EKSKLUZIVE/ Ish-futbollisti i njohur, Dhimitër Gjika: Kisha siguri për fitoren e Elbasanit ndaj Partizanit (E PLOTË)
Skuadra e Elbasanit ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke treguar se është gati të jetë një nga pretendentet serioze të Superiores.

Dhimitër Gjika, ish-futbollist i brezit të artë të Elbasanit
Me katër javë të para të dominuara si në rezultat, ashtu edhe në lojë, verdheblutë kanë rikthyer besimin dhe entuziazmin tek tifozët e tyre. Një rol kyç në këtë nisje të fortë e ka padyshim trajneri, i cili ka sjellë mentalitetin e duhur fitues dhe një frymë të re në skuadër.
Elbasani po tregon se ka jo vetëm lojtarë cilësorë, por edhe organizim, qartësi taktike dhe një shpirt gare që bie në sy çdo javë. Të paktën, kështu mendon ish-futbollisti i njohur i Elbasanit, Dhimitër Gjika, i cili ka folur në një intervistë për “Panorama Sport” për ecurinë e skuadrës, për pritshmëritë në vazhdim dhe për disa nga pikat më të forta të ekipit aktual. Në një prononcim për gazetën, ai vlerëson punën e bërë deri më tani dhe tregon bindjen e tij se Elbasani mund të vazhdojë në këtë rrugë suksesi.
Zoti Gjika, si e shihni ecurinë e Elbasanit në këto javët e para të kampionatit?
Elbasani për momentin po dominon Superioren në këto katër javë të para. E rëndësishme është që trajneri ka sjellë një mentalitet fituesi dhe kjo duket në fushë, si me formacionin, ashtu edhe me mënyrën se si menaxhon lojën gjatë 90 minutave. Shpirti i garës dhe profesionalizmi po bien shumë në sy në këtë fillim sezoni, gjë që nuk është e lehtë për një skuadër që ka vetëm vitin e dytë në Superiore. Kjo tregon seriozitetin dhe përgatitjen që është bërë.
Çfarë përshtypjesh keni nga ndeshja e fundit ndaj Partizanit? Për momentin Partizani nuk është ndër ekipet më të mira, për shkak të shumë lëvizjeve që ka bërë. Shitjet e lojtarëve kryesorë nuk u shoqëruan me blerjet e duhura që t’i zëvendësonin siç duhet. Personalisht, kisha një siguri për një fitore ndaj Partizanit dhe kjo në njëfarë mënyre u tregua në fushë, ku patëm raste, superioritet dhe lojë të mirë si në aspektin taktik, ashtu edhe teknik. Elbasani tregoi qartësisht se është më i organizuar dhe më i balancuar si skuadër.
Sa e rëndësishme është ndeshja e ardhshme me Teutën? Me Teutën e shoh një sfidë shumë të rëndësishme, jo vetëm për pikët, sepse ende jemi në fillim të kampionatit. Por unë kam shumë besim tek trajneri dhe lojtarët që do të marrim këto tri pikë, të cilat do t’i cilësoja “të arta” për vazhdimësinë dhe moralin e skuadrës. Një fitore me Teutën do të ishte një mesazh i fortë për gjithë kampionatin se Elbasani është këtu për të luftuar seriozisht.
Bunjaku ka qenë vendimtar në këtë nisje. Si e shihni rolin e tij? Bunjaku e ka bërë detyrën më së miri, dy gola me vlerë gjashtë pikësh. Shpresojmë që edhe me Teutën të jetë sërish golashënues. Është një futbollist me cilësi të padiskutueshme dhe nëse furnizohet më shumë me topa, mund të jetë edhe më rezultativ. Për më tepër, është një lojtar që di të bëjë diferencën edhe në momente të vështira.
Po për afrimet e reja në skuadër, çfarë mendoni? Blerjet janë efikase dhe po dalin në pah që në fillim. Merita është e klubit, e presidentit dhe e të gjithëve që janë marrë me merkaton. Por padyshim, edhe e trajnerit, i cili është familjarizuar shumë shpejt me skuadrën. Kjo tregon se grupi është ndërtuar me kujdes dhe me një vizion të qartë, gjë që po jep frytet e veta.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













