EKSKLUZIVE/ “Jo dakord me katërshen, i bie të dalësh dy herë kampion”, Artan Bano: Egnatia e fortë, finalen me Vllazninë e shoh 50 me 50

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2025 | 21:59

EKSKLUZIVE/ “Jo dakord me katërshen, i bie të dalësh dy herë kampion”, Artan Bano: Egnatia e fortë, finalen me Vllazninë e shoh 50 me 50

Egnatia është shumë pranë arritjes së titullit të dytë kampion në Superiore, pasi ka shkuar deri në finalen ku do të sfidojë Vllazninë më 12 maj.

BANO 1

Pas humbjes në kupë me Dinamon pak ditë më parë, ky është titulli i vetën që mund të fitojë këtë sezon, një mundësi që rrogozhinasit nuk duan që t’u ikë nga duart. Për pritshmëritë e kampionëve flet ekskluzivisht për “Panorama Sport” një ish-i kësaj skuadre, si futbollist edhe trajner, Artan Bano. Lushnjari e thotë pa frikë se Egnatia është ekipi më i mirë i futbollit shqiptar, me diferencën që e bën stoli.

“Të jemi realist, Egnatia është ekipi më i mirë i kampionatit shqiptar. Nuk është ai i kampionatit të vitit të kaluar ku bënte diferencën e madhe, por edhe këtë vit e bën diferencën me kualitetet që ka në formacion edhe stol, të cilin e ka të kompletuar. Kjo ishte një nga arsyet që përballoi Partizanin pas 72 orësh, edhe pse luajti me Dinamon 120 minuta. Për fat të mirë këto ndeshjet e fundit nuk kanë pasur dëmtime dhe t’i kenë gati për ndeshjen finale”, u shpreh fillimisht për gazetën Artan Bano.

FINALJA – Ish-futbollisti i njohur thekson se ishte logjike dalja e Egnatias në finale, edhe pse vinte pas një lodhje të madhe në kupë me Dinamon. Sipas tij, një ekip si rrogozhinasit nuk mund të gabonin dy herë rresht. “Dalja në finale është diçka që pritej dhe brenda logjikës, edhe për shkak se ka qenë ekipi më i mirë. Kupën e Shqipërisë nuk e mori dot, ndoshta edhe për fat, ndoshta nuk është bërë mirë diçka apo ka qenë shumë të ngarkuar. Më shumë për mua ishte psikologjike, edhe nga rezultati i ndeshjes ndikoi, sepse ishin dy herë në disavantazh. Nuk e pamë dot në avantazh që të shihnim sesi do të reagonte Dinamo pastaj më vonë. Një ekip i mirë si Egnatia nuk mund të gabojë dy ndeshje rresht brenda pak ditësh. Kualifikimi me Partizanin ishte i merituar, duke pasur parasysh që të kuqtë pas dy fazave larguan disa futbollistë shumë cilësorë edhe deri – diku mendohej se nuk do ta përballonte dot me cilësinë që kishte. Edhe pse në fund i pat dy-tri episode për të shënuar dhe shkuar në finale, por gjithsesi Egnatia e meritoi”, vijoi më tej lushnjari.

FAVORITI – Për trajnerin e njohur, një finale si kjo mes Vllaznisë dhe Egnatias nuk ka favoritë, edhe pse rrogozhinasit kanë një përparësi për shkak të stolit më të mirë. “Finalen e shoh 50 me 50, duke pasur parasysh që nuk është më Egnatia e vitit të kaluar dhe nga ana tjetër Vllaznia është e etur, pasi u bënë mbi 20 vite që nuk del kampion. Përparësia e Egnatias mendoj se është stoli, pasi e ka me më tepër kualitet sesa Vllaznia. Sa i përket ndeshjes, do të jetë e hapur dhe nuk ka favoritë. Për mua, është më tepër edhe psikologjike, kush do ta ketë anën psikologjike më të fortë dhe kush do durojë më shumë, ai ekip do të triumfojë”, u shpreh Bano.

PRESIONI – Në lidhje me presionin, ai mendon se do të jetë në krahun e Egnatias, sepse rrezikon ta mbyllë pa trofe. “Absolutisht që është nën presion. Për mua është një ndeshje që do ta zgjidhin episodet. Janë ato episodet e para që ndryshojnë shpejt avantazhin me disavantazhin. Ndryshon shumë shpejt situatën, mënyrën sesi duhet të rrish në fazën mbrojtëse, mënyrën sesi duhet të durosh. Ndaj, nuk mund të parashikojmë dot, sepse nuk e dimë se si do të vijnë situatat. Finalet janë paksa edhe të çuditshme, sepse mund të ndëshkohesh me një 11-metërsh apo karton të kuq dhe merr tjetër rrjedhë loja nga ajo që kishe parashikuar”, theksoi në fjalën e tij Artan Bano.

FORMULA – Në fund, si një njohës i mirë i futbollit shqiptar, Bano flet edhe për formulën e kampionatit. Ai shpreson që të gjenden mekanizmat të shtohen dy skuadra dhe të bëhet si e Para, teksa sipas tij, këtë gjë e kanë në dorë vetë aktorët për ta vendosur. “Që në fillim, nuk kam qenë shumë dakord me këtë katërshen, sepse praktikishit i bie të dalësh dy herë kampion dhe luhen njëkohësisht shumë ndeshje me një skuadër në një sezon. Partizani me Egnatian brenda shtatë muajsh luajtën shtatë herë në ndeshje zyrtare, i bie një herë në muaj pak a shumë. Megjithatë, në qoftë se aktorët nuk janë seriozë dhe korrektë, formula do dështojë, sido që të jetë. Mendoj se tani ka ardhur momenti që të shtohen edhe dy skuadra të tjera, duke pasur parasysh se edhe numri i të huajve do të jetë pa limit, këto talentet shqiptare ku do luajnë?! Thuhet shpesh i bën Duka këto, por janë vetë aktorët që i bëjnë, të bien dakord dhe t’i shtojnë dy ekipe të tjera, sepse është në të mirë të futbollit shqiptar. Ndoshta një sezon me tri faza, sepse në Kategorinë e Parë ishte interesante këtë vit. Të ketë edhe një shpërndarje gjeografike dhe më vjen mirë që Luftëtari u ngjit në të Parën dhe pse jo të mos pretendojë edhe aty”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Artan Bano.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL