EKSKLUZIVE/ Kapiteni Dita sheh kthesën ndaj shkodranëve: Moment “Jo”, por Dinamo reagon me Vllazninë (E PLOTË)
Dinamo ka shtuar radhët gjatë kësaj jave, me disa lojtarë që kanë lënë pas dëmtimet dhe i janë bashkuar grupit, ndërsa trajneri Daja do të vendosë se cili prej tyre do të jetë titullar të shtunën ndaj Vllaznisë.
Meksi ka shlyer kartonët, kurse Dita, Sali dhe Bregu po shkojnë drejt rikuperimit të plotë. Kapiteni Bruno Dita u mungon bluve që para ndeshjes me Elbasanin, kur u dëmtua gjatë nxemjes. Mesfushori që po luan si qendërmbrojtës, në një intervistë për “Panorama Sport”, thekson se ndeshjet e fundit kanë qenë vetëm një moment “jo” i Dinamos dhe beson te rikthimi te fitorja këtë fundjavë. Me plotësimin e grupit, Dita mendon se skuadra do të rikapë nivelin e fazës së dytë të kampionatit, kur zhvillonte lojëra të mira dhe merrte rezultate më të mira.
Bruno, së pari si është gjendja juaj pas dëmtimit që ju ka lënë jashtë për disa ndeshje?
Tani ndihem mirë. Jam bashkuar me grupin që në fund të javës së kaluar, por kuptohet që kam qenë jashtë për disa javë dhe nuk jam në gjendjen optimale. Gjithsesi, jam gati për ndeshjen me Vllazninë.
Si e keni parë skuadrën në këto javë të fundit nga tribuna apo dhe nga stoli së fundi ndaj Teutës?
Mendoj se ka qenë një moment “Jo” për Dinamon. U bënë disa ndeshje që nga derbi me Partizanin, ku nuk kemi shkuar më shumë se barazimi dhe kemi lënë disa pikë. Kurse për ndeshjen me Teutën do të thosha se është për t’u harruar sa më parë, sepse skuadra ishte larg asaj që di të bëjë. Janë situata që ndodhin gjatë një sezoni dhe shpresoj që Dinamo ta ketë kaluar tashmë këtë moment të keq, për t’u rikthyer si më parë. Edhe mungesat kanë pasur ndikimin e vet. Nuk është justifikim, sepse çdo skuadre i ndodh të ketë mungesa, por ne na u bënë shumë mungesa bashkë në të njëjtën kohë. Tani ekipi po plotësohet dhe besoj se do të reagojmë shpejt.
Këtë javë përballeni me Vllazninë, një nga rivalët e “Final 4”. Çfarë Dinamoje do të shohim të shtunën?
Besoj një Dinamo ndryshe nga ajo e javëve të fundit. Tani është momenti të tregojmë se jemi vërtet një skuadër që pretendon të fitojë trofe këtë sezon. Kam shumë shpresa se me rikthimin e disa lojtarëve Dinamo do të shprehet më mirë në fushë dhe do të rikthehet te fitorja e munguar prej disa javësh. Plus kësaj, Vllaznia, siç dihet, është një skuadër që të lejon të luash futboll dhe kam mendimin se do të jetë një ndeshje e bukur në Elbasan. Dinamo ka detyrimin të reagojë, duke vlerësuar çdo moment të ndeshjes dhe duke luftuar për çdo top, që të rigjejmë fitoren.
Me Vllazninë sikur ju ka ecur këtë sezon, pasi e keni mundur në dy ndeshjet e mëparshme…
Po, e kemi mundur dy herë. Sidomos ndeshja e luajtur në Shkodër ka qenë mjaft e mirë për ne. Por kjo nuk do të thotë gjë, sepse ndeshjet ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra dhe situatat që kalojnë skuadrat në momente të caktuara të sezonit, janë të ndryshme. Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën, kjo është e sigurt.
Keni zbritur në vend të 4-t dhe pozicionet e 4 skuadrave në “Final 4” kanë ndryshuar së fundi. Si e sheh Dita vazhdimin e kampionatit?
Ka edhe shumë ndeshje kampionati deri në mbyllje të tij, para se të fillojë “Final 4”. Besoj se sërish do të ketë ndryshime në vendet e kreut. Ne duhet të bëjmë Dinamon, të rikthehemi në nivelin që kapëm në fazën e dytë, pastaj pozicioni do të shihet në fund. Ajo që ne të gjithë besojmë, është se Dinamo meriton më shumë se vendi i 4-t.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL













