EKSKLUZIVE/ Gati shitja e madhe nga Partizani, Rrapaj drejt Ukrainës. Zbulohen detajet e kontratës (E PLOTË)
Partizani përgatitet për një shitje të madhe. “Panorama Sport” mëson nga burime ekskluzive se Arinaldo Rrapaj është drejt shitjes në kampionatin ukrainas. Klubi i Kolos Kovalivka është shumë i interesuar për mesfushorin dhe është në negociata të avancuara me drejtuesit e kuq për mbylljen e një marrëveshje mes palëve.

Aktualisht është arritur akordi total me lojtarin dhe klubet janë në plotësimin e detajeve të fundit të këtij operacioni.
DETAJET Klubi ukrainas mësohet se fillimisht ka ofruar 500 mijë euro për Partizanin, por të kuqtë e kanë refuzuar. Ukrainasit janë kthyer me një ofertë më të përmirësuar prej afro 600 mijë eurosh, që kanë bindur presidentin Demi dhe i ka hapur rrugën transferimit. Klubi i kuq ka këmbëngulur edhe për ruajtjen e një pjesë të kartonit dhe mësohet se ka arritur të mbajë 20% në rast rishitjeje. Negociatat priten të mbyllen përfundimisht pas derbit.
SHITJE “BIG” – Me shitjen e Rrapajt, Partizani pritet të ekzekutojë transferimin e dytë më të madh në historinë e klubit, pas Skukës. Për një shifër të përafërt u përfol se u shit edhe Matondo, por për kongolezin klubi nuk ka mbajtur asnjë përqindje të kartonit.
RIVALË – Duhet thënë se Rrapaj do të jetë rival me Andi Hadrojn në kampionatin ukrainas. Pukjani do të transferohet te Polisia Zhytomir, që aktualisht renditet në vendin e katërt. Siç gazeta ka raportuar, Hadroj është shitur për afro 150 mijë euro, shifër larg asaj të Rrapajt, megjithëse bëhet fjalë për dy lojtarë të nivelit mjaft të lartë.
KLUBI – Kolos është një klub me pozita më të ulëta se Polisia. Aktualisht renditet në vendin e 12-të nga 16 skuadra në total, teksa në elitën e futbollit ukrainas numëron gjashtë vite. Sa u përket trofeve të mëdhenj, Kolos ende nuk e ka bërë “sefte”. Rrapaj largohet kështu pas tri sezonesh e gjysmë te Partizani, ku shënjoi emrin si një nga lojtarët më të mirë të dekadës së fundit.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













