EKSKLUZIVE/ “Dy vite të vështira e plot krenari te bardheblutë”, Gledi Mici: Derbi vendimtar, Tirana merr qytetin (E PLOTË)
Pas dy sezoneve të kaluara te Tirana, mbrojtësi Gledi Mici ka nisur një aventurë të re me Strugën në Maqedoninë e Veriut.
Skuadra e tij ka filluar shumë mirë kampionatin dhe ndodhet në krye të renditjes, ndërsa vetë lojtari tregon për synimet e Strugës, eksperiencën me bardheblutë, kujtimet nga derbi me Partizanin dhe mendimin për kampionatin shqiptar. Në një bisedë për ne, Mici ndalet edhe te situata e Tiranës dhe rivalët për titullin në Kategorinë Superiore.
Si po shkon aventura e re? Struga juaj dhe e Shkëmbit është në krye me meritë?
Aventura po shkon shumë mirë, e kemi nisur mbarë dhe jemi në krye me meritë të plotë. Gjithsesi, jemi me këmbë në tokë, sepse është vetëm fillimi.
Titulli është ëndërr, por cili është objektivi i vërtetë i Strugës këtë sezon?
Objektivi ynë është Europa dhe jemi në rrugën e duhur.
Luajte dy sezone me Tiranën. Si do ta vlerësosh këtë aventurë me bardheblutë?
Ishte një periudhë e vështirë për shumë arsye, por prapë një kënaqësi e madhe për vetë emrin, historinë dhe tifozët që ka Tirana.
Përse vendose të largoheshe nga Shqipëria dhe Tirana. Mund të kishe firmosur në Superiore?
Për arsye të ndryshme profesionale, por gjithsesi kam mbetur me kujtime të bukura.
Paçka se nuk jeni larg gjeografikisht, a e ke ndjekur Tiranën këtë sezon?
Po, i kam parë të gjitha ndeshjet. Më vjen mirë që ekipi është kthyer në kryeqytet, pasi vitin e kaluar kemi bërë një maratonë kilometrash për stadiumin.
Ke qenë në fushë në derbin e fundit me Partizanin. Çfarë ndjesie të jep kjo ndeshje?
Derbi është një ndjesi shumë e bukur dhe aq më tepër kur e fiton. Edhe pse këtë herë të dyja ekipet nuk janë në situatën më të mirë, shpresoj që të jenë sa më shumë tifozë dhe ta mbështesin Tiranën, pikërisht tani kur i duhet më shumë.
Si e sheh derbin me Partizanin dhe a ka mundësi që këtë ndeshje ta fitojë sërish Tirana?
Derbi është i paparashikueshëm, sepse të dyja skuadrat kanë uri maksimale për pikë. Megjithatë, pjesa e dytë ndaj Dinamos më ka dhënë shpresë që Tirana mund ta fitojë derbin.
Pas largimit tënd, Tirana e ka nisur keq dhe në 5 javë ka vetëm 2 pikë. Çfarë mendimi ke?
Është një nisje vërtet e keqe, por dua të mendoj pozitivisht. Është ende shpejt, sepse nga vendi i fundit te vendi i katërt i ndajnë vetëm 5 pikë.
Çfarë mendimi ke për faktin që skuadra ka ndryshuar sërish shumë lojtarë?
Nuk është mirë që të ketë kaq shumë ndryshime. Mendoj se një bazë me lojtarë shqiptarë duhet të jetë patjetër, por nga ana tjetër edhe tregu është i limituar. Një shembull i mirë është Egnatia, që e mban bazën dhe përforcohet vetëm me 3-4 lojtarë maksimum.
Kampionati shqiptar duket i fortë. Kush mund ta fitojë titullin?
Është ende shumë shpejt për të zgjedhur një skuadër. Edhe Tirana apo Flamurtari, me tre fitore rresht, mund të futen në katërshen e parë dhe të kenë shanset e tyre për titullin. Megjithatë, për momentin më të avantazhuara i shoh Dinamon, Egnatian dhe Vllazninë.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













