EKSKLUZIVE/ Kristi Qose flet pas dy rrjetave ndaj Tiranës: “Final 4” është i Elbasanit, ja kujt ia dedikova golat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2025 | 22:40

EKSKLUZIVE/ Kristi Qose flet pas dy rrjetave ndaj Tiranës: “Final 4” është i Elbasanit, ja kujt ia dedikova golat

Elbasani kishte një hero mbrëmjen e djeshme në “Elbasan Arena”. Ai ishte Kristi Qose, që me dopietën e tij përmbysi Tiranën dhe mban gjallë shpresat e verdhebluve për “Final 4”.qoseNë intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, mesfushori rrëfen dy golat e parë me Elbasanin dhe cilit ia dedikon ato. 29-vjeçari ka besim se Elbasani do t’ia dalë për “Final 4”, por duhet të qëndrojnë me “këmbë në tokë” dhe t’i shohin ndeshjet si finale. Pret maksimumin edhe ndaj Egnatias këtë fundjavë, edhe pse e ka të qartë se përballë janë kryesuesit dhe kampionët.

Qose, sa i lumtur jeni për golat dhe fitoren?
Normalisht që jam i lumtur, sepse më fund i dhanë edhe fitoren skuadrës. Megjithatë, duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse janë ende edhe katër ndeshje për t’u luajtur dhe nuk ka mbaruar asgjë. Shyqyr mungoi Musta se na i kishte marrë gjithmonë çmimet ai (qesh).

E prisnit përmbysjen dhe sa besim kishit?
Kishim besim te përmbysja, sepse po luanim me shpirt në fushën e lojës dhe po dominonim për shumë minuta. E tentuam deri në fund dhe ia arritëm.

Si ju duk atmosfera në stadium?
Shumë e mirë, e zjarrtë. Tifozët na kanë mbështetur dhe shpresoj të jetë kështu në çdo ndeshje. Janë një armë plus për ne.

Kujt ia dedikoni golat?
Ia dedikoj babait tim që erdhi sot (dje) në stadium dhe vajzës sime, që lindi para tre muajsh.

Ndeshja e radhës me Egnatian, si e prisni?
Çdo ndeshje është e vështirë. Nuk ka rëndësi nëse luan ndaj vendit të parë apo të fundit. Detyra jonë është të japim maksimumin në fushë, siç kemi bërë gjithmonë. Të shpresojmë te fitorja për t’u ngjitur akoma më lart.

Katër pikë pas Partizanit, si e shihni garën për “Final 4”?
E vështirë, por kemi shpresa ende. Kemi edhe një ndeshje me Partizanin në fund. Ne do të bëjmë punën tonë dhe të shohim pastaj se deri ku mund të shkojmë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL