EKSKLUZIVE/ Intervista e parë pas rikthimit, Skuka nuk fshihet: Erdha për titullin te Partizani (E PLOTË)
Është e enjte dhe data shënon 5 qershor 2025. Temperatura që tashmë kalojnë 30 gradë, por kjo nuk ndal punën e Partizanit. Të kuqtë duhet të përgatiten për Europën. Xhulio Skuka ndërkohë ndodhet në tribunën e stadiumit “Arena e Demave”, duke ndjekur seancën stërvitore të ekipit, drejtuar nga Skënder Gega.

“Panorama Sport” ndodhet në ambientet e Partizanit për një intervistë, që 26-vjeçari kujdeset ta kthejë më tepër në bisedë miqësore. Në pamjen e Xhulios, bie në sy dëshira për të filluar sa më shpejt me pjesën tjetër të ekipit. Sulmuesi dibran pret datën 10 qershor, që të nisë zyrtarisht përgatitjet me skuadrën e “Demave”. Intervista zbulon jo vetëm peripecitë e kaluara për kohën larg Partizanit, por edhe objektivat për të ardhmen.
Çfarë ndjesie është që do të vishni sërish fanellën e Partizanit?
Më duket sikur nuk e kam hequr kurrë. Edhe pse kam luajtur me skuadra të tjera, poshtë fanellës së ekipit ku kam qenë, kam pasur gjithmonë në zemër dhe në shpirt fanellën e Partizanit.
Si erdhi vendimi për t’u rikthyer?
Me thënë të vërtetën, edhe aty ku isha klubi më ofroi një rinovim jo të vogël. Edhe oferta nga ekipet e tjera kisha, por e ndjeja përbrenda që duhet të vija sërish të kontribuoja për Partizanin. Jam larguar vitin që Partizani u shpall kampion, në mes të sezonit, por dua të bëj një sezon ku të jem 100% protagonist.
Cilat ishin peripecitë në eksperiencat jashtë Shqipërisë?
Peripecitë kanë qenë të mëdha, qëkur ika nga Partizani. Që te Metz, edhe pse u stërvita shumë nuk m’u dha mundësia të shpalos atë që kisha. Pastaj e dinë të gjithë rikthimin te Partizani. Në Portugali gjërat nuk shkuan si doja. Ndërkohë, në Rumani, në aspektin personal, jam rikthyer Skuka i viteve të shkuara, edhe pse nuk arritëm objektivat e presidencës.
Si e gjeni klubin e kuq?
Kur jam larguar, Partizani nuk ishte futur akoma në hotelin e tij, nuk kishte akoma restorantin. Kemi kushtet e një ekipi modern europian. Hoteli i ka kushtet më të mira, me 5 yje, restoranti shumë i mirë. Disa shokë i rigjeta këtu.
Sa gati jeni për të ndihmuar Partizanin?
Ndeshjen e fundit në Rumani e kam luajtur të dielën. Doja me patjetër të vija të takoja shokët e vjetër, presidentin, të shikoja ambientet e klubit, dhe malli më bëri të nxitoja për t’i parë, por patjetër këtu do vi pas datës 10 qershor për përgatitjet në skuadër. Ndihem mirë fizikisht, kjo është gjëja kryesore, me ndihmën e zotit, të na ecë shëndeti dhe jam gati të kontribuoj për Partizanin në Europë.
Kush ju bindi për të ardhur?
Këmbëngulja ose telefonata e parë, më ka ardhur nga presidenti Demi. E kam ruajtur miqësinë me të, si njeri dhe jo si president, e kam ruajtur gjatë viteve. Jemi shumë të lidhur edhe familjarisht, për aq sa kontribuova, por edhe kur nuk kam qenë, marrëdhëniet nuk jam ndëprerë. Kam pasur oferta nga shumë ekipe, por u kam thënë se pa folur me Gazin, asnjërit nuk do i jap përgjigje. Ishte prioritet i imi. Pas telefonatës së presidentit, fjalët e tjera janë të tepërta. U binda të vij. Me shaka mund të them se menaxheri im është ai. Dua të kontribuoj bashkë me të, me shokët e Partizanit dhe trajnerin, të kthejmë Partizanin ku i takon.
Mesazhi juaj për tifozët e kuq?
Dua t’ju garantoj që ky është rikthimi i vërtetë i Skukës te Partizani. Tani jam i gatshëm për përgatitjet me shokët e skuadrës, me trajnerin dhe me gjithë stafin drejtues të Partizanit. Jam gati të kontribuoj, nuk do jetë ajo panoramë që keni parë sezonin e kaluar, sepse gjysmën e dytë të sezonit në Rumani e kam bërë vërtetë të mirë në aspektin personal. Ndihem shumë mirë fizikisht, kam shënuar, kam asistuar, pra ndihem në “top” formën time. Shpresoj të ecim në Europë, kur të fillojë kampionati mezi po pres që të konkurrojmë për titullin kampion. Dua ta kthejmë Partizanin të madh sërish.
Çfarë kuptohet në fund, është se do të jetë e vështirë për ta intervistuar sërish Skukën. Tashmë pritet të flasin vetëm golat për të.
EMANUEL LOCI – PANORAMASPORT.AL













