EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri Memushi analizon oshilacionet e Flamurtarit dhe pritjet ndaj Vorës: Moriero të zgjedhë modulin klasik
Eqerem Memushi priste një Flamurtar më të qartë me Tiranën. Ish trajneri i njohur vlonjat thotë se kuqezinjtë i kishin të gjitha mundësitë që të rriteshin fizikisht dhe të hynin në lojë të motivuar.

Për “Panorama Sport”, Memushi shprehet se vlen që të përgëzohet portieri Aleksovski për pritjet në pjesën e parë me bardheblutë.
“Duke nisur nga performanca me Bylisin të gjithë ishim optimist se mund të bënim një takim më të vrullshëm me Tiranën. Fatkeqësisht e nisëm lojën vrullshëm por jo të qartë. Portieri unë mendoj se është për tu falënderuar për pritjet që ka bërë. Pjesa e parë ishte e barabartë. Fakti është që pas fitores me Bylisin ne kishim kohë në dispozicion dhe prisnim një Flamurtar më të rritur fizikisht, të motivuar dhe që do ta fitonte takimin me Tiranën duke parë gjendjen e kundërshtarit”, shprehet fillimisht Memushi.
ANALIZA- Ish trajneri Eqerem Memushi thekson se Flamurtari në këto javë ka shfaqur oshilacione. Ai analizon momentin që pas marrjes së detyrës së trajnerit Françesko Moriero. Memushi thekson se skuadra nuk ka ditur të shfrytëzojë faktorin fushë dhe mbështetjen e madhe të tifozëve. Vlonjati thotë se stafi teknik duhet të analizojë faktin se përse golat i pësojnë në pjesën në dytë.
“Që pas largimit të Karlos Garsias dhe ardhjes së trajnerit Françesko Moriero të gjithë ishim optimistë. Por ne nuk dimë që të shfrytëzojmë faktorin fushë dhe në 6 ndeshje që kemi luajtur brenda kemi humbur 3 takime. Nëse ne do t’i kalonim me sukses këto tri takime, ne sot presim Vorën dhe mund të ishim përpara Teutës në renditje. Nuk dinim të shfrytëzonim faktin fushë dhe ata që na kanë mbështetur në stadium të palodhur për 90 minuta. I falënderoj për këtë edhe tifozët kuqezi. Duke parë që Flamurtari po luan më oshilacione, ku kemi paraqitur në çdo takim dy tablo, ne i kemi pësuar golat në pjesën e dytë. Stafi duhet që të bëjë një analizë shumë të thellë. Pjesa e dytë e jona gjithmonë ka qenë e dobët. Atëherë do ta ngjeshim skuadrën dhe të mundohemi që ta kemi në ekuilibër”, thotë ish trajneri vlonjat.
MORIERO DHE JANARI – I pyetur për strategjinë që po ndjek trajneri Françesko Moriero, ish trajneri i Flamurtarit, Eqerem Memushi thotë se italiani duhet që të zgjedh modulin klasik me të cilin duhet të luajë.
“Trajneri Moriero duhet që të zgjedh modulin klasik për të luajtur. Ka pasur kohën për të njohur lojtarët dhe për të nxjerrë edhe ai vlerat e tij. Lojtarët tanë lëvizin në një vijë të drejtë dhe nuk kemi spostime”, shprehet Memushi. Ishtrajneri vlonjat komenton edhe merkaton e janarit, por thotë se në atë periudhë lojtarët të “bien me fat”. “Unë mendoj se në janar është fat dhe rastësi që të qëllosh në merkato”, përfundon Memushi.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













