EKSKLUZIVE/ Gjigantët e Turqisë pas Maksutit, Flamurtari merr oferta konkrete për dy lojtarë (E PLOTË)
Flamurtari duket se ka hyrë në një fazë të rëndësishme vendimmarrjeje, teksa jo vetëm po përpiqet të sigurojë mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar, por njëkohësisht po menaxhon edhe interesin në rritje për disa prej elementëve më të spikatur të skuadrës.

Sipas burimeve ekskluzive të “Panorama Sport”, pranë klubit, drejtuesit vlonjatë kanë ndërmarrë hapa konkretë për të “blinduar” dy prej lojtarëve më premtues, Erald Maksutin dhe talentin e ri Hetem Lushaj. Në ditët e fundit, në ambientet e klubit kanë mbërritur disa oferta konkrete për këta futbollistë, çka konfirmon edhe vëmendjen që Flamurtari ka nisur të tërheqë në tregun ndërkombëtar. Veçanërisht për Erald Maksutin, interesi duket serioz dhe i avancuar.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se presidenti Sinan Idrizi është kontaktuar nga përfaqësues të klubit të njohur turk Gallatasaraj, të cilët kanë shfaqur dëshirë për të siguruar shërbimet e 21-vjeçarit. Madje, mësohet se agjentë të klubit turk kanë udhëtuar drejt Vlorës për ta ndjekur nga afër lojtarin në stërvitje dhe ndeshje, duke vlerësuar potencialin e tij për një transferim të mundshëm në të ardhmen e afërt. Kjo lëvizje tregon qartë se Maksuti konsiderohet një aset me perspektivë dhe se Flamurtari mund të përfitojë financiarisht nga një shitje e mundshme.
TALENTI VLONJAT- Interesi nuk ndalet vetëm te Maksuti. Edhe Hetem Lushaj, një nga emrat e rinj më të përfolur në ambientin kuqezi, ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve. Lushaj, i cili në të kaluarën ka qenë shpesh në qendër të debateve mes presidentit Idrizi dhe ish-trajnerit Françesko Moriero për shkak të minutazhit të kufizuar, tashmë shihet si një investim për të ardhmen. Pavarësisht se nuk është aktivizuar rregullisht, potenciali i tij mbetet i padiskutueshëm.
Në prapaskenë, drejtuesit e Flamurtarit po lëvizin me kujdes. Opsioni i shitjes së menjëhershme të Maksutit mbetet i hapur, qoftë drejt Galatasarajt apo ndonjë klubi tjetër që ka shfaqur interes, por vetëm nëse oferta do të përmbushë kërkesat financiare të klubit, të cilat pritet të jenë të konsiderueshme. E njëjta strategji vlen edhe për Lushajn. Nga ana tjetër, ekziston edhe një skenar alternativ: mbajtja e lojtarëve në skuadër për disa sezone të tjera, me synimin për t’i zhvilluar më tej dhe për të rritur vlerën e tyre në treg. Një politikë e tillë do t’i jepte Flamurtarit mundësinë të përfitojë më shumë në të ardhmen, duke i kthyer këta lojtarë në burime të rëndësishme financiare.
SITUATA- Ndërkohë, situata sportive e ekipit mbetet delikate. Rezultatet e dobëta kanë vënë në pikëpyetje qëndrimin e shumë lojtarëve të grupit aktual dhe sipas burimeve pranë klubit, në përfundim të sezonit pritet një “operacion i madh” në përbërjen e skuadrës. Flitet se vetëm një pjesë e vogël e grupit aktual rreth 10% mund të ruajë vendin në ekip për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, përpara çdo revolucioni, objektivi kryesor mbetet shpëtimi i sezonit. Ndeshjet e mbetura do të trajtohen si finale të vërteta, ku çdo pikë ka peshë jetike për fatin e Flamurtarit. Qëndrimi në Superiore është prioritet absolut, pasi vetëm kështu klubi mund të ndërtojë me qetësi projektin e ri dhe të menaxhojë në mënyrë më të favorshme të ardhmen e talenteve të tij. Në këtë realitet, merkatoja dhe rezultatet në fushë janë dy anët e së njëjtës medalje për Flamurtarin, që ndodhet në një moment kyç në këtë fund sezoni.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













