EKSKLUZIVE/ E kërkon Partizani, por kampionit me Egnatian i del emri në… Rusi
Partizani ka nisur merkaton prej javësh tashmë, por deri më tani nuk ka arritur të mbyllë asnjë transferim. Të kuqtë kanë disa emra në listë, lojtarë që trajneri dhe drejtorët i kanë piketuar dhe mendojnë se mund të ndihmojnë në rritjen e cilësisë së ekipit.
Një prej tyre është edhe ish-mesfushori i Egnatias, Arbin Zejnullai. Tetovari e mbylli sezonin si një nga lojtarët më të mirë të mesfushës në Superiore, por Egnatia vendosi ta lëshojë, duke hapur një ankand mes disa skuadrave për të. 26- vjeçari ka zhvilluar disa takime më pjesëtarë të klubit të Partizanit, por në asnjërin prej tyre nuk është bërë i mundur finalizimi i një marrëveshjeje. Dhe duket se arsyeja pse lojtari nuk është bindur deri më tani, ka të bëjë me ofertat nga jashtë që kanë mbërritur në adresë të Zejnullait.
NË RUSI – “Panorama Sport” mëson se mes klubeve të Superiores është futur edhe një klub rus, shumë i interesuar për shërbimet e Zejnullait. Madje burimet bëjnë me dije se palët janë shumë pranë marrëveshjes për shifra që për skuadrat e Superiores janë të paarritshme. Për momentin nuk bëhet i ditur klubi që ka arritur ta bindë Zejnullain, por fakti është që Partizani ka thuajse zero shpresë për ta bërë të tijin mesfushorin. Të kuqtë tashmë do të duhet të kërkojnë për opsione të tjera në merkato, ku tregu i huaj duket të jetë ai me më shumë opsione. Zejnullain e kishte si objektiv edhe Dinamo, që gjithashtu do të duhet të shohë opsionet e tjera që ofron tregu. Tetovari e mbylli si kampion me rrogozhinasit, ku në 3 vite arriti të fitojë 5 trofe dhe të jetë titullar fiks.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













