EKSKLUZIVE/ “Më ka surprizuar Vora, ‘gjullurdi’ e madhe me Flamurtarin”, Shpëtim Duro: Merkato s’bind, përse nuk luan Kote? (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2026 | 23:42

EKSKLUZIVE/ “Më ka surprizuar Vora, ‘gjullurdi’ e madhe me Flamurtarin”, Shpëtim Duro: Merkato s’bind, përse nuk luan Kote? (E PLOTË)

Në një intervistë për “Panorama Sport”, një nga trajnerët me më shumë eksperiencë në kampionatin shqiptar, Shpëtim Duro, foli rreth situatës së Partizanit në këtë sezon.duro

Tekniku që e ka drejtuar skuadrën kryeqytetase në tre epoka të ndryshme, u shpreh skeptik për shanset e të kuqve për të mbërritur në “Final Four” në fundin e kampionatit. Ndër të tjera, Duro komentoi edhe merkaton e Partizanit duke shtuar se lojtarët që janë afruar deri më tani nuk kanë ndonjë diferencë me futbollistët që ishin pjesë e skuadrës në gjysmën e parë të sezonit. Në fund, Duro vlerësoi Vorën si surprizën e bukur të kampionatit në këtë sezon ndërsa u shpreh se pavarësisht mungesës së emrave “big” në organikë, vorakët kanë mundur të nxjerrin në pah forcën e grupit, duke u mbështetur te lojtarët shqiptarë.

Duke nisur edhe nga ndeshja me Elbasanin, duket sikur këtë sezon Partizani pëson disa gola të lehtë, si mund të rregullohet ky difekt?

Rezultatet janë “kokëfortë” ashtu si edhe treguesit teknikë. Çfarë kam parë unë te Partizani është që skuadra ka marrë shumë gola dhe është gati barazim me skuadrat e fundit që po ashtu kanë marrë shumë gola. Këtu janë pikët, merr gola shumë lehtësisht dhe në shifra me golat e pësuar është përafërsisht si Bylisi apo Vlora. Kur merr gola në këtë formë, atëherë edhe pikët mungojnë. Ka probleme, edhe pse unë e kam thënë gjithmonë që Partizani ka organikë shumë të pasur. E ka pasuruar edhe më shumë me merkaton e dimrit, jo se ka pasur shumë nevojë për lojtarë të rinj, por ashtu e gjykojnë drejtuesit e klubit.

Skuadrën e ka, por rezultatet janë me shumë oshilacione, rrezikon që të mbetet jashtë “Final Four”. Edhe pse katër skuadrat që janë në “Final Four” deri tani po bëjnë gabime si Dinamo apo Egnatia, përsëri skuadrat që kërkojnë të ngjiten, nuk po përgjigjen dhe nuk kanë reagimin e duhur. Të marrësh shumë gola dhe të kesh oshilacione, bëhet më pas shumë e vështirë për të rikuperuar sidomos tashmë që jemi në gjysmën e dytë dhe të fundit të kampionatit.

Shanset për “Final Four” përfundimisht të shuara? A ka rrezik Partizani nga skuadrat që i vijnë nga pas?

Në futboll mund të ndodhë gjithçka, ka edhe shumë ndeshje, është gjysma e kampionatit. Por, unë them që katërshja e parë është e stabilizuar dhe me këto gabime që po bëjnë Partizani e Teuta që janë disi më afër, nuk besoj se mund t’i rrezikojnë katër skuadrat e para. Pavarësisht që ato bëjnë gabime, përsëri ato katër të parat janë aty dhe katërshja janë ato dhe ky objektiv për skuadrat e tjera duket i përfunduar. Katërshja e parë do të diskutojë titullin kampion, mbetet vetëm objektivi për të marrë Kupën që është shumë i rëndësishëm. Sa i takon skuadrave që vijnë poshtë Partizanit dhe a rrezikojnë prej tyre, vlen të shihet vazhdimësia sepse ka një ndeshje në Ballsh, nuk e ka të lehtë. Nëse gabon, edhe Partizani, por edhe Teuta që po më çudit me gjithë ato investime që ka bërë, atëherë rrezikojnë edhe ato. Sepse edhe skuadrat në fund po afrohen, Tirana është në “valle” totalisht për mbijetesë sepse ishte jashtë dhe do të luftojë deri në fund me Bylisin dhe Flamurtarin.

Si ju duket merkatoja e Partizanit? Ka afruar emra si Qaka, Shabani apo edhe rikthimi i Murataj?

Partizani nuk ka çaluar për lojtarë, Shabanin nuk e njoh pasi nuk e kam parë. Të tjerët kam njohuri, e kam parë edhe këtë Sidibe. Mund të them se nuk kanë diferenca me lojtarët që kishte Partizani në organikë, që të largosh një si Bintsuka që luan në shumë pozicione dhe që në këto dy vite ka qenë lojtar kryesor dhe të marrësh Sidibe… Nuk është se bëhet fjalë për lojtarë të këqinj, unë i njoh dhe Qaka ka eksperiencën, por nuk bëjnë diferencën me lojtarët që kanë. Shikoj aty një lojtar të perspektivës siç është Kote dhe të mos luajë fare në një moshë të re, me potencial. Unë të isha aty, do të kisha më shumë interes, por ashtu do të kishte interes edhe klubi, që të luajë një lojtar i ri me potencial dhe që shihet si e ardhmja për Partizanin.

Kështu, që unë ardhjet e merkatos së janarit nuk i shikoj që bëjnë diferencën dhe sërish skuadra do të mbështetet te lojtarët që ishin. Kështu, sado që kanë marrë sulmues, sërish Skuka është ai lojtari kryesor në ofensivë për Partizanin. Kur merren lojtarë, një ose dy, duhet të jenë shumë më cilësorë, sidomos në merkaton e janarit kur organika është gati dhe skuadra është prezente. Përndryshe, nuk ka vlerë dhe krijon mbivendosje në skuadër dhe krijon probleme.

Cila skuadër duket si më e kompletuara për titullin?

Kampionati është shumë i fortë pavarësisht rezultateve sepse jemi të ndërgjegjshëm që të gjithë kanë investuar shumë duke nisur nga Vlora, që e nisi me shumë pompozitet dhe deri te skuadrat e para. Katërshja e parë nuk ka diferenca, janë skuadra shumë të forta, të kompletuara me të gjitha repartet. Kanë patur oshilacione dhe kriza momentale si Vllaznia që pati një moment, por ka njëm rritje të dukshme në kohët e fundit.

Ka patur oshilacione edhe Dinamo, Elbasani, po ashtu Egnatia ka një krizë. Por, është po kjo katërshe dhe unë nuk shoh diferenca, këta do të shkojnë deri në fund dhe në vetëm në fund do të zgjidhet kjo çështja e titullit. Më ka befasuar si debutim, jo vetëm se ka pikët dhe është në mesin e renditjes, skuadra e Vorës. Skuadër që tregon se me lojtarë jo shumë cilësorë, di të nxjerrë në pah forcën grupit. Ka shumë lojtarë në të gjitha repartet dhe është shumë e vështirë si skuadër për ta mundur, skuadër që po befason për mirë.

Për t’u theksuar se Vora ka edhe shumë lojtarë shqiptarë në organikë, ndryshe nga të tjerët apo jo?

Kjo është. Unë merkaton e kam merak dhe dallohem. Në Shqipëri vazhdojnë të bëjnë merkato sa për hir të merkatos. Marrin lojtarë siç ishte shembulli tipik i Flamurtarit në verë, një gjullurdi e jashtëzakonshme. Marrin lojtarë që nuk i njihnin me shuma të jashtëzakonshme financiare, duke i sjellë në një realitet tjetër duke përfunduar shumë keq. Lojtarët kur i merr duhet t’i njohësh mirë parametrat dhe nëse merr një lojtar që nuk e njeh, duhet të konsultohesh dhe të pyesësh shumë për të gjitha ato që karakterizojnë lojtarin, edhe për fiksimet e tij.

Këtu i marrin lojtarët e huaj sa për të thënë edhe kur ke dy lojtarë në atë pozicion, sërish e merr dhe i bën tre. Bëjnë mbivendosje të kota, ndërtimi i një skuadre për mua është gjëja kryesore. Shikoni Tiranën, ata kanë bërë mirë në merkaton e janarit pasi mori disa lojtarë që njiheshin, unë i njoh janë dy apo tre lojtarë cilësorë që vijnë nga Shkupi, por hoqi edhe shumë lojtarë. Kështu që po nuk largoi lojtarë, skuadra nuk mund të marrë.

Flamurtari kishte skuadër të mirë vitin e kaluar, ishin disa futbollistë shqiptarë me eksperiencë, por i mbivendosën lojtarë që nuk e njihnin futbollin shqiptar dhe përfundojnë në situatën që janë tani, megjithëse buxheti është i jashtëzakonshëm. Kështu, merkato kërkon që të jesh shumë i kujdesshëm. Unë te Partizani nuk shoh një merkato cilësore, ata janë lojtarë të mirë që kanë ardhur, i njoh, por jo se bëjnë diferencë me pjesën tjetër që ishin në skuadër.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL