EKSKLUZIVE/ Flamurtari jep shenja jete, zbulohet trajneri i ri i vlonjatëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2021 | 13:37

EKSKLUZIVE/ Flamurtari jep shenja jete, zbulohet trajneri i ri i vlonjatëve

Flamurtari më në fund jep shenja jete. Klubi ka vendosur që këtë javë të zgjedhë trajnerin e ri dhe nis menjëherë punën për ndërtimin e ekipit.

Flamurtari Resuli

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se me shumë gjasa në “timon” do të jetë Dritan Resuli dhe ndoshta marrëveshja mund të mbyllet që sot.

Burime pranë klubit bëjnë me dije për gazetën se drejtuesit kanë zhvilluar takime me teknikun dhe i kanë kërkuar që të marrë përsipër formimin e skuadrës që do të militojë në Kategorinë e Dytë. Për momentin asnjë emër tjetër nuk përflitet për këtë post, ndaj është kandidati më potencial.

NEGOCIATAT

Rikthimi i vlonjatit në stol është edhe një dëshirë e ishadministratorit Sinan Idrizi. Ky i fundit nuk e zotëron me letra këtë post (pasi kontrata ka mbaruar), megjithatë vazhdon të merret me klubin. Ai beson se Dritan Resuli është njeriu i duhur për të marrë pankinën në këtë moment të vështirë.

Trajneri e njeh mjaft mirë ambientin, pasi nuk është shkëputur për asnjë moment nga kuqezinjtë. Ai njeh po ashtu shumë mirë edhe futbollistët e moshave, që me shumë gjasë do të përbëjnë edhe boshtin e ekipit në sezonin e ri. Këto arsye duket se kanë shtyrë drejtuesit e klubit të rikthejnë Dritan Resulin në stol.

dritan resuli

Dritan Resuli vitin e fundit të ekipit në Kategorinë Superiore (në 2020-ën), ka qenë zëvendëstrajner te Flamurtari, kohë kur ekipi drejtohej prej Marcelo Troisit. Ai i mori “frenat” vetëm kur Flamurtari ra në Kategorinë e Parë, por dha dorëheqjen më 4 mars 2021, pas humbjes me Egnatian dhe vendin e tij e zuri portugezi Rui Sampaio. Me shumë mundësi sot mendohet të ketë zhvillime në Vlorë, teksa pritet zyrtarizimi i trajnerit Dritan Resuli.

SITUATA

Prej 25 ditësh Flamurtari është pa drejtues. Kompanive turke u ka përfunduar kontrata me Bashkinë e Vlorës. Pavarësisht se zyrtarisht nuk ka drejtues, si i komanduar në krye të klubit vijon Sinan Idrizi. Me privatizimin nuk ka asgjë në vijë. Procesi ka ngecur dhe tashmë nuk ka as “kokë e as trup”. Asnjë kompani ose biznes nuk ka shfaqur interes për të privatizuar Flamurtarin apo edhe ndoshta për të investuar në këtë fazë tranzitore.

sinan idrizi

Fakti që administratori në detyrë, Sinan Idrizi, ka nisur nga puna për të emëruar trajnerin e ri dhe formuar ekipin, lë të mendosh se bashkia do të rinovojë kontratën me kompanitë turke. Mendohet se gjatë kësaj jave, ndoshta ditën e enjte, të ketë një mbledhje të Këshillit Bashkiak të Vlorës.

Këshilli pritet të marrë në shqyrtim edhe çështjen e Flamurtarit dhe të ardhmen e klubit. Gazeta zbulon se në mbledhje do të jetë edhe administratori në detyrë, Sinan Idrizi, që me shumë gjasë do të kërkojë nga bashkia edhe mirëkuptimin e saj dhe të këshilltarëve që të shtyhet administrimi. Se si do të shkojë fati i Flamurtarit, për momentin mbetet ende i paqartë. Por gjasat janë që edhe sezoni i ri ta gjejë me po të njëjtin administrator dhe me kompanitë turke qe do të vijojnë të investojnë financiarisht.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL