EKSKLUZIVE/ Ish-futbollisti Çobani analizon Superioren: Dinamo do sulmues! Po bëhen dy gara, 6 skuadra për titull (E PLOTË)
Faza e dytë e Superiores po shkon drejt fundit tek sa në një intervistë për “Panorama Sport”, Artur Çobani ka analizuar Dinamon dhe dy garat, atë për titull dhe garën për mbijetesë.

Po mbyllet faza e dytë e Superiores. Si po duket niveli i kampionatit?
Edhe herë tjetër e kam theksuar që ky kampionat është ndarë në dy grupe. Grupi i parë përfshin të gjitha skuadrat e para në renditje, që luftojnë për atë “Final 4” të famshme, e cila u mundëson të luftojnë për titullin kampion. Ndërsa grupi i dytë është ai prej katër skuadrash, disi e veçuar Tirana, që luftojnë për mbijetesën. Sigurisht, edhe në këtë grup do të jetë e fortë gara, do të jetë i fortë rivaliteti. Tirana ka filluar t’i japë disa shkëndija, por nuk e di si do të jetë vazhdimësia e saj në fazën e dytë pas pushimeve të janarit. Mendoj se do të jetë një luftë e fortë për të mbijetuar, pasi dihet që nga këto katër skuadra, dy bien direkt dhe e treta luan ndeshjen kualifikuese me skuadrën e Kategorisë së Parë.
Sa i përket titullit, Dinamo në këtë fazë të dytë vazhdon të shfaqë oscilacionet e veta…
Doja ta theksoja që, për sa i përket luftës për titull, radhiten skuadrat që duhet të luftojnë për “final 4”-in, sepse kjo formulë, pavarësisht gjithçkaje, penalizon skuadrat që grumbullojnë shumë pikë. Nëse sot do të merrnim gjendjen aktuale dhe do të thoshim se jemi në “final 4”, atëherë do të kishim Egnatian me shtatë pikë, Elbasanin me gjashtëmbëdhjetë, Dinamon me pesëmbëdhjetë, dhe ky rivalitet do të vazhdonte deri në fund.
Mendoj se këto skuadra, së bashku me Vllazninë, do të jenë ato që do të luftojnë deri në fund për titullin kampion. Dinamon e shikoj më afër Egnatias, si një nga dy skuadrat më të mira të kampionatit, pavarësisht oshilacioneve. Oshilacionet kanë qenë, por po flasim gjithmonë në rezultat.
Nëse marrim humbjet e Dinamos, ajo ka pasur vetëm 2 humbje në këtë fazë, një me Vllazninë dhe kjo e fundit me Egnatian, por në lojë Dinamo ka dominuar dhe ka bindur edhe në ndeshje të tjera për nga rezultati. Së bashku me Egnatian e shikoj si skuadrën më pretendente për titull, falë pragmatizmit dhe luftës së fortë që bën. Edhe Vllaznia mund të jetë aty, por jo Vllaznia e kësaj faze – Vllaznia e fazës së parë, nëse arrin ta rikthejë atë formë.
Si mund të krijojë stabilitet Dinamo?
Sa i përket stabilitetit të Dinamos, ndikim ka pasur largimi i futbollistëve cilësorë, sidomos ikja e dy shënuesve më të mirë të sezoneve të kaluara, Mandela dhe veçanërisht Zapërgja. Megjithatë, mendoj se Dinamo ka ende lojtarët e duhur. Pas dëmtimeve, Dinamo sot ka sulmues, pavarësisht numrit të golave. Në fakt, Dinamo është skuadra që ka shënuar më shumë gola. Ka sulmues që mund të bëjnë edhe më mirë, por kanë munguar për shkak dëmtimesh, si Berisha.
Faruku është aktivizuar me ndërprerje, nuk i janë dhënë gjithmonë mundësitë e nevojshme, njësoj edhe Berisha i vogël. Bregu është në formë, por ende nuk ka arritur rritjen maksimale. Mendoj se Dinamo, nëse arrin të rikuperohet dhe të ketë më pak probleme me dëmtimet, do të jetë rivali kryesor i Egnatias për titullin kampion. Në të kundërt, do ta ketë shumë të vështirë. Unë mendoj se Dinamo ndërhyrje të mëdha nuk do të bëjë në këtë periudhë të kampionatit, sepse lojtarët i ka.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













