EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri Deliu: Elbasani e mund Partizanin! Ja kush është sekreti (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2025 | 20:47

EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri Deliu: Elbasani e mund Partizanin! Ja kush është sekreti (E PLOTË)

Elbasanit i duhet edhe një gjysmë hapi pozitiv këtë të diel në kryeqytet për të qenë në “Final 4” dhe pjesë e Europës. Për ish-futbollistin dhe trajnerin e njohur të Elbasanit, Luan Deliu, verdheblutë janë tanimë kampionë të asaj se çfarë kanë ndërtuar, pak rëndësi ka se çfarë do arrijnë në fund të sezonit.

luan deliu

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ai pohon se të gjithë kanë sakrifikuar për të shkuar në këto nivele. Në fund, Deliu sugjeron se Gvozdenoviç duhet të vijojë projektin me këtë skuadër, sepse e ka treguar me punën që ka bërë deri më tani.

Deliu, si ju është dukur Elbasani një javë para mbylljes së kampionatit?

Elbasani këtë vit ka bërë një kampionat shumë të mirë, sidomos pjesa e dytë. Është një ekip që tregoi vlerat e veta, të një Elbasani në rritje që kishte një mentalitet dhe objektiv për të shkuar sa më larg. Mendoj se i gjithë klubi nga presidenca dhe e gjithë hallka drejtuese, deri tek lojtarët dhe stafi, kanë bërë një sakrificë që të arrijnë në këto nivele.

Duhet edhe një ndeshje për të siguruar “Final 4”. Si e shihni këtë objektiv?

Objektivi i Elbasanit është maksimalisht i arritur. Të mos harrojmë se ne erdhëm nga një periudhë shumë e vështirë, që nuk aderonim thuajse fare në futbollin shqiptar dhe brenda katër viteve arriti që sot të flasim të gjithë për këtë skuadër. Një nga gjërat më të bukura është tifozeria, e cila kam besimin se do të jetë dytri herë më shumë. Për këtë arsye, Elbasani është me meritë aty.

Dakord, por si e mendoni përballjen me Partizanin për të siguruar “Final 4”? 

Në kohën time (1983- 1984), me një fitore 2 me 1 në Tiranë, ne arritëm të dilnim kampionë. Dhe dëshirojmë që të përsëritët prapë. Kjo tregon se gjatë këtij sezoni kemi qenë determinantë ndaj Partizanit, ndaj pse të mos jemi edhe në këtë ndeshje. Pavarësisht se ku luhet, një ekip që kërkon të arrijë rezultatet maksimale, nuk duhet të shohë se ku luan, të imponojë të tjerët të vijnë pas lojës së tij. Elbasani duhet të shkojë me moralin e lartë dhe të jetë shumë i qetë.

Çfarë ndikoi që Elbasani të ishte pretendent që sezonin e parë?

Faktori determinant është mënyra organizative që vjen nga lart, me drejtuesit, që janë të pranishëm kudo me skuadrën. Pjesën e dytë të kampionatit, Elbasani arriti të ndërtojë një skuadër edhe në elementin sulmues. Ndaj, edhe rezultatet e kohëve të fundit nuk janë rastësi. Të fitosh në Rrogozhinë apo në Laç, nuk është gjë e lehtë.

Nëse sigurojnë katërshen mund të synojnë edhe titullin, si e shihni?

E dëgjojmë shpesh herë thirrjen në stadium “Elbasani kampion”. Të gjithë e dëshirojmë. Por, nëse ne do të jemi pjesë e katërshes, është një luks, sepse jemi edhe pjesë e Europës. Unë mendoj se ne jemi kampionë, sepse ndërtuam një skuadër të tillë, e cila do të bëjë mrekulli në të ardhmen. Të qenit kampion nuk lidhet vetëm me faktin për të qenë në vend të parë. Unë e mendoj ndryshe, sepse të jesh kampion lidhet me ndërtimin e një skuadre dhe ata djem janë kampionë. Bashkia, që e motivoi qysh në fillim, janë po ashtu kampionë.

Gvozdenoviçit i skadon kontrata në fund të sezonit. Mendoni se klubi duhet të rinovojë?

Në fund të çdo kampionati bëhet një analizë e punës së kryer nga të gjithë, përfshirë edhe trajnerin. Elbasani ka ndërruar dy trajnerë këtë sezon dhe shoh se Gvozdenoviç është popullor dhe pasionant pas futbollit, si dhe një njeri që ka ndryshuar lojën e futbollit.

Nuk është e lehtë të ndryshosh një mentalitet, është shumë e vështirë ta bësh këtë në lojën e futbollit. Me ardhjen e Gvozdenoviç kam parë që skuadra përpiqet të ndërtojë si në sulm, organizim apo edhe mbrojtje. Kjo tregon se puna e trajnerit dhe stafit është shumë e mirë dhe sipas mendimit tim, nuk ka asnjë arsye që ai të mos rinovojë për të qëndruar në këtë ekip

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL