EKSKLUZIVE/ Lorran: Derbi na la shije të keqe, por Dinamo reagon shpejt dhe kthehet në krye

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2025 | 18:50

EKSKLUZIVE/ Lorran: Derbi na la shije të keqe, por Dinamo reagon shpejt dhe kthehet në krye

Me barazimin në derbin ndaj Partizanit, që në kampin blu e konsiderojnë të pamerituar në raport me lojën që u zhvillua, Dina zbriti një shkallë në tabelën e klasifikimit.

lorran

Skuadra e Dajës është e treta, me pikë të barabarta me të kuqtë, ndërsa kreun e ka marrë Egnatia. Braziliani Lorran, i cili është lojtari më i aktivizuar në radhët e Dinamos (22 ndeshje), pohon në intervistën e mëposhtme për “Panorama Sport” se barazimi në derbi la një shije te keqe, por për 29-vjeçarin kjo është pjesë e futbollit dhe skuadra duhet të shohë përpara. Mbrojtësi i majtë thekson se ka forcë dhe një grup të kompletuar, ndërsa kreun mund ta marrë sërish vetëm me punë e vlerësim, siç ndodhi në fund të vitit që shkoi. Lorran ka besim se sezoni aktual do të sjellë një trofe për Dinamon.

Lorran, ju ka mbetur ndonjë “peng” nga ndeshja me Partizanin, ku barazuat 1- 1 në fushën e rivalit?

Besoj se pas atij barazimi na ka mbetur të gjithëve një shije e hidhur për rezultatin, sepse Dinamo kishte kontrollin e lojës dhe meritonte më shumë se një pikë. Kishim rastet tona dhe ishim dukshëm më mirë se kundërshtari. Partizani arriti të na barazonte në kohën shtesë për shkak të gabimeve tona, por ky është futbolli. Ka edhe befasi të tilla. Në ndeshjen e fazës së parë ishim ne që shënuam në kohën shtesë kundër tyre dhe barazuam 2- 2, kurse këtë herë pësuam gol në fund dhe na u mohua fitorja.

Sa ndikuan mungesat që kishit në derbi?
Realisht kishim mungesa të rëndësishme në atë takim, që nga kapiteni Dita. Po ashtu, nuk ishin të gatshëm lojtarë si Karamba dhe Tolit, të cilët kanë luajtur më shpesh në formacion gjatë kampionatit, apo edhe portieri Sali. Megjithatë, Dinamo ka një grup të fortë dhe të kompletuar lojtarësh, jo vetëm njëmbëdhjetëshin titullar. Kushdo që hyn në fushë, duhet të përfitojë nga mundësitë që i jepen nga ana e stafit teknik. Mungesat nuk duhet të jenë justifikim asnjëherë te skuadra jonë.

Tani vijnë dy ndeshje radhazi në pak ditë me Skënderbeun, në kampionat dhe Kupë. Çfarë prisni në këto dy sfida?
Ndeshjet janë gjithmonë të vështira, edhe kur luan me një kundërshtar që mban vendin e fundit në renditje. Nuk ka ndeshje të lehta në kampionat dhe ne po përgatitemi maksimalisht, sepse duhet të fitojmë me Skënderbeun dhe kundërshtarët e tjerë, që të kapim objektivat që ka klubi për këtë sezon.

Si e shikon Lorran ecurinë e Dinamos në kampionat, ku e shikoni këtë skuadër në fund?
Kemi një ekip shumë të fortë, e dimë forcën tonë dhe mendoj se i kemi të gjitha kushtet për të qenë në krye të renditjes, por vazhdojmë të punojmë me “këmbë në tokë”. Me punë arritëm deri këtu dhe do të përpiqemi për gjera më të mëdha po me punë.

A ka nevojë Dinamos për ndonjë përforcim tjetër në merkato?
Këtë pyetje do t’ia lija trajnerit tonë dhe gjithashtu bordit drejtues të klubit. Nuk është puna e ne lojtarëve, gjithmonë drejtuesit e dinë më mirë se çfarë është më e mira për Dinamon.

Sa mundësi ka skuadra juaj që të fitojë një trofe këtë sezon, duke qenë se është në lojë në të dy kompeticionet?
Besoj shumë se mund të fitojmë një trofe, por duhet të punojmë edhe më shumë. Besoj po ashtu se Zoti do të na bekojë që ta çojmë përsëri Dinamon në krye të renditjes në Superiores.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL