EKSKLUZIVE/ “Është momenti që ‘demat’ të tregojnë fanellën që kanë”, Vrapi: Partizani të menaxhojë presionin, mbrojtja e brishtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2026 | 11:38

EKSKLUZIVE/ “Është momenti që ‘demat’ të tregojnë fanellën që kanë”, Vrapi: Partizani të menaxhojë presionin, mbrojtja e brishtë

Partizani nuk është duke kaluar një moment të mirë, teksa skuadra kryeqytetase nuk njeh fitore në tre ndeshjet e fundit, duke shtuar disi presionin ndaj vetes për të ruajtur vendin e katërt, teksa aktualisht të kuqtë janë vetëm një pikë larg Dinamos së vendit të pestë.

endri vrapi

Në lidhje me këtë ecuri të fundit të Partizanit, në një intervistë për “Panorama Sport”, foli Endri Vrapi. Ish-futbollisti i kryeqytetasve dhe ekipit kombëtar theksoi se Partizani në këtë moment vendimtar të sezonit duhet të tregojë edhe forcën që mbart fanella e këtij klubi të madh, ndërsa shtoi se të kuqtë duhet të shfaqen më të përqendruar në repartin difensiv, pasi në ndeshjet e fundit kanë pasur probleme në këtë aspekt.

Ndër të tjera, Vrapi tha se sa i takon ndeshjes së radhës së Partizanit me Elbasanin, pret që presionin më të madh ta ndiejnë verdheblutë, duke qenë se luajnë në shtëpinë e tyre dhe detyrimisht do të shfaqen më kërkues për të marrë maksimumin. Në fund, Vrapi komentoi edhe garën e mbijetesës, duke theksuar se tashmë që janë katër ekipe për tre vende, gara do të bëhet edhe më e ashpër.

Në tre ndeshjet e fundit Partizani nuk ka fituar asnjë, duke barazuar dy dhe humbur një, atë ndaj Vllaznisë. Është kjo rezultat i presionit për vendin e katërt apo skuadra nuk ka forcë për më tepër?

Të jemi realistë, ne kemi folur edhe më parë për Partizanin, që më e vështirë është ta mbash vendin e katërt se sa ta kapësh. Tani është momenti që Partizani duhet të tregojë fanellën që ka dhe sakrificën që duhet të bëjnë të gjithë që e kanë çuar skuadrën në këtë pozicion dhe për vendin që meriton, sepse vetëm kështu Partizani mund ta arrijë objektivin për t’u kualifikuar në “Final Four”.

Mendoni se këto hapa fals kanë ardhur vetëm si pasojë e gabimeve individuale, apo kanë gabuar të gjithë si skuadër?

Sa për gabimet besoj që më shumë se gabimet duhet të ketë më tepër përqendrim, se kemi parë një Partizan si ekip të brishtë në mbrojtje gjë që në fazën sulmuese është më agresiv! Duhet t’i përkushtohet më shumë edhe goditjeve standarde, sepse kemi parë që gjithnjë ka pasur lëkundje në situata standarde.

A është kjo ndeshje e radhës ndaj Elbasanit një provë e vërtetë për Partizanin dhe trajnerin Kërnaja?

Nuk mund të themi se është kjo prova e vërtetë, sepse ka shumë ndeshje dhe besoj çdo ndeshje ka specifikën e vet dhe këtë më së miri e di edhe vetë trajneri. Është një ndeshje që duhet luajtur dhe duhet fituar që ekipi më pas të arrijë objektivin është vendosur në fillimin e sezonit.

Një humbje hipotetike ndaj Elbasanit, a do ta fuste skuadrën në krizë?

Kampionati është duke iu afruar fundit dhe ndeshjet që vijnë janë të gjitha të vështira dhe si finale, por duke parë një Elbasan që edhe ai ka pasur oshilacionet e veta, besoj do jetë ndeshje e ekuilibruar. Ndoshta do të shohim një Elbasan më kërkues, sepse ata luajnë në shtëpinë e tyre dhe presioni dhe trysnia mund të ndikojë më shumë te Elbasani se sa te Partizani. Kush ekip do mbajë më larg presionin, besoj do jetë më afër fitores.

A ju duket sikur Partizanit i mungon një lider në fushë?

Në momentin që ndodhet Partizani, nuk besoj se nuk ka lider në skuadër. Por duhet të luajnë në grup të gjithë së bashku dhe të bëjnë maksimumin, pasi ka plot lojtarë me eksperiencë në organikë. Sa i takon një emri në veçanti, nuk dua të përmend, sepse lider bëhesh dhe nuk ta dhuron njeri.

Te Partizani kanë pasur pretendime sa i takon arbitrimit, kujtojmë ndeshjen me Elbasanin në Kupë dhe këtë të fundit me Vllazninë. Mendoni se janë penalizuar apo mbeten thjesht pretendime?

Sa i përket arbitrave nuk më takon mua, sepse edhe si lojtar nuk jam marrë me arbitrimin. Ndonjëherë, edhe pse ndoshta ka gabime njerëzore, janë në kompetenca të tjera të njerëzve që i vlerësojnë ose i penalizojnë arbitrat. Çdo ekip duhet të përqendrohet dhe të bëjë maksimumin e vet.

Ndërkohë edhe gara e mbijetesës ka shumë rivalitet, katër ekipe janë të përfshira, cilat skuadra ju duken më të forta për t’ia dalë?

Siç është fillimi i tabelës, ashtu është dhe fundi. Disa luajnë për trofe, disa luajnë për të shpëtuar sezonin. Gara do jetë më e fortë tani që janë katër ekipe për tre vende. Besoj se lufta do jetë deri në fund, siç është dhe në kreun e tabelës. Nuk mund të vëmë emra, por të gjitha ekipet këto dy fazat e fundit po tregojnë futboll shumë të bukur dhe duke bërë edhe ndonjë surprizë deri në fund.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL