EKSKLUZIVE/ “Ekipi i katërt ose e prish garën, ose e mban të hapur”, “Xhaxhi” paralajmëron pretendentët! Sejdini: Te Dinamo kisha pritshmëri, titullin dua ta fitojë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2026 | 16:15

EKSKLUZIVE/ “Ekipi i katërt ose e prish garën, ose e mban të hapur”, “Xhaxhi” paralajmëron pretendentët! Sejdini: Te Dinamo kisha pritshmëri, titullin dua ta fitojë…

Kampionati ka hyrë në fazën e fundit të sezonit të rregullt para “Final 4” dhe ende gjithçka është e hapur. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Faruk Sejdini u shpreh se sezoni ka pasur rivalitet. Ai foli për të titullin e mbijetesën si edhe për sezonin e Dinamos.

-1200-630-sejdini

Profesor, po mbyllet edhe ky sezon. Si e parashikon fundin e kampionatit për skuadrën e Dinamos?
Tani, në lidhje me mua ka dy aspekte, ku një është dëshira, e një tjetër mundësia. Dëshira është e madhe që Dinamo të jetë të paktën në katër. Të shikojmë edhe mundësia është që të jetë, të shikojmë se çfarë do ndodhë. Kam përshtypjen që, pavarësisht me të mirat, me të këqijat apo me oshilacionet që pati Dinamo dhe për këto muajt mbas janarit, nuk ishte që më e mira e mundshme, por mendoj që të paktën, ka arritur një objektiv që është objektivi minimal dhe në këtë moment, më e pakta është që Dinamo të hyjë në katërshe.

Duke bërë një krahasim të fillimit me aktualitetin, ccfarë prisje nga Dinamo këtë sezon?
Të them të drejtën, me pritshmëritë e mia ishte që Dinamo do të ishte pak më e sigurt deri në këto momente. Kuptohet, mendoj se do luante për vendin e parë apo të dytë, apo sigurt vendin e tretë. Të shikojmë, këto janë situata që ndodhin në futboll për një arsye apo për një arsye tjetër. Bilanci do bëhet në fund kur të mbarojë. Kështu që mendoj që prapë deri në këto momente nuk duhet të kemi deziluzion të madh. Mendoj që është brenda pritshmërive. Ka një ndeshje sot me Vllazninë, që është ndeshje e Kupës, dhe kjo ka të bëjë jo vetëm për kupën, por ka të bëjë edhe për psikologjinë e vendit të katërt. Kështu që kjo është një finale e parakohshme që do t’i japë një stabilitet tjetër apo një pozicionim shumë më të sigurt Dinamos, besoj unë.

Nëse Dinamo, mbetet jashtë katërshes, por arrin të fitojë Kupën e Shqipërisë, a do e konsideroje të shpëtuar sezonin?
Po, po, sigurisht. Po fitoi kupën, unë mendoj që po, e quaj që është i shpëtuar sezoni. Nuk mundet një ekip me objektivat e veta që mund të ketë edhe kampionatin, edhe kupën, nuk përmbushen të gjitha këto pritshmëri. Po mori kupën, kupa është sezoni, ose në situatë sportive mbas kampionit, e dyta. Besoj që po ta marrë kështu, pastaj deduksioni buxhetor është i dyti, nuk është kampion, por është pas kampionit. Po, mendoj unë. Po e mori kupën, besoj që është brenda pritshmërive.

Si e komenton pjesën e sulmit, duke parë se përveç Bregut, pjesa tjetër e sulmit është shterpë?
Shiko, unë mendoj se Dinamo është shumë e qartë apo shumë e çelët në mënyrën se si luan taktikisht, por nuk do të thotë që unë do t’i jap mandat tyre. Mendimi im është që Dinamo ka defekt në strategji. Çfarë dua të them me këtë? Në strategji është që Dinamo, duke pasur këtë kontingjent, duhet ta ndërtojë mënyrën e lojës, jo vetëm taktikën, por mënyrën në total, ose me kundërsulmin, ose me sulmin gradual, ose me shumë pasime, të jetë e qartë në veprimet që bën. Kurse Dinamo, duke qenë që ka krijuar njëfarë stabiliteti me emrin e vet, më duket që strategjinë nuk e ka fort. Herë luan me topa të gjatë, në mënyrë të rastësishme. Herë luan me shumë pasime, madje aq shumë sa ndonjëherë e zbraz pasimin. Nuk duhen aq shumë. Pasimet janë në shërbim të golit apo të kundërsulmit, kurse Dinamo bën aq shumë pasime sa nuk e di kujt i shërbejnë. Vetëm i shërbejnë, po them unë, këtyre të tjerëve, statistikave. Kështu që strategjia do të ishte shumë më mirë po të rrinte në mbrojtje, pragmatike, dhe të shënonte një gol e pastaj të fitonte. Kurse Dinamo aq sa bën sulm, aq sa bën mbrojtje dhe as bën gol në sulm, as në mbrojtje. Ka një disproporcion të tillë, sa më duket që strategjia funksionon, kurse taktika pastaj varet nga lojtarët që ke. Ato janë probleme shumë specifike, kurse strategjia është në tërësinë e gjësë, sidomos tani që vjen fundi është shumë e nevojshme, mendoj unë. Kjo që them unë nuk do të thotë që është më e drejta, por është një mendim i një njeriu tjetër.

Po në tërësi, si e sheh garën për titull dhe garën për mbijetesë?
Nga të gjitha të mirat dhe të këqijat e këtij kampionati, gara është bërë interesante. Çdo kampionat në botë ka të mirat dhe të këqijat. E bukura e këtij kampionati është që është në garë pesë ekipe. Po them gjashtë me Durrësin, por Durrësi është sa në garë për lart, aq edhe për poshtë, sepse matematika e çon në të dyja drejtimet. Kjo e bën më të bukur garën. Poshtë janë katër ekipe, po të fusim dhe Durrësin janë pesë, por katër janë të sigurta në garën për mbijetesë. Kur katër ekipe luftojnë për jetë a vdekje, kjo e zbukuron kampionatin. Unë nuk di të them si do shkojë puna poshtë, ashtu siç nuk di të them për vendin e katërt. Por për vendin e parë dhe të dytë, mendoj që ka dy mendime, dikush thotë që ka ardhur koha që Vllaznia ta marrë kampionatin, dikush thotë Elbasani, si ekip i ri që ka bërë progres. Egnatia nga ana tjetër është kampione dhe di të triumfojë, mban titullin. Nëse më pyet për dëshirë personale, do thosha Elbasanin, për shkak të origjinës. Por kjo nuk do të thotë që e meriton më shumë se Vllaznia apo se të tjerët. Është vetëm një dëshirë shumë reale. Po kjo nuk do të thotë që po të thashë unë që e merr Elbasani dhe e meriton. E meriton edhe Shkodra. Po më vjen mirë që gara bëhet e bukur me këto tre ekipe që janë dhe kanë bërë një garë shumë dinjitoze. Pastaj ka edhe një gjë specifike: ekipi i katërt, të shikojmë pak te ai procesi, çfarë ndodh. Ekipi i katërt nuk e di kush do jetë, qoftë Dinamo, qoftë Partizani, mendoj njëri nga këto. Ekipi i katërt duhet të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm ose duhet të jetë shumë i ndërgjegjshëm, nuk di ta gjej fjalën e saktë, për faktin se ekipi i katërt ose prish garën ose e mban të hapur garën mes ekipeve. Sepse ekipi i katërt, duke qenë se pikët ndahen dhe ai nuk ka më objektiva të forta, mund të ndikojë në rezultate dhe të kthehet në faktor. Nëse, hipotetikisht, luan me një ekip nga tre të parët dhe fiton apo humb, ndryshon shumë në renditje. Janë gjashtë pikë diferencë në total, dhe kjo e bën shumë të rëndësishëm rolin e tij. Ekipi i katërt është një faktor rregullator ose prishës. Dhe në këtë fazë të kampionatit, është shumë i rëndësishëm. Ndonjëherë ndodh edhe një gjë tjetër, ekipet që nuk kanë më objektiva mund të luajnë më lirshëm, pa presion, dhe kjo ndikon në rezultate. Ka një lloj sentimentalizmi, një lloj mentaliteti momental, sepse në fund të fundit janë njerëz. Unë nuk po them që ka marrëveshje apo gjëra të tilla.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL