuqtë janë në lëvizje për afrimet e disa lojtarëve, teksa “Panorama Sport” mëson se një prej tyre është edhe Arbin Zejnullai, një nga mesfushorët më të fortë të Superiores në sezonet e fundit.

PRAPASKENAT – 26- vjeçari ka mbyllur kontratën me Egnatian dhe rinovimi me rrogozhinasit ka ngecur për arsye ekonomike. Në këtë situatë, drejtuesit e Partizani kanë ndërhyrë dhe kanë takuar palën e lojtarit për të diskutuar një bashkëpunim të mundshëm.

Bisedimet deri më tani kanë qenë të vazhdueshme, por ende lojtari nuk ka kthyer një përgjigje, ndoshta i tunduar edhe nga ofertat e tjera që mund t’i vijnë përreth. Në ditët në vijim është caktuar edhe një takim i fundit, çka do të vërë pikat mbi “i”. Fakti është që të dyja palët kanë dëshirën për të bashkëpunuar.

Screenshot 2025-06-02 081000

KONKURRENCA – Bëhet fjalë për një nga lojtarët më të mirë të kampionatit tonë, çka nuk do mend se në lëvizje për Zejnullain janë edhe klube të tjera me pretendime të Superiores. Egnatia kërkon të rinovojë, ndërsa Dinamo dëshiron të fitojë një tjetër “derbi”, pas atij për sulmuesin e Burrelit, Florenc Farruku.

NEVOJA – Prania e një lojtari me cilësitë e Zejnullait është më shumë se nevojë te Partizani, është detyrim. Fitues i pesë trofeve me Egnatian, tetovari ka gjithë bagazhin dhe cilësinë e nevojshme për ta bërë mesfushën e kuqe një nga më të mirat, por edhe për të ndikuar në rritjen e të rinjve si Gjergji Kote apo Dion Vata, i cili firmosi së fundmi kontratën e tij të parë si titullar.

Mbetet të shihet sesi do të vijojnë ngjarjet, me Partizanin, që ka edhe pista të tjera të hapura për afrime dhe një e tillë është ajo e Ismet Sinanit. Ky i fundit vijon të jetë në kontakt me “Demat” për një transferim të mundshëm nga Klodiense në Serinë C.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL